Nexhat Qazim Fanaj (25.9.1965 - 28.7.1998)

Nexhat Qazim Fanaj (25.9.1965 – 28.7.1998)

Familja Fanaj ka qenë e njohur për trimëri, bujari e atdhetari në gjithë Trevën e Lumës. Ishte një shtyllë e rezistencës kundër pushtuesit serb, duke filluar nga Beteja e Lumës e nëntorit të vitit 1912 ku kishin mbetur të vrarë mijëra serbë.
Për këtë shkak forcat pushtuese serbe të Nikolla Pashiqit, për hakmarrje lidhur me humbjet e mëdha që kishin pësuar, pushkatuan të zotin e shtëpisë Mërtez Fanaj dhe vëllanë e tij Behlul Fanaj duke i djegur në kullën tre kate. Edhe pas këtyre mizorive që kishte ushtruar regjimi serb i asaj kohe, familja Fanaj kishte vazhduar përpjekjen për çlirimin e tokave shqiptare.
Me fillimin e luftës së Dytë Botërore djemtë e Fanajve ishin radhitur të gjithë në radhë të Lëvizjes Kombëtare për bashkimin e Shqipërisë Etnike.
Pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore me ndarjen e Kosovës nga Shqipëria, familjes Fanaj iu shtua dhuna dhe presioni duke i shpallur si armiq të Jugosllavisë. Kjo ishte e vërteta sepse edhe Fanajt nuk u nënshtruan kurrë.
Në vitin 1951 arratiset në Shqipëri axha i Ylberit, Avdi Fanaj ku atje jetoi dhe jeton akoma familja. Pas kësaj familjes Fanaj iu shtua më shumë dhuna. UDB në vitin 1966 e mbytën në mënyrë mizore Nexhip Shash Fanajn.
Në vitin 1968 djali i të vrarit Nexhip Fanaj, Cen Nexhip Fanaj nga Gjimnazi i Prizrenit arratiset në Shqipëri ku jetoi dhe jeton akoma në Kukës. Pas kësaj Fanajt ishin të pranishëm në demonstratat e vitit 1981 ku morën pjesë të gjithë pa dallim. Asokohe parullat në fshat dhe rrethinë i shkroi Ferid Fanaj. Ata prisnin e përcillnin për në Shqipëri njerëzit e ilegales, për këtë arsye serbët hakmerren duke e vrarë Dalip Ibish Fanaj dhe më vonë në prill të vitit 1993 në pritën që kishin ngritur në kufirin Kosovë-Shqipëri e vrasin, Ferid Miftar Fanaj. Pas vrasjeve të fundit Fanajt tani më ishin në luftë sepse çetnikët vetëm donin që gjithsesi të eliminonin familjen Fanaj Mirëpo edhe Fanajt ishin të pathyeshëm dhe ishin gjithmonë kundër pushtuesit. Qysh në lëvizjet e para të UÇK-së, Fanajt u radhiten menjëherë të gjithë në Ushtrinë çlirimtare të Kosovës duke marrë pjesë në luftë për liri.
Prindërit Qazim dhe Hume Fanaj kishin lindur e kishin rritur fëmijët: Përparimin, Asllanin i cili ishte ushtar i UÇK-së, që vepronte në Brigadën 125 të Shtabit lokal të Prizrenit dhe motrat: Milidie dhe Hydajete.
Nexhat Qazim Fanaj, u lind, me 28 shtator të vitit 1965 në fshatin Grazhdanik të komunës së Prizrenit. Shkollimin fillor e kreu në fshatin, Nashec. Të mesmen nuk e vazhdoi ngase në moshën 17 vjeçare mërgon në Zvicër. Nexhati ishte në radhët e atdhetarëve në Zvicër, i cili punonte dhe vepronte në drejtim të intensifikimit të radhëve të UÇK-së. Ai ishte sekretar i shoqatës atdhetare “GRYKA E LUMES”, dega në Lucern të Zvicrës. Po ashtu ishte edhe në kryesinë e fondit “ Vendlindja Thërret”. Nexhati ka marrë pjesë aktive në demonstrata nëpër vende të ndryshme si në Zvicër, Belgjikë, Holandë, Gjermani e në Austri. Me fillimin e luftës ai lë Zvicrën dhe kthehet në Kosovë, ku iu bashkohet luftëtarëve të Vërrinit. Kontaktet e para me UÇK-në, i ka pasur qysh në korrik të vitit 1998.
Tre luftëtarët e lirisë: Nexhat, Albrim e Ylber Fanaj në fillim përbënin një skuadër luftëtarësh sypatrembur të “Brigades 128”, e cila me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, ishte njohur me emrin Brigada 128-të e Zonës Operative të Pashtrikut. Ata i takonin togës së Vërmicës. Fillimisht ishin angazhuar të përcillnin për në Shqipëri luftëtarë të UÇK-së, nën përkujdesjen dhe vëzhgimin e komandantit, Ruzhdi Saramati.
Bashkluftëtarë të Nexhatit ishin Xhemshit Krasniqi, Behamir Memaj e të tjerë.
Me 28 korrik 1998 te “Lugu i Gjeraqinës’’, u zhvillua një betejë e ashpër frontale ku në altarin e lirisë u përjetësuan: Nexhat Fanaj e Behamir Memaj, dhe ishin plagosur luftëtarët: Sami Berisha, Ismet Zyberaj, Nail Berisha, Shasivar Ajazi dhe Albrim Krasniqi. Nga forcat kriminale serbe në këtë betejë ishte vrarë kapiteni i klasit të parë Bojan Deniç, dy ushtarë serbë dhe shtatë ishin plagosur, në mesin e tyre edhe kryepolici Rrustem Agushi nga Dragashi.
Nexhati ishte i martuar me Sehare Gashin dhe la lënë bijtë: Albrimin dhe Qazimin.
Përmendorja e dëshmorit Nexhat Fanaj është ngritur në vendin e rënies në Koretnik. Më pas është rri varrosur në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit. Familja e Nexhatit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme dhe nga shoqata e organizata të tjera të dala nga lufta. (M. F.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …