Nezir Myrtaj: ANKESË Lidhur me aktgjykimin nr. 69/82 të datës 10.7.1982. IV

Nuk kemi bërë vepër penale të shkatërrimit të vëllazërim-bashkimit e të barazisë së kombeve dhe kombësive

Jugosllavia e re, e krijuar në bazë federative, teoria dha praktika ka treguar, se është një konglomerat artificial kombesh. Një bashkim popujsh vërtet mund të realizohet në baza të shëndosha, por vetëm atëherë kur në atë bashkim ata popuj shohin çlirimin dhe prosperitetin e plotë të tyre, vetëm kur secili është i barabartë në mes të barabartëve. Vetëm në këto kushte në mes të atyre popujve krijohet një vëllazërim-bashkim i vërtetë. Por në Jugosllavi nuk është realizuar një bashkim  i tillë, edhe pse politika e saj propagandon se këtu është arritur një barazi e plotë në mes kombeve dhe kombësive, është kalit vëllazërim-bashkimi etj. Mësimet e marksizëm-leninizmit mësojnë që këto dukuri të një bashkësie shoqërore janë të lidhura në mënyrë dialektike në mes veti dhe nuk mund të ketë kurrë vëllazërim e bashkim të vërtetë pa ekzistencën e vërtetë të barazisë në mes popujve. Pra derisa në Jugosllavi çështja kombëtare, edhe pse trumbetohet se është zgjidhur në mënyrë ideale, në fakt ka mbetur pa u zgjedhur apo është zgjedhur në mënyrë të gabuar-këtë e vërteton çështja e popullit shqiptar.

Bijtë e popullit shqiptar derdhën gjakun e tyre për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare, ata nuk luftuan që të çlirohen nga një pushtues dhe për t’u futur nën një pushtues tjetër. Mirëpo, gjaku i tyre u shkel, çështja kombëtare shqiptare këtu u vu në lojë  dhe në këtë rast forca e mundi drejtësinë. Udhëheqja jugosllave ndërroi fytyrën , organizoi tubimin e përfaqësuesve të popullit për të “vendosë” për fatin e popullit shqiptar të Kosovës. Janë ende të freskëta kujtimet e popullit shqiptar të Kosovës për mbledhjen e Bujanit dhe të Prizrenit. Ka ende të gjallë prej atyre që përjetuan kërcënimet për vdekje në atë mbledhje që u organizua po prej këtyre personave udhëheqës që sot flasin aq shumë për zgjidhjen e “drejtë” të çështjes kombëtare. Pra, në Prizrenin e lashtë nëtë cilin dikur tubohej populli shqiptar për të mbrojtur autonominë e vet kombëtare, pas derdhjes së një lumi gjaku kundër okupatorit, udhëheqja jugosllave organizoi tubimin e “popullit” ku u vendos fati jonë, dhe mu këtu zunë fill edhe vuajtjet që po i heqim sot. Kështu, për ata që e bënë këtë, për aktorët e kësaj tragjedie, historia nuk është dashur dhe preferojnë që të harrohet ajo, që të mos “vajtohet”; mirëpo për ne shqiptarët ato ditë janë të hidhura dhe nuk e vajtojmë historinë por na vajton ajo. Populli shqiptar i Kosovës asnjëherë nuk vendosi për fatin e vet, atij iu mohua e drejta themelore kombëtare e vetëvendosjes deri në shkëputje.

Dhe, për aktorët e politikës “vetëqeverisëse” jugosllave është fat i keq ekzistenca e Leninit të madh i cili tërë jetën e vet ia kushtoi çlirimit të popujve, vetëvendosjes së tyre. Ishte çështje e popullit shqiptar se do të mbetet në federatën Jugosllave apo jo, e jo çështje e udhëheqjes, prandaj edhe sot nuk jemi ne që e shkatërrojmë vëllazërim-bashkimin, por vëllazërim-bashkimi i kalitur në zjarrin e Luftës së Dytë Botërore fillin e shkatërrimit e ka që në momentin e mohimit të së drejtës së popullit shqiptar për vetëvendosje. Ingranazhi propagandues jugosllav trumbeton me të madhe gjoja pozitën e barabartë të popullit shqiptar me popujt tjerë në Jugosllavi, bile shkojnë aq larg sa thonë që fati i shqiptarëve u zgjidh në këtë Jugosllavi. Me të madhe flitet sikur ne kemi arritur zhvillim të gjithanshëm ekonomik, kultural, arsimor etj. Flitet edhe për liritë dhe të drejtat që gëzon populli shqiptar në Jugosllavi. Mirëpo, ne e dimë se çfarë lirish e të drejtash kemi: ne jemi të lirë të vuajmë, jemi të lirë të flasim gjuhët sllave, jemi të lirë të marrim emrin e kombit jugosllav, kemi të drejtë të kemi dosjet hetimore të hapura, kemi të drejtë të marrim rrugët e largëta të mërgimit në sy, kemi të drejtë të mos jemi të barabartë me të tjerët. Ndërsa ato që vërtet i kemi arritur, janë rezultat i gjakut dhe djersës sonë, ato nuk na i fali askush. E di populli shqiptar si e fitoi gjoja autonominë e vet, flamurin e vet në Kosovë, si e fitoi Universitetin etj.,etj. të cilët edhe sot po i ekspozohen një sulmi të paparë. Në Jugosllavinë “vetëqeverisëse” vetëm njëzet e kusur vitesh është lejuar të valëvitet flamuri shqiptar në Kosovë, për të cilin bijtë e shqipes sakrifikuan edhe jetën. Se sa është i barabartë populli shqiptar me popujt e tjerë tregon edhe fakti se në republikat jugosllave ku ka edhe shqiptarë, nuk guxon ta ngritë flamurin e vet as në ditët e festës, as në ditët më të gëzuara; administrata nëpër shkolla dhe të gjitha dokumentet nuk guxojnë të plotësohen vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa në Mal të Zi, kanë shkuar aq larg sa e kanë sllavizuar edhe mbiemrin shqiptar, duke ia veshur prapashtesën “viç”!!, e në Maqedoni atë “ski”?!.

Pa barazi ekonomike, nuk ka dhe nuk mund të ketë as barazi politike. Vërtet, në dokumentet e ndryshme jugosllave fitohet përshtypja (nga teoria) sikur këtu është realizuar një barazi kombëtare, mirëpo barazinë në mes kombeve dhe vëllazërim-bashkimi nuk mund të arrihen me anë paragrafësh sado përparimtarë që të jenë ( “më i mirë një aksion se një dyzinë paragrafësh”). Prandaj, në mënyrë artificiale, jo udhëheqja, po as Lenini nuk do të  mund ta zgjidhte çështjen kombëtare të një populli. Në këtë çështje jugosllavët dhe Partia Komuniste Jugosllave nuk filluan nga pozita të vërteta marksiste-leniniste, por nga ato oportuniste trockiste. Në këtë rast nuk u përfill vërejtja e Leninit, se kushti i domosdoshëm për shpëtimin e familjes dhe zhvillimin e saj, në rastin kur bashkëshortët nuk kanë marrëdhënie të shëndosha në mes tyre, është ndarja e tyre. Prandaj, një vëllazërim e bashkim i vërtetë mund të realizohet vetëm atëherë kur këtë e bëjnë vetë popujt në bazë të vetëvendosjes. Përndryshe, ndarja e tyre në këtë bazë, në mënyrë që vërtet të zhvillohen marrëdhënie të mira në mes popujve është shpëtimi i tyre.

Ne, anëtarët e “GMLK”,  kemi respektuar dhe respektojmë dinjitetin kombëtar të çdo populli, dëshirojmë një unitet në mes tyre, një vëllazërim të popujve në baza reale e të shëndosha dhe jemi optimistë se një gjë e tillë do të arrihet kur çdo popull do të realizojë të drejtën e vetëvendosjes. Ne nuk shkaktuam siç na akuzuan prishjen e marrëdhënieve ndër njerëzore e të vëllazërim-bashkimit. Ky epitet  na u vesh, këtë e shkaktuan të tjerët. Në propagandën tonë të drejtë kemi theksuar mirë kërkesat tona duke mos rënë asnjëherë në pozita të majta apo të djathta. Nuk biem në gabime, jo pse të ruhemi nga ju, por pse jemi marksistë-leninistë dhe gjykojmë nga pozitat marksiste-leniniste. Akuza që na është ngarkuar gjoja për prishjen e vëllazërim-bashkimit, konsideroj që është krejt e pabazë dhe nuk ekziston asnjë provë materiale që kishte për t’i vënë bazë kësaj akuze. Konsideroj se traktet e pamfletet që kemi shpërndarë kanë qenë me vend; ato kanë thënë të vërtetën dhe faktet tregojnë se fjala e tyre është e drejtë. Nëse ne në propagandën tonë kemi përkujtuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe kemi thënë të vërtetën pse ajo po kremtohej në dy pjesë të një populli të ndarë, nuk kemi bërë krim dhe as nuk kemi thënë gënjeshtër. Ne asgjë më tepër nuk kërkuam nga ato që kërkoi populli shqiptar –të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, pa cenuar interesat e popujve joshqiptarë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …