Pranvera është stina kur për çdo ditë i kujtojmë bashkëluftëtarët tanë që kurrë nuk u kthyen nga betejat, por sot është 30 dhjetori, dita e përkujtimit të angazhimit, kontributit dhe sakrificës së të gjithë atyre që u kthyen gjallë nga frontet e luftës, shumë prej tyre me plagë në shtat e pa gjymtyrë të trupit. Në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991, forca të mëdha policore serbe ia kishin mësy Jasharëve për të burgosur Adem Jasharin dhe formacionin e tij të armatosur, por ishin përballur në qëndresë shqiptare dhe ndjekur keqas me krisma pushkësh, përderisa në kullën KALA të Adem Jasharit ushtonte kënga BETIM e Tahir Mehës, si dikur që ushtoi pushka AMANET e Azem Galicës e ruajtur me krenari nga gjyshi plak Emin Lati, bashkëluftëtar i Azemit, e përcjellë të i biri Nebiu, për ta nderuar shqiptarinë në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës në Sanxhakun e Tregut të Ri dhe në luftën e Drenicës nën udhëheqjen Shaban Polluzhës, dhe për të ushtuar prapë në Luftën e BURRIT TË DHEUT- Tahir Mehës.
Krismat e 30 dhjetorit të vitit 1991, ishin përgjigjja dhe goditja më e mirë që shqiptarët përmes Jasharëve i dhanë Serbisë, ndërsa për popullin shqiptarë ishin krisma kushtrimi, thirrje për dasmën e madhe dhe shkëndijat e para të lirisë. Prandaj në Ligjin për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me propozim të Organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së 30 dhjetori caktohet si Ditë e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot pra është 30 dhjetori, ditë, të cilën pas padrejtësive të mëdha dhe robërisë gati njëqind vjeçare Kosova dhe populli i saj e kanë merituar
Jo vetëm sot po sot e për mot, ne duhet t’i nderojmë të gjithë ata që përdorën trupin e tyre si armë, dhe armën si pjesë të trupit, ata që në kohët më të vështira me shërbimin e tyre, çliruan kombin dhe i kthyen nderin atdheut, duke mos i harruar kurrë por duke i përkujtuar gjithmonë ata që dhanë jetën e tyre për të shpëtuar jetën tonë, dëshmorët e atdheut. Bashkëluftëtarët tanë-Dëshmorë, nuk i kemi fizikisht pranë në çaste gëzimesh, por ata gjithmonë na mbajnë afër ne, duke i bërë roje Atdheut, le ti mbajmë në mendje e zemër gjithëherë, ti kujtojmë sa herë që përmendim Atdheun, të kujdesemi për familjet e tyre, tua gëzojmë fëmijët e tyre, ti ledhatojmë ata sa herë që ti ledhatojmë fëmijët tanë.
Ashtu si në ditën e Dëshmorëve të Atdheut që vargu i popullit do të duhej derdhur lum pranë varreve të atyre që derdhen heroizëm në fushë-beteja e me gjak ngjyrosen flamurin kombetarë, po ashtu edhe sot, sheshet e qyteteve të Kosovës do të duhej mbushur plot me popull për ti ledhatuar plagët e luftës e nderuar uniformat e Ushtrisë së shenjtë Çlirimtare të ndriçuara nga emblema e artë e UÇK-së gjatë buçitjes së kalldrëmit nga marshimi i vashave dhe djemve trima – veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në ditën e veteranit do të organizohej në mënyrën më madhështore nga shteti i ndërtuar me sakrificën e tyre të madhe.
Me trupin armë e armët si pjesë të trupit UÇK-ja e çliroi vendin dhe i ktheu nderin Atdheut
Sa shumë na mungoi ngrohtësia e popullit tonë deri më sot, ledhatimi e buzëqeshja si shenjë respekti e mirënjohjeje për gjithçka që përjetuam e bëmë për ketë atdhe. Ishte e dhimbshme përbuzja ndaj nesh gjatë përpjekjeve të para të përgatitjes për luftë, sa zhgënjyese po aq edhe e rrezikshme deri afër dështimit të luftës sonë për liri ishte mos mbështetja kur ne kërkonim t’na i shtonin radhët e Kosova po digjej flakë. Përherë në fushëbeteja me njërin sy shikonim kah armiku e me tjetrin kah populli se ishim pak, shumë pak e kishim nevojë për shokë e luftëtarë, për armë e përforcime për përkrahje morale e fizike ndërsa ato nuk na erdhën kurrë. Përkundër gjithë kësaj në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk peshuan ata që nuk erdhën e as ata që ikën e na lanë vetëm, por, ata pak që mbetën i dhanë forcë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke bashkëjetuar me vdekjen fituan përkrahjen e popujve liridashës dhe bashkë me ta e udhëhoqën Kosovën drejtë fitores së madhe.
Përderisa ushtria serbe e maste forcën e vet pushtuese me numrin e ushtarëve, aeroplanëve, tankeve dhe armatimit modern duke përfshi edhe armçt kimike të shkatërrimit në masë, forcën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e bënte atdhedashuria, shpirti liridashës dhe guximi për të vazhduar luftën deri në çlirim e bashkim kombëtar. A e meritojnë të pakten sot, në ditën e tyre, një përshëndetje të sinqertë a një fjalë miradie ata që lanë lodrat për ti kapur pushkët e lirisë, lanë shkollat për t’i mbushur malet si çlirimtarë, lanë shtëpitë për t’i kthyer atdheut lavdinë, lanë mërgimin për t’i sjell popullit lirinë, ATA që sot vazhdojnë jetën të vetëdijshëm se kanë vdekur njëherë.
Ditën e Veteranit duhet ta shënojmë çdo ditë duke i nderuar e respektuar ata që në ditët më të vështira që përjetoi populli ynë, nderuan kombin e atdheut i dolën zot.
ME KËNGËN BETIM, PUSHKËN AMANET E TRIMERINË E BURRAVE TË DHEUT, UÇK-ja SHQIPERISË I DHA JETË