Është e njohur thënia se dëshmorët e kombit “nuk kanë hierarki dhe ata janë të barabartë në shenjtëri”, prandaj atyre u përket respekti dhe nderimi i përjetshëm. Ata janë burimi i rrezatimit hyjnor që ndriçon idealet atdhetare të të gjithë brezave. Por kur bëhet fjalë për dy dëshmorët emblematikë, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, pa dyshim njeriut i vie keq edhe kur duhet të vendosë për cilin prej tyre të flasë më parë: për Fahriun, apo për Afrimin! Për Afrimin, apo Fahriun! Sepse, ata i kishte bashkuar një ideal dhe nuk i kishte ndarë as vdekja. Mirëpo, në këtë mes sikur ka diçka mistike, diçka hyjnore që ndërlidhet me emrat e këtyre dy engjujve të kombit tonë dhe me inicialet e tyre: Në dy shkronjat e para të emrit të Afrimit, sikur janë të radhitur Afrimi e Fahriu. Kurse në dy shkronjat e para të emrit të Fahriut, sikur janë të radhitur Fahriu e Afrimi. Pra, edhe kjo formë mistike e lidhjes ndërmjet këtyre dëshmorëve, sikur dëshmon se ata ishin mbështetja dhe njëkohësisht pararoja e njëri-tjetrit deri në rënie.
Dëshmori, Fahri Fazliu ishte i lindur më 24 shkurt të vitit 1963, në fshatin Llaushë të Besianës. Aty bën hapat e parë dhe shijon gëzimet e fëmijërisë. Në Llaushë mbaron shkollën fillore. Kur Fahriu arrin moshën për të vazhduar shkollimin e mesëm, prindërit e tij, vendosen me banim në Prishtinë. Këto rrethana i mundësuan atij ta kryejë shkollën e mesme teknike, tash Gjin Gazulli.
Fahriu ishte maturant, kur demonstratat e pranverës së vitit 1981 shpërthejnë si vullkan në tërë Kosovën. Më 1 e 2 Prill të atij viti, edhe nxënësit e shkollës ku mësonte Fahriu, u derdhën si llavë përvëluese në qytet, duke brohoritur kërkesën Kosova-Republikë. Në ballë të demonstruesve, më 2 Prill, bien dy shokë të gjeneratës së Fahriut, Naser Hajrizi e Asllan Pireva.
Këto ngjarje, pa dyshim, kishin lënë mbresa të thella në shpirtin e Fahriut, duke ndikuar te ai me një fuqi të madhe edukuese.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Fahriu regjistron degën e ndërtimtarisë në Fakultetin Teknik të Prishtinës. Mirëpo, siç ishte rregull atëherë, para se të vijonte studimet, në verë të vitit 1981 detyrohet të shkojë në shërbimin ushtarak, në Banjallukë të Bosnjë e Hercegovinës. Një vit më vonë kthehet nga shërbimi ushtarak dhe vazhdon studimet në degën e ndërtimtarisë, në Fakultetin Teknik.
Në vitin 1985, arrin të hyjë në punë në ndërmarrjen hekurudhore, në Obiliq. Si dispeçeri i parë shqiptar i trenave, Fahriu do të bëhet shembull i përpjekjes për t’i dhënë gjuhës shqipe vend meritor zbatimi në këtë segment të komunikacionit. Kjo përpjekje ua vret sytë strukturave të ndërmarrjes, prandaj atë do ta suspendojnë herë pas here nga puna.
Gjysma e dytë e viteve 80 të shekullit të kaluar shënon një etapë shumë të rëndë për Kosovën. Në këtë kohë, tërë makineria policore e propagandistike e Jugosllavisë ishte vërsulur mbi Kosovën. Neofashizmi serb, në krye me neronin Milosheviq, po ngjitej drejt majave me shpejtësi të rrufeshme. Qenia kombëtare e shqiptarëve të Kosovës po vihej para sprovës së luftës për ekzistencë. Këto rrethana kërkonin djem sypatrembur që t’i dilnin në ndihmë kombit. Njëri prej këtyre djemve të brumosur me idealin e lirisë, ishte Fahri Fazliu. Fahriu tashmë e kishte përcaktuar rrugën e vet të përkushtimit, duke u lidhur me një betim e nën një flamur, me shumë shokë të idealit, siç ishin dëshmorët Hasan Ramadani, Ali Ajeti, pastaj militanti i paepur Fadil Vata, Bedri Blakçori e të tjerë.
Ishte koha kur nga burgu i ishte kthyer Kosovës, më i përgatitur e më me përvojë organizimi edhe Afrim Zhitia. Këta bijë vetëmohues të kombit, bashkë me shokë të tjerë, u bënë vertebra e lëvizjes kombëtare të kohës, e cila personifikohej me Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës.
Fillimi i vitit 1989 po paralajmëronte vlime të mëdha në Kosovë. Greva e minatorëve të Trepçës dhe suprimimi i autonomisë së Kosovës, në shkurt dhe mars të atij viti, ishin dy ngjarjet e mëdha, të cilat u shoqëruan me demonstrata e me gjakderdhje të shqiptarëve. Forcë mobilizuese e këtyre demonstratave ishin bërë Afrimi e Fahriu me shokë.
Fahriu e Afrimi do të jenë sërish në ballë të demonstratave, më 31 Tetor dhe më 1 Nëntor të vitit 1989. Afrimi i cili e kishte braktisur shërbimin ushtarak, tashmë përkrah Fahriut ishte ilegal, me emrin Fatmir, ashtu siç e kishte emrin e dytë familjar edhe Fahriu. Sërish një përzierje mistike qeniesh e simbolikash midis Fahriut e Afrimit. Tani ata sikur ishin bërë hija e njëri-tjetrit. Mirëpo, në të vërtetë tani ata po i përcillte pas një hije e tretë e keqe. Ajo mbeti pas dy Fatmirave, vetëm kur ata hynë të çlodheshin në banesën e Fahriut, në hyrjen e tretë të bllokut të tretë të ndërtesave në Bregun e Diellit. Kjo banesë, që prej kohësh ishte shndërruar në bazë ilegalësh, për Afrimin, Fadil Vatajn, Hasan Ramadanin e të tjerë.
Më 2 Nëntor 1989, në këtë banesë, Afrimi e Fahriu po vinin nga betejat dhe vetëm disa orë më pas, nga ajo do të iknin prapë në betejë, në betejën e fundit heroike. Në Bregun e Diellit, Fahriu dhe “Fatmiri” i ilegales shkruan epopenë e qëndresës, duke lënë pas lavdinë.
Afrim Zhitia, u lind në fshatin Llugë të Besianës. Pas përfundimit të shkollës fillore në Lluzhan, në vitin shkollor 1979/80, Afrimi regjistrohet në shkollën e mesme teknike në Prishtinë, që atëherë quhej “19 Nëntori”. Në bangat e kësaj shkolle ai dallohet jo vetëm në mësime, por edhe në interesimin për të ditur sa më shumë për fatin e kombit të tij. Ky interesim i ishte zgjuar qëkur kishte kuptuar për historinë e shpërnguljes me terror, të të parëve të tij, nga trojet e mbetura nën Serbi.
Në vitin pasues shkollor, përveç që do të shkëlqejë si nxënës i klasës së dytë, Afrimi do të ketë edhe një angazhim më shumë. Vrulli rinor i gërshetuar me gufimin e ndjenjave atdhetare, e kishte bashkuar një grup të rinjsh rreth qëllimit të përbashkët: për të ecur rrugës së Adem Demaçit, Fazli Graiçevcit e atdhetarëve të tjerë. Afrimi, Esati, Idrizi, Afërdita, Dëshira e disa bashkëmoshatarë të tyre, tashmë formojnë grupin e fshehtë, që për t’i dhënë konotacion legal, e quajnë grup edukativ.
Në kuadër të kësaj forme të organizimit, Afrimi dhe shokët e tij kultivojnë frymën e unitetit e të bashkëpunimit, sidomos të ndikuar nga literatura e ndaluar dhe shtypi ilegal i kohës. Ky grup, nxori në dorëshkrim edhe një fletore pune, me tregimet, esetë dhe vjershat e anëtarëve të tij, me titullin Liria.
Një ngjarje e madhe, që sprovoi edukimin atdhetar të Afrim Zhitisë, ishin demonstratat e pranverës së vitit 1981. Më 1 e 2 Prill të atij viti, ai ishte ndër demonstruesit këmbëngulës të kërkesës për republikën e Kosovës. Këto demonstrata hapën një kapitull të ri, si për historinë e Kosovës, ashtu edhe për jetën e Afrimit të inkurajuar nga këto ngjarje. Duke e kuptuar rëndësinë e kërkesave që parashtronte situata, ai ngulmon ta thellojë veprimtarinë e vet ilegale, duke hulumtuar mundësinë për kyçje në forma më serioze të organizimit. Prandaj, në fillim të vitit 1982, Fronti Nacionalçlirimtar, do të forcohet edhe me një anëtar të ri, për të cilin hapat që po hedhte në këtë organizatë nuk ishin prova e parë. Ai vazhdoi veprimtarinë e fshehtë në këtë organizatë, pa u zbuluar nga organet e shtetit jugosllav deri në fillim të vitit 1984.
Në vitin 1983, pas përfundimit të shkollës së mesme, Afrimi shkoi në shërbimin ushtarak. Mirëpo, pas disa muajsh, organizata e tij zbulohet dhe shumë shokë të tij arrestohen. Ndërkohë, më 14 shkurt të vitit 1984, edhe ai arrestohet në kazermën ushtarake të Banjallukës. Disa muaj më vonë, dënohet me 8 vjet burg për veprimtari të organizuar në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës. Në gjykatore ai u bë shembull i guximit e i qëndresës. Këto virtyte të shpirtit të tij militant, u dëshmuan në të gjitha momentet dhe situatat, deri në çastin e aktit sublim të flijimit.
Një kapitull i veçantë i jetës dhe i veprës së Afrimit, pa dyshim është burgu. Siç dihet atij iu shqiptua dënimi prej 8 vjetësh, ende pa i mbushur njëzet vjet. Në këtë moshë ai dërgohet në vuajtje të dënimit në burgun famëkeq të Pozharevcit. Atje do të takojë një plejadë të burgosurish politikë shqiptarë, me të cilët, bashkë me bukën do të ndajë edhe vuajtjen. Me qëndrimin e tij dashamirës, solidar, krenar e dinjitoz, Afrimi së shpejti imponon respektin dhe dashurinë e veçantë, te të gjithë shokët e burgut. Madje, ai u bë shembull tipik i militantit atdhetar që din të kultivojë raporte të shëndosha me njerëzit, që din të kalitë miqësinë dhe ta thellojë bashkëpunimin me shokët e idealit. Ai u bë shembull tipik i të burgosurit politik, që me qëndrimin, pamjen dhe pjekurinë e tij, të personifikonte dinjitetin e të burgosurit politik shqiptar dhe kërkesat e tij politike.
Për gati katër vjet të qëndrimit në burgun e Pozharevcit, kishin ndodhur mjaft momente e situata, në të cilat Afrimi jep provat e një personaliteti të kompletuar e me karakter të fortë. Ai ishte i pakompromis kur shtrohej çështja e mbrojtjes së sedrës kombëtare dhe të dinjitetit personal. Ky karaktar i tij u kishte rënë në sy autoriteteve të burgut dhe kjo ishte arsyeja pse ai, gati krejt dënimin do ta vuante në kushte izolimi. Akti i refuzimit të urdhrit të eprorit të burgut për të bërë ritin e nderimit me një minutë heshtjeje, për Titon, në përvjetorin e vdekjes, ishte shembull i mbrojtjes së pikëpamjeve dhe personalitetit të politik të Afrimit.
Pas 4 vjet vuajtjeje, në shkurt të vitit 1988, Afrimi u lirua nga burgu, duke lënë te shokët brenda grilave, dashurinë, mbresat dhe respektin e një njeriu të dashur, besnik dhe të ngritur intelektualisht e fizikisht për sfidat e mëdha nëpër të cilat po kalonte Kosova.
Në Kosovë, së shpejti kishte vënë lidhjet me bashkëveprimtarë të vjetër e të rinj dhe vazhdon veprimtarinë atdhetare, duke i kushtuar një rëndësi të veçantë forcimit dhe konsolidimit të lëvizjes së organizuar kombëtare të kohës. Duhet theksuar se në këtë kohë shovinizmi serbomadh, si prolog i neofashizmit, kishte hyrë në fazën e histerisë antishqiptare. Në këto rrethana, Afrimi, bashkë me shokun e prangave, Fadil Vataj, me Fahri Fazliun e të tjerë u bënë shtyllat intelektuale, organizuese e vepruese të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, bazat e së cilës organizatë i kishin vënë kolosët e mendimit dhe të veprimit militant, Kadri Zeka e Jusuf Gërvalla. Kjo lëvizje u kishte përballuar furtunave të njëpasnjëshme dhe me rënie e ngritje të vazhdueshme kishte çarë rrugën e vështirë të rezistencës sonë kombëtare. Ajo arrin të mbijetojë, pikërisht duke pasur në ballë trima largpamës si Afrim Zhitia me shokë, të cilët iu përgjigjën flakë për flakë çdo veprimi antishqiptar të shovinizmit serb. Ata iu kundërpërgjigjën fushatës së këtij shovinizmi kundër simboleve kombëtare shqiptare, në nëntor të vitit 1988, duke hequr nga vendet publike flamurin e bastarduar shqiptar. Afrimi me shokë u bë strumbullari i organizimit të demonstratave në kohën e grevës së minatorëve të Trepçës dhe të suprimimit të autonomisë që kishte Kosova, në pranverë të vitit 1989. Diskutimi i zjarrtë mobilizues e me patos kombëtar, i Afrimit, u ka ngelur në kujtesë pjesëmarrësve të tubimit të organizuar në këtë kohë në Pallatin e Sporteve.
Afrimi me shokë kishte sfiduar kreun e shovinizmit serbomadh, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, duke denoncuar me anë traktesh, politikën e tij dhe ardhjen e Milosheviqit në Gazimestan, në qershor të vitit 1989.
Afrimi e Fahriu, me shokë, ishin pararojë e demonstratave që trandën Jugosllavinë e atëhershme, të organizuara edhe më 31 Tetor dhe më 1 Nëntor të vitit 1989, kundër politikës antishqiptare të Serbisë. Kjo ishte edhe beteja e fundit e një lufte në vazhdim, e gjatë sa robëria e shqiptarëve nën pushtuesin serb, në të cilën prinin dy fatosa të kombit, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.
Nuk kishte shumë kohë prej që Afrimi e kishte braktisur shërbimin ushtarak në armatën jugosllave, ku ishte ftuar për ta vazhduar pjesën e mbetur, aty ku e kishte lënë pesë vjet më parë. Ai i ishte kthyer Kosovës si ushtar i lirisë. Me të arritur në Kosovë, ai nuk kishte shkuar në shtëpinë e tij, por në bazat ilegale në Prishtinë, ku po e prisnin shokët, Fahriu, Fadili, Hasani, Bedriu… Në atë pikëtakim të muajve Tetor-Nëntor, Afrimi do të shkojë nga baza në bazë e nga aksioni në aksion.
Ai me shokët do të pushojë vetëm pak çaste që po e ndanin 31 Tetorin, i cili ua mori dëshmorin Bedri Sokoli, nga e nesërmja edhe më e bujshme, kur sërish do të jenë në ballë të demonstruesve. Mbrëmjen e 1 Nëntorit, Afrimi e Fahriu prapë ishin tërhequr në bazë për të pritur të mobilizuar ditën dhe ngjarjet e reja. Mirëpo, shërbimi sekret dhe bashkëpunëtorët e tij, tashmë u kishin rënë në gjurmë dhe kishin ndërmarrë të gjitha masat për t’i kapur të gjallë. Plani i sajuar do të hynte në fazën e zbatimit në mesditën e 2 Nëntorit, pasi ishte identifikuar vendi ku ishin vendosur Afrimi e Fahriu, disa orë më parë. Forca të shumta të sigurimit e kishin rrethuar Bregun e Diellit, me pikësynimin te hymja e tretë e bllokut të tretë të ndërtesave të banimit. Mobilizimi i autoblindave dhe helikopterëve dëshmonte se forcat serbe e jugosllave të krimit e kishin shumë të qartë faktin se kush ishin Afrim Zhitia e Fahri Fazliu. Ato ishin të vetëdijshme se kapja e tyre nuk do të ishte e lehtë, madje ajo edhe mund të mos ndodhte fare. Dhe në “Bregun e Diellit”, atë pasdite po fillonte beteja e pabarabartë midis dy luanëve të qëndresës sonë dhe qindra forcave policore të të gjitha njësive të federatës së atëhershme jugosllave. Në qoftë se në mesin e rrethuesve do të ketë pasur edhe ndonjë shqiptar, sot duhet të lutemi që emri i tij, kurrë të mos bëhet i ditur!
Pas disa orë luftimesh, tymi e zjarri, jo duke ikur dhe jo duke rënkuar, por me këngë në gojë, duke luftuar deri në frymën dhe fishekun e fundit, Afrimi dhe Fahriu ranë heroikisht. Atë ditë forcat e një shteti pushtues vranë dy luftëtarë të paepur të lirisë, dy bijë besnikë të Kosovës shumë herë të përgjakur, por fituan tmerrin e përjetshëm nga qëndresa shqiptare.
Me rënien dhe qëndresën heroike, dëshmorët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu dhanë provën më të madhe të sakrificës, provë që mund ta japin vetëm ata që deri në fund u mbeten besnikë idealeve të tyre dhe ata që luftën për liri nuk e shkëmbejnë me asnjë produkt kompromisi. Ata përsëritën në Bregun e Diellit, epopenë e qëndresës, të cilën disa vjet më parë, në Kodrën e Trimave e kishin shkruar me gjakun e kulluar të zemrës, dëshmorët Rexhep Mala e Nuhi Berisha.
Këtë epope të lavdishme, disa vjet më vonë, me gjakun e tyre do ta shkruajnë edhe Komandanti Legjendar Adem Jashari; Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, Agron Rrahmani e Bahri Fazliu, Xhevë Krasniqi e Fehmi Lladrovci, Luan e Shkëlzen Haradinaj dhe mbi dy mijë emblema lirie të UÇK-së.
Kosova pati fatin shpëtimtar që në gjirin e saj të rrisë bijë si Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, për të cilët nuk kishte asgjë më të çmueshme sesa ajo, sesa Shqipëria dhe populli shqiptar. Kosova, Shqipëria dhe populli shqiptar ishin gjaku, limfa dhe kuptimi i jetës së tyre. Po t’i mungonin lëvizjes sonë kombëtare, në atë kohë udhëkryqesh për Kosovën, personalitet si Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, të cilët vunë në shërbim të saj tërë përvojën dhe potencialin e vet revolucionar e intelektual, pa dyshim ajo do të ishte shumë më e pafuqishme. Po t’i mungonte Kosovës shembulli i flijimit të dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, rruga deri te lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të ishte shumë më e gjatë.
Sot Afrimi e Fahriu na mungojnë, por heroizmi i tyre do të jetë mjet i fuqishëm inspirimi, për të çarë rrugën e lirisë, deri në fitoren e saj të plotë.