Reçaku, luftës për çlirimin e trojeve shqiptare ia ka dhënë 12 dëshmorë dhe 42 martirë. Masakra mbi popullatën civile, të cilën e kryen forcat ushtarake dhe policore serbe, më 15 janar të vitit 1999, kundër banorëve të këtij fshati ishte ndër më monstruozet përnga mënyra e ekzekutimit dhe masakrimit të kufomave. Akti i asaj egërsie barbare, të cilën e kryen serbët e militarizuar mbi shqiptarët e paarmatosur i dha lemerinë forcave demokratike përparimtare të mbarë botës. Krimi makabër kundër civilëve, bëri që të aktivizohet diplomacia përparimtare botërore, e cila aktin e shëmtuar të masakrimit e trajtoi si “krim të rëndë kundër njerëzimit”. Më 15 janar të vitit 1999, nga radhët e luftëtarëve të Reçakut kanë rënë në mbrojtje të popullatës civile, Lutfi Bilalli, Mehmet Mustafa, Kadri Syla, Enver Rashiti, Shaqir Berisha, ndërkohë kanë rënë në përpjekje për tërheqje të popullatës, Nexhat Ramadani, Sadik Osmani dhe Ragip Bajrami. Gjatë kohës së luftës së UÇK-së kanë rënë edhe Alush Mustafa, Afrim Syla, Idriz Mehmeti dhe Elmi Kamberi, i cili ka rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të gjithë nga Reçaku.
Gjatë masakrës së ofensivës serbe në Reçak, policët dhe ushtarët serbë, masakruan këta banorë të Reçakut: Hakip Imer Hakipi, 30-vjeçar, Ahmet Izet Ahmeti, 60-vjeçar, Eshref Halim Jakupi, 53-vjeçar, Lutfi Hasan Maliqi, 44-vjeçar, Jashar Milaim Jashari, 25-vjeçar, Njazi Sherif Zymeri, 44-vjeçar, Shyqëri Ismajl Ismajli, 60-vjeçar, Haqif Shefki Hysenaj (Petrovë) 49-vjeçar, Muhamet Faik Ismajli-Reçak, 44-vjeçar, Fatmir Faik Limani, 35-vjeçar, Murtez Ramiz Ymeri, 30-vjeçar, Mehmet Qerim Jakupi 43-vjeçar, Muhamet Hafiz Imeri, 22-vjeçar, Shukri Milaim Jashari, 19-vjeçar, Sheremet Shyqëri Ismajli, 35-vjeçar, Mufail Mehdi Hajrizi,30-vjeçar, Bujar Hanefi Hajrizi – Reçak, 19-vjeçar, Salih Faik Limani 24-vjeçar, Nexhat Faik Limani, 22-vjeçar, Xheladin Ahmet Jakupi,17-vjeçar, Raif Milaim Jashari, 17-vjeçar, Bajrush Nesret Shabani, 23-vjeçar, Rizah Maliq Beqiri, 49-vjeçar, Halim Riza Beqiri, 13-vjeçar, Zenel Shefqet Beqiri, 22-vjeçar, Bajram Sokol Mehmeti, 50-vjeçar, Hanumshahe Bajram Mehmeti, 22-vjeçare, Ajet Minush Emini, 37-vjeçar, Nazmi Nuhë Imeri, 75-vjeçar, Banush Azem Dauti –65-vjeçar, Haki Murat Metushi, 65-vjeçar, Sabri Murat Metushi, 60-vjeçar, Arif Murat Metushi, 55-vjeçar, Hajriz Brahim Brahimi, 58-vjeçar, Ahmet Zenun Mustafa, 65-vjeçar, Skënder Sylejman Halili, Mustafë Beqë Asllani, 42-vjeçar, Bajram Haki Xheladini, 33-vjeçar, Sahide Haki Metushi – Reçak, Hanumshahe Sadik Mujota-Mollapolc, rreth 16-vjeçare. Deri në përfundim të luftës në këtë fshat u vranë edhe Halit Shaqiri, 54-vjeçar dhe Avdyl Sejdiu, 95-vjeçar, i cili u dogj brenda shtëpisë ku ishte i strehuar.
Nexhat Ramadani u lindi më 10 shkurt 1978, në fshatin Reçak të komunës së Shtimes. Ishte djali i katërt me radhë. Kishte kryer shkollën fillore në fshatin e lindjes, pastaj kishte vazhduar të mesmen në Shtime. Gjatë shkollës fillore dhe të mesme, Nexhati kishte lexuar vepra letrare të shumta, të cilat e kishin pajisur me ide të forta kombëtare dhe liridashëse. Këto ide ai i kishte zbatuar edhe praktikisht gjatë aktivitetit të tij gjatë kohës së luftës në ndihmë të UÇK-së dhe fshatarvëve të tij. Familja e Nexhatit ishte në gjendje të rëndë ekonomike, e kjo edhe ndikoi në mundësitë e kufizuara për shkollim të mëtejmë të Nexhatit. Ai ndërpret shkollimin e mëtejmë dhe punon si punëtor krahu me babain e tij në hapjen e puseve dhe në punë të tjera bujqësie e blegtorie.
Fillimi i luftës ççlirimtare Nexhatin e gjen në Reçak së bashku me familjen e tij dhe dy vëllezërit, tani të ekzekutuar bashkërisht, Fatmirin dhe Salihun. Edhe pse luftë, ai çdoherë ishte aktiv në organizimin e jetës në fshat dhe ndihmës për UÇK-në. Nexhati vuante nga sëmundja e gurit në veshka, që i shkaktonte dhembje të forta shpesh herë dhe kishte nevojë të lajmërohet te mjeku për barna. Kjo sëmundje e përcillte çdoherë. Disa ditë para se të ekzekutohej, kishte shkuar në kontrollim mjekësor dhe kishte marrë ca barna. Me gjithë gjendjen e vështirë në të cilën gjendej, Nexhati dhe familja e tij asnjëherë nuk kishin pranuar të largohen nga shtëpia e gjyshit dhe stërgjyshit të tyre, por ishin këmbëngulës që secili njeri të bënte rezistencë, për të vdekur në oborrin dhe vatrën e tij shekullore.
Natën kritike të 15 janarit 1999, në shtëpi gjendeshin tre vëllezërit: Fatmiri, Salihu dhe Nexhati. Ata kishin dëgjuar krismat në mëngjesin e hershëm të asaj dite. Ishin zgjuar dhe ishin përgatitur për t’u tërhequr në pyllin e afërt. Nuk u kishte shkuar mendja të dalin poshtë nëpër qytete. Nisen së bashku në drejtim të thellësisë së fshatit për të kaluar në pyllin e afërt, sepse mendonin se do të kthehen përsëri në fshat. Në rrugë e sipër shohin një numër bashkëfshatarësh, të cilët hynin e dilnin në oborrin e mësuesit të fshatit dhe veprimtarit, Sadik Osmani.
Ndoshta kishin ndërmend që përmes oborrit të tij të dalin në Kodrën e Bebushit për të kaluar në pyll, duke mos ditur se policia kishte hyrë në fshat nga të gjitha anët. Pasi hyjnë në oborr, shumë shpejt rrethohen nga policia serbe, maltretohen mizorisht që të tre dhe mandej me 23 burra e të rinj të tjerë i nisin në rresht për një në drejtim të Kodrës së Bebushit ku edhe ekzekutohen nga ekzekutorët serbë me armë zjarri, nga afërsia.
Pas masakrës, në vendin e krimit mjeku i luftës, intelektuali, Vezir Bajrami, i vrarë mizorisht pas luftës, ka konstatuar këtë gjendje: “Nexhat Ramadani është gjetur i vdekur në vendin e quajtur Gropa e Bebushit. Me gjasë ishte në mesin e të parëve që i prinin kolonës, sepse edhe në bazë të vendit që kishte në atë gropë ishte në mesin e të parëve. Kokën e kishte lart në drejtim të pyllit, ndërsa këmbët poshtë, gjendet i shtrirë në mes të vëllait të vet më të madh, Salihut, dhe fqinjit të tij të parë, Raif Salihut dhe Xheladin Jakupit. Trupat e pajetë të Nexhatit, Raifit dhe Xheladinit ishin shumë afër njëri- tjetrit dhe mbështetur në njëri-tjetrin në të njëjtin drejtim sikur të ishin përgatitur vetë për të fjetur në të njëjtin shtrat. Këmbët i kishte të shtrira, ndërsa duart i kishte hedhur mbi gjoksin e tij në formën si kur ka nevojë ta shtrëngojë, si pasojë e ndonjë dhembjeje të madhe. Në dorën e majtë kishte orën, e cila punonte ende, ndërsa në gishtin e katërt të së njëjtës dorë mbante nji unazë të bardhë.
Nexhati kishte një pamje rinore. Kishte të veshur një jakne dimri me ngjyrë të përhimë në të bardhë, brenda saj kishte veshur një xhemper të gjelbër, e poshtë kishte farmerka me ngjyrë të kaltër, ndërsa në këmbë mbante këpucë të zeza. Ishte ekzekutuar me armë zjarri, nga afërsia. Kishte vrima të shumta hyrëse në pjesën e përparme të kraharorit, në abdomen dhe në këmbë, ndërsa vrimat dalëse shiheshin nga ana e pasme. Shiheshin edhe shenjat e maltretimit paraprak fizik me mjete të forta dhe të topitura. Ndërsa në fytyrë, në anën e majtë, shihen disa prerje me mjet të mprehtë, që mund të ishte thikë”. (A. Q.)