Dëshmori Nezir Elezaj, biografinë e vet e shkroi me heroizmin e treguar në luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës, ku la jetën e ëmbël rinore, familjen, vendlindjen, shokët, farefisin, për t’i dalur përballë armikut.
Nezir Elezaj u lind në fshatin Morinë të Rekës së Keqe, komuna e Gjakovës. Prindërit Halim e Timë Elezaj kishin pesë fëmijë: dy djem e tri vajza. Neziri ishte fëmija i tyre më i ri.
Neziri rrjedh nga një familje me traditë patriotike, bujare dhe arsimdashëse. Vëllai i gjyshit të tij, Imeri, mori pjesë në luftën 12-ditore, që bëri Morina për t’i penguar forcat malazeze, të cilat, nën komandën e gjeneralit famëkeq Veshoviq, synonin kalimin nëpër vijën strategjike: Qafa e Morinës-Tropojë-Lugdrin-Vau i Dejës, e prej andej të pushtonin Shkodrën dhe Shqipërinë veriore. Imer Elezaj, së bashku me Sadri Bajraktarin e Morinës luftuan rreth tre muaj rresht kundër forcave serbo-malazeze, me rastin e rrethimit të Shkodrës, duke qëndruar heroikisht brenda saj. Ai po ashtu kishte marrë pjesë edhe në tubimin historik te Verrat e Llukës dhe në Kuvendin e Junikut, për shkak se fjala e tij e ëmbël, për pajtim e bashkim, kishte një peshë të madhe ndikimi.
Shkollën fillore Neziri e kreu në Ponoshec, ndërsa shkollën e mesme ekonomike – degën juridike e kreu në shkollën “Kadri Kusari” në Gjakovë.
Kontaktet e para me pjesëtarët e UÇK-së i bëri më 1997, kur vendlindja e tij ishte nyje e rëndësishme e strategjisë ushtarake dhe banort e saj pritnin e përcillnin luftëtarët e lirisë për andej e këtej kufirit të mallkuar që ndante njerëzit e një kombi, gjaku e gjuhe.
Në radhët e UÇK-së Neziri u kyç në prill të vitit 1998, në Shtabin lokal të UÇK-së në Morinë. Ai luftoi në pozicione të Rekës së Keqe e deri në Gllogjan të komunës së Deçanit. Duke qenë njohës i mirë i terrenit, Neziri shpesh kaloi në Malësi të Tropojës, për të marrë armatim, apo në përcjellje të rekrutëve që vinin nga zona të ndryshme të Kosovës.Dëshmori Nezir Elezaj bëri stërvitje ushtarake në Morinë, Smolicë, Gllogjan dhe në Tropojë.
Përballja e parë frontale e Nezirit me forcat pushtuese serbe ndodhi më 27 prill 1998. Njësitet e UÇK-së, patën bllokuar forcat serbe në karaullën e Qafë – Morinës, si dhe ndërprenë lidhjen e tyre me kazermën e Gjakovës.
Më 3 maj 1998 forcat serbe u sulmuan në Ponoshec, në të cilin sulm mori pjesë edhe njësiti i Morinës. Tri ditë më vonë, ky njësit vrau disa ushtarë serbë te Pishat e Morinës. Ndërkaq, kah mesi i muajit maj, vrau edhe tre policë serbë në Majë të Pllanikut. Me këto sulme UÇK-ja kishte për qëllim hapjen e korridorit për furnizimin me armatim nga territory i Shqipërisë administrative. Mirëpo edhe forcat serbe luftonin për rihapjen e këtij korridori, tashmë të zënë për furnizimin me armatim e ushqim për në karaullën në Qafë të Morinës, tashmë të bllokuar. Bllokimi i korridorit nga ana e njësitit të UÇK-së në Morinë i detyroi forcat serbe të furnizohen me helikopter deri në karakollin e tyre. Të pasusksesshme ishin përpjekjet e tyre më 9, 11, 14, 29, e 30 maj për asgjësimin e Njësitit të UÇK-s në Morinë. Beteja më e rëndësishme për Njësitin e Morinës ishte 29 maji dhe ai i Brovinës, ku ra Halit Asllani (Mic Sokoli i Rekës së Keqe). Mirëpo rënia e Brovinës, Molliqit e Batushës, mundësoi rrethimin e Morinës, e cila u granatua nga të gjitha anët. Në luftimet e 26 qershorit u plagosën Nezir Elezaj, Bekim Demiri, Gëzim Pulatani, Xhafer, Blerim e Arben Ukshini dhe Milot Konjufca. Megjithatë armikut iu pamundësua bartja tokësore e ushqimit, armatimit dhe e mjeteve të tjera për luftë. Katër ditë më pas, armiku ia mësyn sërish Morinës, në të cilin sulm, më 2 korrik plagosen për të dytën here Nezir Elezaj, Milot Konjufca, Arben e Xhafer Ukshini. Të plagosurve u jipet ndihma mjekësore në ambulancën ushtarake në Dobrosh nga mjekët Haxhi Kamberi, Afrim Sylejmani dhe Bedri Beqa (më vonë i zhdukur në Meje).
Beteja e 7 korrikut 1998 në Morinë, ku Njësiti i UÇK-së në Morinë, nën komandën e eprorit Sadri Avdyli, ishte rrethuar në të gjitha anët nga forcat serbe. Luftimet zgjatën nga ora 3 e mëngjesit, deri në orën 15. Në këtë betejë forcat serbe pësuan humbje të mëdha, me mbi 60 të vrarë. Mirëpo edhe luftëtarët e lirisë: Nezir Elezaj, Arben e Blerim Ukshini, Sylejman Avdyli, Ymer Bytyçi nga Nishori i Therandës dhe Ahmet Pulatani, si dhe lokja Timë, e cila nuk i ishte ndarë njësitit, ranë në fushën e nderit. Trupat e këtyre të rënëve, pas luftës u gjetën në varrezat e Gjakovës.
Megjithëkëtë lufta e Rekës së Keqe dhe e Morinës vazhdoi në Koshare, derisa u thye një herë e përgjithmonë kufiri famëkeq ndërshqiptar.
Pas luftës, më 28.8.1999, trupi i Nezirit dhe bashkëluftëtarëve të tij dëshmorë, u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Çabrat të Gjakovës.
Në vendin e rënies atij i është zbuluar pllaka përkujtimore dhe i është ngritur lapidari në fshatin e lindjes. Familja e Nezir Elezajt ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga Shoqatat e dala nga lufta.
Një rruge në Gjakovë i është vënë emri “Dëshmorët e Morinës”, në radhët e të cilëve bën pjesë edhe dëshmori Nezir Elezaj. (Z. Gj.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …