leoni

Nezir Myrtaj: ANKESË Lidhur me aktgjykimin nr. 69/82 të datës 10.7.1982. VI

Gjithë propaganda e sotme gjoja për shpërnguljet dhe akuzat që po na bëhen për “presionet” kanë arsyen dhe logjikën e vet:

Pikërisht një propagandë e tillë, siç na mëson historia jo e largët, bëhej në kohën e kolonizimit të Kosovës. Dhe tash udhëheqja jugosllave nuk e ka të zorshme të akuzojë popullin shqiptar për forma të presioneve, sepse ato forma i kishte zbatuar borgjezia jugosllave për ta detyruar atë të shpërngulet jashtë tokave të veta. Prandaj sikur dikur, reforma agrare që ishte justifikim i kolonizimit të Kosovës, sot kolonizimi i ii po synohet të arrihet duke dënuar shpërnguljet e duke u përpjekur me mish e shpirt për t’i kthyer të gjithë ata që për kushte më të mira jetese kanë shkuar nga Kosova. Shumë nga familjet e pasura serbe e malazeze, përveç shtëpive në Kosovë kanë shtëpi të dyta apo banesa shoqërore jashtë Kosove. Mjafton që të pranojë ai që është shpërngulur edhe para 10-20 vjetësh për t’u kthyer nga Kosovë e sa për pronë banesë e punë nuk ka problem, ato i zgjidh, apo janë të zgjidhura që më parë nga shteti jugosllav sikur dikur Jugosllavia krajliste-kjo është përpjekje e hapët për kolonizim të ri në Kosovë-ky qëllim nuk fshihet dot.

Për të diskredituar kërkesat e drejta të popullit shqiptar në Kosovë, kërkesat e tij për Republikën e Kosovës, ata që po ia mohojnë këtë të drejtë kanë lansuar parullën artificiale për “Kosovën e pastër etnike”, duke ua veshur atë “nacionalistëve” dhe “irredentistëve” shqiptarë. Prandaj, për ta justifikuar trillimin e tyre dhe për t’ia “mbushur mendjen ndokujt”se vërtet shqiptarët po e dëshirojnë një Kosovë të pastër etnike, unitaristët jugosllavë dhe shovinistët që e lansuan atë popull, sot po flasin për presion të paqenë. Populli shqiptar asnjëherë nuk u mundua ta dëbojë me dhunë nga trojet e veta asnjë popull dhe për këtë krenohemi, por përkundrazi ai u dëbua nga të tjerët;me dhjetëra mijëra shqiptarë të ardhur nga viset e Serbisë jugore kanë zënë vend në Kosovë, po kaq edhe nga Mali i Zi; në Maqedoni jo vetëm që janë bërë presione për shpërngulje  ndaj shqiptarëve, por vendbanimet e tyre janë populluar me dofarë “egejcash” të mbledhur në vende të ndryshme ku ishin e ku nuk ishin-kjo është kërkesë dhe përpjekje për të krijuar territore të pastra etnike-këtë politikë vetëm shovinistët e pëlqejnë dhe e zbatojnë.

Për të justifikuar arsyen e demonstruesve shqiptarë, dhunën, masakrat, ndjekjet, fushatën antishqiptare, ata që sot janë në krye të pushtetit, pa të drejtë morale flasin për presionet që populli shqiptar po uashkaktoka të tjerëve-ky nuk është nder: Duke qenë në krizë të thellë ekonomike e politike, e ngopur nga një anarkizëm i gjithanshëm, Jugosllavia e sotme po vuan për njerëzit udhëheqës që do ta nxirrnin atë nga kjo gjendje. Udhëheqja e saj ka humbur çdo durim dhe gjakftohtësi për zgjidhjen e problemeve që po e rëndojnë. Problemi i popullit shqiptar të Kosovës nuk mund të zgjidhet nga zinxhirët e tankeve e tytat e automatikëve, nga sharjet, shpifjet e trillimet. Ai zgjidhet vetëm nëse me gjakftohtësi shqyrtohet gjendja reale dhe kërkesat e popullit shqiptar. Ju që sot na akuzoni për presione është mirë t’ia vëni gishtin kokës dhe të mendoni se cilët janë ata që vërtet bëjnë presione. Jemi ne “nacionalistët” e “irredentistët” shqiptarë, ne që kërkojmë të drejtat tona, ne që jetën po e kalojmë në burgje të errëta, apo jeni ju që keni forcën, ju që na vratë, ju që na i rrethoni shtëpitë, ju që i mbushët llogoret e huaja me rininë shqiptare, ju që na i mohoni kërkesat tona. Koha do ta vërtetojë në anën e kujt është e drejta.

Diferencimi i ashtuquajtur ideopolitik-fushatë antishqiptare

Një fushatë e egër antishqiptare ka kohë që po bën kërdinë në Kosovë. As punëtori, as fshatari, as nxënësi, as studenti, as intelektuali, as shkencëtari nuk është i sigurt për të nesërmen. Fushata kundër një populli të pambrojtur po maskohet nga i ashtuquajturi diferencim ideopolitik. Të pakënaqur nga burgosjet e shumta në Kosovë dhe me qëllim të diskreditimit të çdo shqiptari të ndershëm, për të përligjur  aksionet e tyre, apologjetët jugosllavë hartuan planin për diferencimin në Kosovë dhe ky diferencim sa vjen po shtohet e thellohet edhe më tepër. Pas demonstratave në Kosovë, para se të përfundojnë ato, në institucione e ndërmarrje nëpr qytete e fshatra, eksponentët e ndryshëm, të dirigjuar nga lart nxituan të organizojnë tubime për dënimin e kërkesave të demonstruesve, ata dëshironin që njerëzit ta dënonin vetveten!! Të pakënaqur nga rezultatet e këtyre takimeve, u vendos që ata të vazhdojnë dhe ka një vit e gjysmë e më shumë qëkur njerëzit e pafajshëm po torturohen, po qitën në sitë e në shoshë, po detyrohen të deklarohen kundër vullnetit të tyre në këto tubime. Ata të cilët para pyetjeve provokative e nënshkrimeve të materialeve kundërshtojnë, sot po kualifikohen si oportunistë.

Sado që aksioni diferencues në Kosovë, nga ata që po e organizojnë dhe shërbëtorët e tyre, të mbulohet nga një demagogji e hollë, qëllimi i tij i vërtetë nuk mbulohet dot. Me këtë aksion po synohet që në popullin shqiptar të shkaktohet ndasi, të futet në kontradiktë, të bëhen vëllavrasje. Kur flitet për të arriturat e popullit të Kosovës në Jugosllavinë “vetëqeverisëse”, në qarqet politike po propagandohet me të madhe gjoja për të arriturat kulturore e arsimore. Bile edhe shembulli e zgjidhjes së “drejtë” të çështjes kombëtare në Jugosllavi po shpjegohet, duke përmendur arritjet arsimore e kulturore të Kosovës. Por “fshati që shihet, nuk do kallauz”. Qëllimi kryesor i diferencimit ideopolitik që po bëhet në Kosovë, është sakatosja e inteligjencies shqiptare dhe që ky sakatim të jetë sa më i madh, udhëheqja jugosllave, diferencimin e tillë e ka shpallur proces dhe aksion afatgjatë. Ju që përmendni aq shumë Universitetin e Kosovës për t’u treguar të tjerëve që e kanë shqiptarët, sot po e quani vatër nacionalizmi, aty po zhvillohet beteja kryesore kundër “oportunizmit”, e “indoktrinimit” të rinisë studentore. Vetëm inteligjencia shqiptare sot e di se sa e vrazhdë është shtypja e popullit të tij, dhe ata që nuk mund ta përmbajnë veten po bien viktimë e fushatës. Lufta për të angazhuar një numër sa më të madh intelektualësh në “demaskimin” e “nacionalizmit” dhe “Irredentizmit” shqiptar është e madhe. Dhe ata që nuk po pranojnë të bëhen vegël e politikës së ndyrë, po cilësohen si nacionalistë, oportunistë, dezertorë etj., etj. Megjithatë shkenca nuk shtrembërohet dhe inteligjencia shqiptare është revolucionare. Dhe tash kur “bukla” ka hyrë në Universitetin e Kosovës, studentët po fillojnë vitin e ri shkollor, të cilët nuk e kanë të lehtë të shohin katedrat e zbrazta. Vetëm vazhdoni kështu, se mirë e keni!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …