Nezim Frakulla (1680-1760) ndër poetët e parë që shkroi poezi shqip me alfabet arab

Nezim Frakulla (1680-1760) ndër poetët e parë që shkroi poezi shqip me alfabet arab

Letërsia shqipe me alfabet arab, apo sikur është bërë traditë të thuhet, me alfabet turko-arab, (kur dihet se shkrimi i turqishtës gjatë kohës së Perandorisë Osmane shërbehej me  alfabetin e arabishtës), është lënë anash nga historianët e letrërisë shqipe, për faktin se nuk ishte e shkruar me alfabet grek apo latin sikur shkruanin priftërinjtë shqiptarë prej Gjon Buzukut në vitin 1555.  Duke qenë krejtësisht tendencioze dhe duke përjashtuar skajshëmirsh traditën e vjershërimit në gjuhën turke, apo në gjuhën shqipe me alfabet arab u shkua aq larg, sa kjo ajo trashëgimi letrare artistike u abortua vetëm, sepse ishte orientale dhe qe shkruar me alfabet arab.   Duke mbështetur këtë pikëpamje ideologjike u la anash, poeti më i madh i mesjetës në Turqi, Jahja beg Dukagjini, më herët Mesihi i Prishtinës e shumë të tjerë, po nuk u lanë anash ata poetë e prozatorë  që kishin shkruar latinisht, apo greqisht. Dihet fare mirë se edhe Marin Barleti, Historinë e tij të famshme për jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e kishte shkruar në gjuhën latine, shumë më vonë atë e kishin  përkthyer në gjuhën shqipe. (Ahmet Qeriqi)

Nezim Frakulla i njohur edhe si Nezim Berati, është në mesin e autorëve të  parë të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, të cilët gjuhën shqipe e kanë shkruar  me alfabet arab, ashtu sikur bënin shumë poetë pjesëtarë të  popujve  në Perandorinë Osmane.

Nezimi, u  lindi në vitin 1680 në fshatin Frakull të Fierit, në një familje të vogël feudale.

Meqë nuk është gjurmura jeta dhe vepra e tij nuk dihet gjë për familjen, madje as edhe për vitin e saktë të lindjes.  Qysh i ri mësimet e para i kreu në Medresenë e Beratit, pastaj shkoi në Stamboll, për të studiuar. Nuk dihet se çka studioi por dihet se në qendrën e Perandorisë qëndroi një kohë të gjatë dhe shkruante vjersha në gjuhët turqisht, persisht e arabisht. Bëri shumë udhëtime në vendet e Lindjes, por mbeti i pezmatuar, i zhgënjyer dhe i prekur nga jeta e rëndë dhe varfëria e njerëzve. Në një poezi të shkruar në gjuhën turke, i pezmatuar me gjendjen e rëndë të qytetarëve nën Perandoirinë turke ka shkruar: “I rashë botës anembanë, por zemra m’u mbush me gjak”. Duke qenë se nuk pajtohej me qeveritarët, të cilët edhe i kishte kritikuar, në vitin 1730, pas kryengritjes së Halil Patronës dhe fushatës së egër që kishte ndërmarrë Sulltani, në ekzekutimin e jeniçerëve shqiptarë, Nezim Frakulla  u kthye në Berat. Nga Stambolli nuk kishte sjellë asgjë përveça rrobeve të trupit.

Meqë nuk kishte kushte elementare për ekzistencë  që u detyrua të shërbente si njëlloj administratori  te një beg i qytetit. Gjatë kësaj kohe filloi të shkruante poezi në gjuhën shqipe me alfabet arab, sipas frymës së poezisë orientale.

Asokohe, Berati, që ishte një nga qendrat kulturore më në zë të kohës, kishte edhe shumë poetë të tjerë, të cilët në letërsinë tonë quhen “bejtexhinj”, që edhe ashtu so të thotë poetë, por kjo është bërë si shenj dallimi, meqë poezia e tyre kryesisht qe shkruar me alfabet arab, ashtu sikur edhe poezia e letërisë së vjetër shqipe të ishte shkruar me alfabet latin, madje edhe grek.

Nga pak të dhëna, që janë hedhë në dritë për këtë poet social, kuptojnë se ai ishte kundërshtar i paepur i rendit dhe nuk pajtohej me bashkëkohësit as me qeverisjen e tyre.

Rivaliteti i tij  me myftiun e Beratit,  pati pasoja politike për ardhmërinë dhe jetën e tij. Me qëllim për të ikur nga më e keqja, shkoi në Elbasan, kur qëndroi për një kohë. Nuk dihet në çfarë rrethana u dërgua në  Besarabi e Ukraninë, por pas një kohë sërish  kthehet në Berat. Po kështu në mungesë të të dhënave për jetën e tij dihet vetëm se në vitin 1760, në moshën e tij 80-vjeçare, vdiq në një  burg të Stambollit.

Në gjuhën shqipe Nezimi la një divan, një si poemë të gjatë dhe shumë vjersha të shpërndara. Një pjesë e krijimeve të tij kanë kaluar gojë më gojë, dhe me kohë ishin bënë anonime. Duke ndjerë që qëndronte mbi bejtexhinjtë e tjerë, Nezimi e afirmon veten si mjeshtër që i pari krijoi divanin shqip.

Divan kush pat folur në shqip?

Ajan e bëri Nezimi.

Bejan kush e pat folur shqip?

Insan e bëri Nezimi.

Divani i Nezimit duhet të ketë pasur rreth 110 vjersha. Tematika e krijimtarisë së tij është mjaft e  gjerë. Në krahasim me poezinë e atëhershme dhe me modelet orientale, autori solli elemete të reja, që pasqyrojnë edhe jetën e rëndë të njerëzve në Shqipëri. Një pjesë e mirë e vjershave të Nezimit janë gazela, ku i këndohet bukurisë dhe dashurisë. Gjithashtu ato trajtojnë një problematikë morale, flasin për miqësinë, diturinë etj. Në vjershat e Nezimit pasqyrohet botëkuptimi oriental, por hasen edhe ide pozitive. Me nota kritike goditen vese, sulmohen me përbuzje miqtë e rremë, ambiciozët e smirëzinjtë.

Në kushtet e shthurjes së së sistemit feudal, poeti hutohet dhe mbetet i tronditur midis së vjetrës që shembej, dhe së resë që po lindte. Në vjershën “Ankimi mbi gjendjen e kohës„ , Nezimi na krijon përshtypjen e një bote të shqetësuar, të një atmosfere të pasigurt, ku është e vështirë të lidhësh miqësi, ku bëhet një ndeshje ë egër për të dalë në krye e ku njeriu nuk ka vendin që i takon sipas virtyteve të zotësisë. Autori thotë: “… sorra sot nga  bilbil nuk dallohet dot„. Edhe sikur keto motive të jenë të marra nga letërsia orientale, ato, kanë një lidhje të ngushtë me realitetin e kohës në Shqipëri.

Jeta boshe dhe parazite e bejlerëve dhe e të pasurve pasqyrohet në vjershën “Teferiçi në Belçë„. Nëpërmjet përshkrimit të një pikniku në fshatin Belçë, poeti tregon për qejfet dhe tekat e feudalëve dhe pasanikëve, për shpenzimet pa kufi, për të mirat e pasuritë që i kanë grumbulluar në kurriz të popullit. Me interes është edhe një vjershë që Nezimi e shkroi kur po niseshin për në Stamboll disa shokë të tij. Në të gjejmë dashurinë për atdheun dhe brengën e dhembjen e një mërgimtari për vendin e lindjes:

O shokë, mos na harroni,

se vemi në dhè të huaj,

një selam të na dërgoni,

qoftë në tre-katër muaj.

Do t’ju jap një amanet,

kur të shihni fush`e male,

të faleni me shëndet

prej meje më shumë halle.

Në mjaft vjersha Nezimi i këndon natyrës, e cila jepet plot jetë e lëvizje. Poeti magjepset nga bukuria e saj. Në mënyrë të veçantë ai i këndon pranverës, duke na dhënë skena të gjalla e plot hijeshi. Dy këngë për “Beharin„ janë nga poezitë e tij më të bukura të tij.

A s’e shihni ju në dynja

Manushaqenë,

nëpër male, nëpër sahara

çeli faqenë?

u lulëzua

U zbukurua dynjaja.

Jeta në shenllëk u mbulua,

gëzojnë fukaraja.

Nezimi ka shkruar edhe vjersha mistiko-fetare ose vjersha kushtuar ndonjë fushate ushtarake e ndonjë sundimtari. Pra, jo vetëm tematika e krijimeve të tij është e larmishme, por edhe bota e ndjenjave. Gjejmë në to nota lirike, por edhe tone zemërimi e ironie; krahas ndjenjës së ngazëllimit, gjer edhe ndjenja dëshpërimi, që e kanë burimin edhe te realiteti i kohës, por edhe te brengat e shqetësimet që e shoqëruan tërë jetën.

Krijimtaria e Nezimit e zgjeroi rrethin tematik të poezisë së kohës. Edhe pse nuk u shkëput nga modelet orientale e nga motive të njohura të tyre, si bilbili, trëndafili etj., në vjershat e tij ka edhe elemente dhe figura që burojnë nga realiteti shqiptar. Gjuha e rënduar nga fjalët e huaja e dëmton vlerën e poezisë, edhe kur në të ka figura e mjete shprehëse mjaft të goditura.

Nezim Frakulla ishte poet me frymëzim e talent. Vepra e tij la gjurmë të thella në krijimtarinë e poetëve të tjerë, që shkruan me alfabet arab, por duke qenë e tillë, e shkruar në një gjuhë, e cila konsideroj si gjuhë e pushtuesit turk, kjo pjesë e lertërisë shqiptare asnjëherë nuk u trajtua meritorisht nga autorët e letërisisë sonë kombëtare. Duke qenë e përjashtuar padrejtësisht, ajo u la në harresë dhe tashmë as interesohet kush për të, edhe pse ishte pikërisht kjo trashëgimi që nxori në sipërfaqe Naim Frashërin, të parin e poezisë shqiptare të kohës së Rilindjes, bilbilit të gjuhës shqipe. (Vikipedia, Radio-Kosova e Lirë)

Kontrolloni gjithashtu

Lasgush Poradeci (1899 - 1987), poet, shkrimtar dhe përkthyes i talentuar

Lasgush Poradeci (1899 – 1987), poet, shkrimtar dhe përkthyes i talentuar

Llazar Gusho u lind në Pogradec, më 27 dhjetor të vitit 1899. Ka vdekur në …