Dita ndërkombëtare e punëtorëve, 1 Maji edhe në Kosovë duhet të mbahet me protesta ashtu sikur në shumë vende të Botës. Në Kosovë ka për çfarë të protestojnë punëtorët. Te ne nuk respektohet ligji i punës e as marrëveshja kolektive, sidomos në sektorin privat, që nuk e njohin fare ligjin e punës.
Kemi shumë punëtorë që punojnë pa kontratë pune, pagat e tyre edhe pse shumë të ulëta i marrin jo në kohë të caktuar, por kur t’ iu teket punëdhënëseve, nuk u lejohet pushimi vjetor e as pushim mjekësor dhe nuk merr përgjegjësi askush për rrezikun e jetës së tyre në punë. Punëtorët tanë në vende të ndryshme punojnë në rrezikshmëri të lartë për ta siguruar kafshatën e gojës. Inspektorati i punës ekziston vetëm si term në letër për ndryshe stafi i tyre nuk ekziston fare pasi që janë të shantazhuar nga punëdhënësit.
Punëtori në Kosovë është shumë i diskriminuar dhe ka shumë arsye për të protestuar. Të gjithë punëtorët dhe të papunët në Kosovë më 1 Maj duhet të protestojnë për të drejtat dhe liritë e tyre dhe kurrsesi nuk duhet të festojnë.