Nezir Myrtaj: Brezi që mbajti ndezur flakadanin e lirisë

Nezir Myrtaj: Brezi që mbajti ndezur flakadanin e lirisë

(Recension për librin “Në rrugë drejt lirisë”, Agim Sylejmani, Prishtinë, 2016 )

Është e njohur thënia se rruga e revolucionit dhe përgjithësisht rruga që çon te liria nuk është e shtruar me lule, por është rrugë e vuajtjeve të shumta dhe e sakrificave të mëdha. Pikërisht këtë fakt e konfirmon edhe rruga e veprimtarisë atdhetare e veprimtarit të përkushtuar e të palodhshëm të çështjes sonë kombëtare, Mehmet Hajrizi, i cili është subjekt i intervistës së përmbledhur në librin “Në rrugë drejt lirisë” të autorit Agim Sylejmani.

Fati historik i popullit shqiptar dhe i Kosovës në veçanti, kishte kushtëzuar që breza të njëpasnjëshëm të shqiptarëve ta investonin angazhimin, sakrificën dhe jetën e tyre në dobi të mbrojtjes së interesit të atdheut të tyre të ndarë e të kombit të tyre të robëruar. Shumë breza atdhetarësh, veprimtarë të devotshëm kishin mbyllur jetën me pengun e misionit të tyre të papërfunduar. Brezat shekullorë të veprimtarëve të popullit tonë kishin ikur nga kjo botë me ndjenjë të çliruar se kishin vënë një gur në themelet e lirisë dhe të bashkimit kombëtar, të cilat do t’i gëzonin brezat e ardhshëm. Por, brezi i veprimtarëve të lëvizjes kombëtare në Kosovë, i cili përjetoi çlirimin e Kosovës nga kthetrat e mprehta të pushtuesit serb konsiderohet fatlum, për faktin se arriti të shohë të kurorëzuar një pjesë të rëndësishme të ëndrrës së tij. Pa dyshim, brezi më fatlum do të jetë ai i cili do ta presë ditën e madhe të realizimit të idealit shqiptar-bashkimin kombëtar, që referuar asaj thënies angleze të cituar në libër, do ta bëjnë duart e gjeneratave tona.

Mehmet Hajrizi dhe plejada e bashkëveprimtarëve të tij, të cilët me shumë mund, peripeci dhe rreziqe, por me vendosmëri e guxim mbajtën të ndezur flakadanin e lirisë, në periudhën më delikate të lëvizjes sonë kombëtare në Kosovë, përjetuan satisfaksionin e madh për faktin se ky flakadan i ndezur u bart i sigurt deri te duart e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila lirinë e Kosovës e nxori nga gryka e pushkës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëri realitet dhe konfirmoi përmbajtjen e drejtë të predikimeve teorike dhe veprimeve praktike të organizatës së lëvizjes atdhetare me kontinuitetin e emërtimit nga Grupi Revolucionar i Kosovës, te Grupi Marksist-Leninist i Kosovës, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës e deri te Fronti për Republikën e Kosovës. Në intervistën e botuar në librin “Në rrugë drejt lirisë”, protagonisti i saj dhe i epokës së kësaj lëvizjeje kombëtare, Mehmet Hajrizi, shpjegimin mjaft të hollësishëm të veprimtarisë së organizatës e ka shoqëruar me dëshmi të shumta faktografike. Ato lidhen me parimet e edukimit revolucionar të një organizimi të mirëfilltë dhe të sigurt të veprimit të fshehtë, duke përfshirë edhe materiale të shumta të publikuara e të shpërndara në atë kohë, siç janë traktet, broshurat për nevojat e brendshme të organizatës, organet e shtypit “Zëri i Kosovës”, “Pararoja” dhe “Liria” e deri te botimet e veçanta me krijime letrare e artistike, si përmbledhja me poezi, “Këngët e lirisë” etj. Shihet qartë se shtypin ilegal të periudhës së viteve ’70 të shekullit njëzet, e përshkon si fill i kuq vendosmëria e organizatës për ta vazhduar deri në fitore veprimtarinë e nisur dhe bindja e saj e paluhatshme në drejtësinë e kauzës, e cila domosdoshmërisht do të triumfonte një ditë. Karakterin e drejtë të kësaj kauze po e sanksiononte me saktësinë e ligjit të natyrës fakti historik se liria e vendeve të robëruara dhe dekolonizimi i popujve të shtypur bëhen të pashmangshme, kur ato shtrohen për zgjidhje. Për zgjidhje tashmë ishte shtruar edhe çështja e Kosovës, për të cilën asnjëherë nuk kishte pushuar veprimi i organizuar çlirimtar, që nga rianeksimi i kësaj krahine shqiptare nga Jugosllavia titiste.

Në librin “Në rrugë drejt lirisë”, intervistuesi Agim Sylejmani, me një mjeshtëri të rrallë ka përzgjedhur dhe ka shtruar për shtjellim nga personazhi i intervistës, çështje që kanë të bëjnë me esencën e organizimit të fshehtë atdhetar, si forma e domosdoshme e veprimit çlirimtar në rrethanat e pushtimit, si dhe me parimet rigoroze të këtij organizimi, si parakusht i suksesit të tij. Po ashtu, ai ka shtruar për trajtim edhe shumë tema të tjera të rëndësishme jashtë kontekstit të veprimtarisë ilegale, duke arritur, siç është shprehur në parathënie, “ta shkundë” mjaft fuqishëm bashkëbiseduesin Mehmet Hajrizi, i cili me një freski të jashtëzakonshme të memories ka përshkruar ngjarjet dhe zhvillimet e disa dekadave në Kosovë, pjesë e të cilave ishte edhe vetë. Janë veçanërisht me interes përshkrimet dhe shpjegimet që ai ia bën organizimit të lëvizjes së fshehtë kombëtare dhe veprimtarisë së organizatës së vet, duke sjellë episode të freskëta të kësaj veprimtarie të cilat pa dyshim paraqesin një thesar të çmueshëm për historiografinë e lëvizjes kombëtare në Kosovë. Edhe pse në intervistë Mehmeti nuk parapëlqen të jetë në epiqendër të ngjarjeve të përshkruara, sa i përket periudhës së veprimtarisë ilegale, për shumë prej zhvillimeve vetëm ai do të mund të fliste me kompetencën dhe saktësinë e duhur. Kjo, për shkak të rolit specifik që ai kishte në kuadrin e rrugëtimit të lëvizjes. Prandaj, me intervistën e tij ai pothuajse ka rikonstruktuar e ringjallur pjesën më të rëndësishme e më të ndritshme të veprimtarisë në kuadrin e organizimit të lëvizjes ilegale. Ky fakt nuk mund të mos ngjallë sot te bashkëveprimtarët e asaj periudhe, ndjenjën e ligjshme të nostalgjisë për punën dhe idealin e tyre të dikurshëm, ndërsa për gjeneratat e reja paraqet një argument të pakompensueshëm historik i cili ndriçon epokën e lëvizjes ilegale të veprimit kombëtar.

Duke lexuar librin “Në rrugë drejt lirisë” lexuesi do të marrë informacione nga dora e parë, si prej një arkivi të gjallë, për gjendjen e përgjithshme të popullit shqiptar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare nën Jugosllavinë e AVNOJ-it, e parë nën optikën e një veprimtari që shëmbëllen avangardën e panënshtrueshme të një populli të robëruar, por edhe për format dhe mjetet e veprimit revolucionar të cilat i impononte nevoja për të dalë nga gjendja e tillë. Mesazhi historik i këtyre informacioneve identifikon misionin dhe obligimin që secili ka kur bie ora e atdheut, duke injoruar fatin individual dhe sakrificat deri te ato vetëmohuese që imponon kryerja e misionit të tillë. Shembuj të sakrifikimit sublim për idealin e lirisë së Kosovës janë edhe shokët e radhëve të ngushta të vetë Mehmet Hajrizit, siç ishte anëtari i Komitetit Drejtues të OMLK-së, dëshmori Kadri Zeka, i rënë bashkë me dëshmorët Jusuf e Bardhosh Gërvalla; anëtari i celulës dhe i familjes së tij Naser Hajrizi, i rënë përkrah shokut të tij Asllan Pireva; udhëheqësi i Komitetit të Studentëve, dëshmori Rexhep Malaj, i rënë përkrah shokut të tij të idealit, Nuhi Berisha, pastaj rënia e atdhetarëve të tjerë anëtarë të lëvizjes kombëtare, si Bajram Bahtiri, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Ali Ajeti, Zija Shemsiu e deri te Komandanti Legjendar, Adem Jashari dhe vargu i gjatë i dëshmorëve të rënë në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, pa dyshim, ky gjak i derdhur ishte çmimi i lirisë së Kosovës, siç shprehet Mehmeti në intervistën e tij.

Libri “Në rrugë drejt lirisë”, ndonëse libër interviste, në të vërtetë është më shumë se kaq. Ai mund të konsiderohet biografi e lëvizjes së organizuar ilegale në Kosovë, ku autori derdh përvojën personale dhe të organizatës së tij, duke e ilustruar edhe me përvojën e organizimeve paraprijëse dhe të lëvizjeve globale çlirimtare.

Libri mund të konsiderohet vepër historike, ku përshkruhen rrethanat dhe ngjarjet e kontekstit historik nëpër të cilat ka kaluar Kosova në periudhën e pushtimit serb, duke përfshirë edhe historinë e rezistencës së popullit shqiptar kundër këtij pushtimi.

Po ashtu, ai mund të konsiderohet vepër sociofilozofike, ku për trajtimin e një rrethane të caktuar, autori depërton në sentimente sociologjike e filozofike të argumentit. Në këtë kontekst, kam parasysh thellësinë dhe karakterin krijues të mendimit me të cilin janë shpjeguar ngjarjet dhe është nxjerrë konkluzioni. Si ilustrim, është mjaft domethënës vlerësimi që u bëhet dy karaktereve komplementare vepruese të revolucionarëve Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, duke e spikatur dhuntinë e frymës praktike te i pari dhe aftësinë e shkoqitjes teorike te i dyti, e që vetëm si të bashkuara ngrenë në fuqi aftësinë e tyre vepruese. Prandaj, dialektikën e bashkimit të teorisë me praktikën të këtyre dy revolucionarëve, autori e cilëson si simbiozë jo të rastit.

Më në fund, sigurisht nuk do ta teproja sikur librin “Në rrugë drejt lirisë” ta cilësoja edhe si një vepër etiko-shkencore, ku operohet me kategori të caktuara morale që karakterizojnë anët antagoniste të një realiteti për të arritur te një përfundim i drejtë e shkencor. Në këtë kontekst, është etika e veprimit revolucionar deri në vetëmohim e cila bën që dëshmorët e lirisë të konsiderohen pjesë e sistemit të vlerave të një kombi. Në libër janë paraqitur dhe përmendur pothuajse një galeri e tërë e figurave meritore të lëvizjes ilegale në Kosovë, jo vetëm ato të OMLK.  Ndërkaq, duket qartë rezervimi, jo pa qëllim, për të përmendur emra edhe nga tabori i kundërt, ai i pushtuesit serb apo i kolaboracionistëve shqiptarë. Mbase ky veprim është bërë pasi qëllimi i intervistës do të ketë qenë për t’i vënë në pah vlerat etike të lëvizjes atdhetare, e jo vlerat amorale të shërbëtorëve të pushtuesit.

Duke qenë me një përmbajtje të tillë, gjatë leximit të librit “Në rrugë drejt lirisë”, lexuesi nuk e ka ndjenjën se po lexon një intervistë apo bashkëbisedim të zakonshëm, por një vepër të mirëfilltë autoriale, me një përmbajtje dhe rrjedhë të kodifikuar e të ndarë me kapituj tematikë, ku kufiri ndërmjet intervistuesit dhe të intervistuarit shkrihet pothuajse krejtësisht, ku në rastin më të mirë bashkëbisedimi merr trajtën e të ashtuquajturit dialog sokratian. Gjatë këtij leximi, lexuesit do t’i sjellë kënaqësi të vërtetë edhe stili elokuent e figurativ i gjuhës së përdorur, e po ashtu edhe struktura e lehtë e fjalive dhe fondi i shprehjeve metaforike, thënieve, parafrazimeve dhe citateve domethënëse letrare apo filozofike.

Për botime të tilla ka nevojë publicistika jonë, historiografia jonë, gazetaria jonë dhe shkenca jonë.

  1. nëntor 2016, Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …