Atdheu ynë u shenjtërua përgjatë mijëra viteve, në përpjekje të ruajtjes së kufijve të vet natyrorë, me gjakun e bijave dhe bijve më të mirë të kombit. Qëndresa e të gjithë brezave nëpër shekuj jetoi me kauzën për Atdheun e lirë, një e të pa ndarë.
Furtuna të mëdha na përplasën gjatë gjithë historisë, përballë perandorive të mëdha vumë gjoksin, me heroizma dëshmuam se si duhet atdheu e me vetëdije të lartë kombëtare u ringjallëm në vazhdimësi.
Edhe në kohën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vetëdija kombëtare e kishte ngritur në këmbë rininë shqiptare për t’i dhënë fund padrejtësisë së madhe historike të përgjysmimit të atdheut tonë. Prandaj nuk është e rastësishme që në vijat e para të luftës, luftëtarët e lirisë, ishin nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.
Lufta që bëri Ushtria Çlirimtare Kosovës ishte luftë për liri, e pastër dhe e drejtë prandaj edhe e fitoj përkrahjen e Aleancës më të madhe ushtarake në botë- NATO-s.
Për kundër gjithë kësaj që nga organizimet e para si luftëtarë lirie të rreshtuar në UÇK e deri me sot si veteranë të organizuar në OVL të UÇK-së ndërskamcat e problemet nuk na u ndalen kurrë.
Në kohën kur UÇK-ja vepronte në ilegalitet në Kosovë dhe i sulmonte në mënyrë të sinkronizuar forcat armike serbe duke i goditur mu në çerdhet e tyre nëpër stacione policore e kazerma ushtarake, fatkeqësisht ata udhëheqës shqiptarë që ishin vënë në ballë të popullit gjoja për ta udhëhequr drejtë lirisë, deklaronin se UÇK-ja është dorë e zgjatur e Serbisë. Kur ndodhën ngjarjet e mëdha historike në Llaushë e Prekaz ata ndërruan taktikën dhe filluan ta shantazhonin luftën në terren me metoda që do t’ua kishin lakmi edhe projektuesit e “kolonave të pesta”.
Kështu Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu imponua lufta në dy fronte. Ajo fitoi shumë beteja dhe arriti që me ndihmën e faktorit demokratik ndërkombëtarë ta përzë pushtuesin serb nga Kosova, por e humbi betejën më të rëndësishme në frontin e luftës, kundër bashkëpunëtorëve të Serbisë, spiunë e tradhtarë të kombit.
Në prag të çlirimit gjërat rrodhën edhe më keq, bashkëpunëtorët e Serbisë të cilët e kishin merituar plumbin në ballë, depërtuan në skenën politike të pas luftës duke e shfrytëzuar faljen morale që ju dha dita e çlirimit (me kusht që historia të merret me gjykimin e tyre) dhe i shantazhuan institucionet e sapo formuara në Kosovën e lirë.
Me qëllime shumë të errëta politike bashkëpunëtorët shqiptarë të Serbisë, të ndihmuar nga qarqe të caktuara evropiane pro serbe, e bojkotuan Qeverinë e Përkohshme të Kosovës dhe kështu e lanë Kosovën pa ushtri të mirëfilltë, pa përfaqësues diplomatik ndërkombëtarë dhe me institucione të rendit të mbajtura peng përmes zyrave të huaja të vendosura në Kosovë. Skena politike shqiptare e pas luftës fatkeqësisht, (më vonë e quajtur dhe e vetëquajtur kosovare) ishte e ndërtuar nga agjentura të huaja të dirigjuara nga Beogradi në formën më të përsosur të mundshme në mënyrë që koalicionet që do e mbajnë pushtetin çdo herë të bëhen ashtu siç ata kanë nevojë dhe ligjet që dalin nga Parlamenti i Kosovës të jenë ligje që u përshtatën interesave të Serbisë dhe që pakicës serbe ti jepet mundësia që Kosovën ta bllokojë në çdo hap.
Të gjitha këto padrejtësi i bën dëm të pa riparueshëm jo vetëm Kosovës por edhe çështjes shqiptare në përgjithësi duke i prekur drejtë për drejtë edhe interesat strategjike të miqve tanë ndërkombëtarë para syve të të cilëve u luajtën të gjitha këto lojna me pasoja tragjike për kombin tonë.
Duke e parë që situata në Kosovë ka marr kahe krejt të kundërt luftëtarët e UÇK-së filluan të riorganizoheshin dhe themeluan së pari në Prishtinë e pastaj në të gjitha komunat e Kosovës Shoqatën e Veteranëve të Luftës më vonë OVL Të UÇK-së. Në fillim qëllimi ishte fisnik e atdhetarë, mbrojtja e atdheut nga rreziqet e pas luftës, ndërtimi i vendit plotësisht të shkatërruar, nxjerrja e atdheut nga kthetrat e agjenturave të huaja dhe bashkëpunëtorëve të tyre serb e shqiptarë dhe përpjekja që në strukturat e partive politike shqiptare të ketë sa më shumë patriot me tituj shkencorë, të burgosur politik, luftëtarë të UÇK-së dhe njerëz nga familje të dëshmuara për atdhetarizëm nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.
Konsideronim se ishim forca e vetme në Kosovë që mund ti bënte ballë çdo presioni, shantazhi apo edhe kërcënimi dhe realisht një pjesë ishim të gatshëm për çdo sakrificë. Fatkeqësisht ne nuk kishim shtet dhe si rrjedhojë lufta na zuri pa ushtri, e të detyruar nga situata, radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i mbushëm me vullnetarë pa ndonjë kriter vetëm e vetëm që të kemi numër në mënyrë që të mund t’i bënim ballë armikut në numër e armatim shumë herë më të madh siç ishte Armata Jugosllave me forcat tjera ndihmëse paramilitare e policore serbe të përkrahura edhe nga Rusia me njerëz e armatim po edhe në fushën diplomatike.
Edhe organizimi i tanishëm i veteranëve në OVL të UÇK-së po bëhet në baza vullnetare dhe të drejtë ka secili pjesëmarrës në luftën çlirimtare, çuditërisht gjatë aplikimit për veteranë, më të pajisurit me dokumentacion ishin të dërguarit në radhët tona me misione të caktuara, ata që ne i dinim si spiunë dhe ata që kishin kaluar nëpër zona të luftës duke qëndruar vetëm nga disa ditë deri sa kishin dal të sigurt jashtë Kosovës për tu kthyer vetëm pas çlirimit të vendit.
Degradimi më i madh në gjithë këtë proces u bë, kur Qeveria e Kosovës shpalli konkurs për pranimin e veteranëve duke anashkaluar gjithë dokumentacionin e kohës së luftës të grumbulluar për shumë vjet nga TMK-ja dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe iu mundësua secilit aplikant të hyjë në listat e veteranëve pa ndonjë kriter. Tani në garë se kush do të bëjë më shumë veteranë dhe kush do ti ketë listat më të gjata hynë shumë faktorë, nga partitë politike, agjentë, aktivistë, shoqata e klube e deri të “komandantët” që na dolën më të pamëshirë në gjithë këtë proces, duke i pajisur me nënshkrime e dokumentacion fals, e duke afruar rreth vetit pos të “tjerëve” edhe të gjithë ata që për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, për një pension, e ndonjë të mire tjetër materiale pranojnë të bëhen vasalë e votues të tyre. Po flitet se me qindra statuse të veteranit janë shitur nga njerëz të caktuar e me përgjegjësi, por nuk desha e nuk dua të besoj sepse kjo është gjëja më e ulët që mund ta bëjë njeriu. Nga e gjithë kjo del se përfitues janë kriminelët e Serbia e humbës shqiptarët e Shqipëria.
…
Rruga drejtë realizimit të aspiratave tona kombëtare, sigurisht që vazhdon. Betimi nuk shkelet se nuk na lejon gjaku i derdhur ndër shekuj. Që Shqipëria dhe çështja shqiptare të jetë në ketë gjendje pos armiqve shekullor, grabitçarë të tokave tona fajin e ka edhe bima e egër brenda kombit tonë. Sigurisht që fajin kryesor e kanë ato vende nga ku u morën vendime për copëtimin e trojeve shqiptare. Evropa as sot nuk e ka ndërmend t’i ndreq padrejtësitë që i bëri në kurriz të kombit shqiptar, prandaj ne duhet të jemi tepër të vëmendshëm në veprimet tona. Ne duhet të jemi më të bashkuar se kurrë dhe shumë të mençur dhe çdo hap i yni duhet të jetë i matur mirë në mënyrë që ta detyrojmë Evropën Plakë që gabimet e bëra ndaj shqiptarëve nga politikan të atëhershëm të zhytur në pa drejtësi e krim, t’i ndreqin sot përmes klasës se re politike të cilët u kanë shpall luftë të pa kompromis padrejtësive në gjithë botën. UÇK-ja e luajti këtë rol shumë mirë, prandaj arriti ta bëjë aleat NATO-n. Besoj se kështu duhet të veprojmë edhe sot me Evropën në mënyrë që e drejta jonë të vihen në vend me sa më pak pasoja. Mirëpo Europën nuk mund ta bindim me lutje e duke ndenjur duar kryq, ajo do zor, e do vendosmërinë tonë, seriozitetin tonë, gatishmërinë tonë deri në sakrificë. A jemi gati të sakrifikojmë edhe një herë për çështjen tonë për kombin tonë, për atdheun tonë?!. Unë i lus shqiptarët që sot më shumë se kurrë të jenë të bashkuar dhe të gatshëm për të derdh gjak, djersë e mendje në shërbim të ribashkimit të trojeve të lashta stërgjyshore – SHQIPËRINË.
30 dhjetor 2016