Nexhmedin Bardh Hakaj (25.11.1973 – 13.4.1999)

Nexhmedin Bardh Hakaj (25.11.1973 – 13.4.1999)

Familja e gjerë Hakaj nga Orroberda e Burimit (ish-Istog), hyn në radhën e atyre familjeve të mëdha e bujare shqiptare, të cilat nuk kursyn as bukën, as paranë, as mallin dhe as gjakun për të ndihmuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të realizimit të aspiratës së çlirimit kombëtar. Shtëpia e kësaj familjeje ishte bërë strehë e luftëtarëve të lirisë të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së dhe të gjitha brigadave të tjera që vepronin në Zonën Operative të Dukagjinit a kudo tjetër. Ajo i kishte ushqyer e i kishte mekuar me devotshmëri këta luftëtarë. Prandaj, jo rastësisht, nga gjiri i saj dalin dy yje lirie, Nexhmedin Hakaj dhe Qazim Hakaj.

Prej radhës së dhjetë fëmijëve të Bardh e Sofë Hakaj: Shpendit, Isufit, Shefqetit, Hajrushit, Emrushit, Avdullahut, Milazimit, Jetonit, Hasimes e Nexhmedinit, tre prej tyre, Nexhmedini, Shpendi e Milazimi, ishin të inkuadruar në luftën çlirimtare, si pjesëtarë të UÇK-së. Nexhmedini e mori edhe kurorën e lavdisë në fushën e nderit, dëshmor i kombit.
Dëshmori Nexhmedin Hakaj ka lindur në fshatin Orroberdë të komunës së Burimit, më 25 nëntor të vitit 1973. Në fshatin e afërt, Tedel (ish-Vrellë) e kryen shkollimin fillor, ndërsa shkollimin e mesëm e mbaron në Burim. Më tutje nuk e vazhdoi shkollimin, prandaj u mor me punë bujqësie e blegtorie, në kuadër të ekonomisë familjare. Si çdo i ri tjetër shqiptar, edhe Nexhmedini e përjetoi rëndë pozitën e popullit shqiptar të Kosovës, sidomos gjatë viteve ’80 e ’90 të shekullit njëzet. Prandaj, në zemrën e tij po mblidhej si një ortek gjigand, pezmi dhe urrejtja ndaj pushtuesit serb që po shtypte e torturonte të rinj e të moshuar shqiptarë, kudo që i takonte. Në këto rrethana, lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përjetua si një engjëll shpëtimtar që zbret nga qielli i paqes hyjnore, për të shpëtuar e lumturuar shqiptarët e Kosovës, të cilët kishin gati një shekull vuajtje nën thundrën e pushtuesit serb.
Me formimin dhe forcimin e njësiteve e të formacioneve të tjera të UÇK-së në zonën e Dukagjinit, në pranverë të vitit 1998, Nexhmedini vetëm priste momentin kur do të radhitej në këto njësite. Ky moment kishte arritur pa vonesë dhe ai bashkë me shumë të rinj bashkidealistë, si, kushërirët Qazimi (dëshmor), Nimani e Skënderi, shkon në qendrën rekrutuese të Gllogjanit dhe atje ngarkohet me detyra të caktuara ushtarake. Bashkë edhe me shumë të rinj të fshatrave Ruhot, Trubuhovc e të tjera, të cilat përbënin një korridor të rëndësishëm strategjik që lidhte zonën e Dukagjinit me zonën e Drenicës e me zonat e tjera dhe përmes të cilit mundësohej furnizimi i dyanshëm me armatim e me ushqim i këtyre zonave, merr përsipër sigurimin e këtij korridori. Në kuadër të kësaj detyre ai bën roje nate, vëzhgon terrenin dhe përgatit ngritjen e pikave ushtarake në fshatin e tij e në ato përreth.
Përveç kësaj, Nexhmedini angazhohet edhe për sigurimin dhe bartjen e armatimit nga Shqipëria. Prandaj, në korrik të vitit 1998 shkon në Shqipëri për të sjellur armatim e municion për luftën. Në një mision të tillë i cili zgjaste me javë të tëra për shkak të radhëve të gjata të ushtarëve e të rekrutëve të UÇK-së të angazhuar në këtë detyrë, ai me shokë kishte arritur të sjellë me sukses 32 barrë kuajsh me armatim.
Pas formimit të Brigadës 133 të UÇK-së, Nexhmedini zhvillon aktivitetin e tij ushtarak çlirimtar në kuadrin e saj. Ai bashkë me Qazim Hakajn, Sylë Çetajn (dëshmor) e të tjerë, ndërmerr aksione të njëpasnjëshme të planifikuara e të kordinuara në nivel brigade. Me kalimin e kohës këto aksione u bënë gjithnjë e më të shpeshta, e më të ashpra, sepse armiku po tmerrohej krahas humbjes së besimit në forcat e veta.
Me fillimin e bombardimit nga NATO-ja kundër makinerisë ushtarake serbe dhe militarizmit serb, në mars të vitit 1999, me një tërbim të shfrenuar u sulmuan fshatrat dhe vendbanimet shqiptare edhe në komunën e Burimit. Më 12 prill të vitit 1999, forcat serbe sulmuan me hekur e zjarr trevën rrëzë vargmaleve të bjeshkëve që nga Burimi e deri te Peja. Atë ditë, një rezistencë dhe betejë e ashpër lufte u zhvillua në fshatin Tedel, ku njësitet e UÇK-së kishin fortifikata të fuqishme. Pas një lufte të përgjakshme, epërsia në armatim e në trupa ushtarake e armikut, bën që luftëtarët e UÇK-së të tërhiqen nga pozicionet e tyre e t’i përkushtohen mbrojtjes së popullatës së shpërngulur e të strehuar në male. Në këtë vorbull të zjarrtë lufte, rolin e vet po e luante edhe Nexhmedini me bashkëluftëtarët. Më 13 prill, një ditë pas betejës në Tedel, ai bashkë me Sylë Çettajn e Qazim Hakaj, ndodhej në lëvizje vëzhgimi të terrenit në fshatin Kaliçan. Ishte koha rreth orës 17, kur këta tre luftëtarë sulmohen papritmas nga militarët serbë që kishin depërtuar në fshat, prej një pozicioni prite. Sulmi ishte i befasishëm dhe mundësitë për kundërpërgjigje të vogla. Të tre luftëtarët hyjnë në përjetësi.
Trupat e dëshmorëve Nexhmedin Hakaj, Qazim Hakaj dhe Sylë Çettaj, ishin varrosur dy ditë më pas në varrezat e qytetit të Pejës. Në këto varreza, varret e luftëtarëve të rënë shenjoheshin me inicialet e emrit e të mbiemrit dhe me epitetin “terrorist”. Përmes këtij shenjimi, në korrik të vitit 1999, tre muaj pas rënies, identifikohet edhe trupi i dëshmorit Nexhmedin Hakaj. Në dorën e tij, ora kishte vazhduar të maste me ritëm të patrazuar, çastet e afrimit të lirisë së Kosovës dhe të kapitullimit të Serbisë okupatore. Pranë varrit të Nexhmedinit identifikohen edhe varret e dëshmorëve Qazim Hakaj e Sylë Çetaj.
Më 19 korrik të vitit 1999, trupi i dëshmorit Nexhmedin Hakaj rivarroset në varrezat e fshatit të lindjes, Orroberdë, tashmë në tokën e lirë për të cilën kishte rënë ai dhe mijëra shokë të idealit.
Pas çlirimit të Kosovës, në shenjë respekti e përuljeje për sakrificën e dëshmorëve Nexhmedin Hakaj, Sylë Çetaj e Qazim Hakaj, bashkëfshatarët u ngritën përmendore në fshatin Orroberdë. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …