leoni

Nezir Kraki: Nuk është e thënë që përgjithmonë të mbesim pa u bashkuar në një shtet

Nuk është e thënë se duhet me çdo çmim të mbesim Kosovë, edhe pse kemi paguar çdo çmim që të jemi Kosovë. Vij në këtë përfundim, sepse invadimi politik dhe juridik i shtetit të Kosovës e vërteton faktin se tash e tutje opsione të reja duhet të ngjizen, sepse nuk mund ta pranojmë që të jemi edhe për një shekull popull i nëpërkëmbur i trojeve të rrezikshme ballkanike. Nuk guxojmë as ta presim luftën e tretë botërore me shpresën se mos ridefinohet fati ynë në favorin tonë, derisa sot me duart tona i zhbëjmë përpjekjet e gjeneratave dhe historinë në të cilën u futem me shumë zor.

Pse atëherë të jemi Kosovë kur Kosovës me gjasë do t’i mbetet veç emri?! Të ndihemi pakicë dhe të rëndësisë së dytë në vendin tonë?! Të varemi nga 10 deputetë serbë në Kuvend për çdo ligj të rëndësishëm, e këta 10 serbë të jenë zot në Prishtinë e zot në Mitrovicë, derisa ne s’do guxojmë as të dukemi në asamblenë e tyre monoetnike?! Të tjetërsohemi për t’u pranuar nga disa, të bindur se ashtu siç ishim, në fakt kurrë s’kemi qenë dhe, kështu siç jemi s’mund të rrimë më?! Të shndërrohemi vullnetarisht në monedhë kusuri për pazare që ende s’i kuptojmë duke na u bërë e ditur se jemi pengesa e fundit e integrimit të Serbisë në BE, derisa do të duhej të ishte e kundërta?! Të mbesim në pritje të hapjes së kufirit për disa hallexhinj që do të dalin pa viza dhe do të kthehen prapë në vendin pa shtet ?! Të gjitha këto duhet t’i bëjmë vetëm që ta gënjejmë veten se e kemi Kosovën që e kemi ëndërruar… JO !

 

Pse atëherë të jemi Kosovë

 

Të jetojmë me serbë brenda e me shqiptarë jashtë ?! T’i fuqizojmë dhe t’i privilegjojmë agresorët historikë në dëm të viktimave shekullore?! Të ecim me frikë dhe kokulur nëpër tokën e Kosovës, aty ku jetojnë serbë, sepse do të vazhdojnë të ndihen të plotfuqishëm ?! Të jemi Kosovarë ne e Serbë ata, multietnikë ne, e të spastruar nga shqiptarët ata?! Dhe si popull, të mbesim, siç na patën lënë dhe siç ende kanë dëshirë të jemi, prezentë në pesë shtete, por të padukshëm në të pestat, d.m.th. të padukshëm në Ballkan. Pse atëherë duhet të kapemi për konturat fantazmë të një shteti që realisht nuk do jetë dhe i cili çdo ditë na bëhet edhe më i huaj ?! Këtë Kosovë mund ta kishim negociuar ndoshta edhe me Millosheviqin, se edhe ai prezencë serbe dhe serbizim të Kosovës ka dashur, asgjë më shumë. Po si mund të humbet lufta 16 vjet pas përfundimit të saj?! Lufta që nisi me plumb dhe u fitua me raketë, të humbet me laps në Bruksel ?! A i ka ndodhur kjo ndonjë populli në historinë e re, apo më kanë ikur mua disa episode të njerëzimit ?! Pse atëherë të jemi Kosovë kur Kosova për të cilën u vramë, u dhunuam e u dogjëm nuk do të ekzistojë, përveç në kokën e atyre që pushteti i verbon dhe paraja pa djersë i qetëson ?!

A nuk mendoni se ka ardhur koha që të mendojmë si shqiptarë, të kërkojmë si shqiptarë, të kërcënojmë madje si shqiptarë dhe të integrohemi si shqiptarë, nëse integrim do ketë një ditë? Ndryshe nuk do të dëgjohemi nga askush, sepse nuk peshojmë as për mirë e as për keq. Unë, p.sh., nuk mund të pranoj të jem kosovar pa Kosovë, se nëse mbes pa Kosovë, atëherë dua të jem shqiptar me Shqipëri. As Shqipëri e as Kosovë, kjo s’mund të jetë zgjidhje për ne. Nëse Kosova nuk do të jetë, atëherë mund të jetë Shqipëria. Dhe pikërisht kjo do duhej të ishte karta që nxirret në çdo tryezë bisedimesh, në çdo bisedë me aleatët tanë dhe në çdo rast ku flitet për fatin tonë. Përndryshe, nuk mund të ketë Ballkan të qetë, as Ballkan normal pa Kosovë normale dhe shqiptarë të rehatuar.

Dy popuj jemi këtu në Ballkanin e vonuar, ne dhe serbët. Serbët u rehatuan, e kanë një shtet bosht që çdo ditë fuqizohet, një republikë në Bosnjë dhe një krahinë në Kosovë tashmë. Populli serb e zgjodhi problemin dhe nesër kur do të krisin pushkët në Ballkan, të tria këto entitete do të bëhen një dhe prapë fuqitë e mëdha do ta favorizojnë të fortin. Ndërsa populli shqiptar ku po mbetet ? I shpërndarë në 4 shtete jashtë Shqipërisë dhe pa guxuar as të deklarohet si i tillë. Në Maqedoni, heshturazi po zhduket ndjenja e përkatësisë etnike në favor të përkatësisë fetare, në Kosovë po zbehet çdo gjë shqiptare në favor të asaj kosovare dhe për hatër të sakrificave që u bënë për këtë vend ishte e kuptueshme, por kjo vlen vetëm për ne, jo për serbët, se ata mbesin serbë. Në Luginën e Preshevës shqiptarët po asgjësohen me metoda sa fashiste, aq edhe të dhunshme derisa në Mal të Zi ka vite tashmë që të menduarit shqip kosiderohet si prapambeturi. Po ne ku do jemi ? Në fund na del që nëse gjërat mbesin kështu, në vitin 2030 vetëm në Shqipëri do të ketë shqiptarë dhe ne të tjerët do të jemi pakicat e shekullit të ri të endur nëpër shtete anormale dhe rrugica të integrimeve që nuk do të na çojnë shumë larg. Ndërkohë, do të jemi nën trysninë e presionit permanent që do të na mbetet mbi kokë, të sabotuar nga brenda dhe të rrethuar nga jashtë, nga armiku i njëjtë, i pandryshueshëm dhe i pamëshirshëm, me dhëmbë edhe më të mprehtë se tash.

 

Prandaj urgjentisht na duhen Shqipëria e fortë dhe Kosova funksionale. Nëse njëra nga këto nuk ndodh, duhet ta përdorim kartën brutale të opsioneve të frikshme për BE-në, por pragmatike për aleatët. Sepse, mos e harroni një gjë: Fuqitë e Mëdha e njohin historinë tonë, prandaj kërkojnë aleanca me popuj në Ballkan, e jo me shtete, ato kanë nevojë vetëm të sigurohen se ky apo ai popull është kompakt në tërësinë e tij dhe i qartë në prioritetet strategjike afatgjata, pavarësisht ku jetojnë pjesëtarë të atij populli. Aleanca me shtete 2 milionëshe nuk do ketë kurrë. (Autori i shkrimit është ligjërues i shkencave politike në Francë dhe Këshilltar i lartë për politikën e jashtme rajonale në Qendrën e Ekselencës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …