NEZIR MYRTAJ: “GRUPI I TURPIT DHE I TRADHTISË”

Kosova tashmë po noton në ujërat e turbullta të procesit antihistorik, i quajtur si proces i bisedimeve për statusin potitik të saj. Se si do të dalë dhe si do të duket Kosova në fund të këtij procesi, mund të paramendohet nëse krahasohet Kosova e parastandardeve me atë të standardeve të sotme, prapaskena e të cilave është Beogradi:
Sot, Kosova ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, ku e din si ishte, por jo si do të jetë.
Sot nuk mund të thotë askush se e ardhmja e Kosovës dhe e lirisë së saj është e panegociueshme, sepse dihet botërisht që kjo e ardhme tashmë është bërë temë bisedimesh me pushtuesin e deridjeshëm, udhëheqjen e Serbisë;
Sot, Kosova është bërë me numër edhe më të madh të enklavave serbe dhe ato tashmë kanë marrë statusin e sajesave legale, përmes së cilave Serbia po realizon aspiratën e saj për rikolonizimin e Kosovës;
Sot Kosova është detyruar t’i ofrojë Serbisë të drejta eksterritoriale përreth objekteve fetare e monumenteve të ngritura në mënyrë ekspansioniste edhe gjatë periudhës së sundimit të Millosheviqit, si mundësi për formimin e enklavave dhe hapësirave të reja serbe;
Sot Kosova, është detyruar pothuajse ta harrojë faktin se qyteti i ndarë i Mitrovicës duhet ribashkuar.
Sot Kosova është detyruar pothuajse t’i harrojë eshtrat e mijëra viktimave të luftës të varrosura në varrezat masive në Serbi dhe në vend të denoncimit të krimit dhe kërkesës për dëmshpërblim të pasojave të luftës, në tavolinën e bisedimeve po i ofron asaj gjasën për të rikthyer kohën e tmerrit;
Sot Kosova është mbërthyer në një situatë të tillë, që në vend të pavarësisë, të detyrohet të përqafojë alternativat serbe të autonomisë substanciale, copëzimin e vendit, më shumë se autonomi e më pak se pavarësi, apo në rastin më të mirë, variantin e përfolur të qarqeve të fuqive të mëdha, të pavarësisë së kushtëzuar.
Pozita e sotme e degraduar e Kosovës dhe proceset aktuale antihistorike rreth së ardhmes së saj, nuk janë pasojë e mungesës së fryteve të luftës, por e uzurpimit të këtyre fryteve. 
Liria e saj, lufta çlirimtare e UÇK-së dhe gjaku i dëshmorëve, sakrificat dhe vuajtjet e popullit shqiptar për liri kombëtare e dinjitet njerëzor, u mohuan, u shkelën e u perdhosën deri në nivelin që po e shohim sot, sepse frytet e fitores ngelën pa mekanizmin e tyre mbrojtës, e në mëshirën e uzurpatorëve. Klasa politike ciklope, e ngritur dhe e fuqizuar nga qarqet jashtëshqiptare, si rezultat i ambicieve të elitës së saj për poste e pasuri, vuri monopol të hekurt mbi këto fryte. E xhveshur nga çdo skrupull kombëtar, ajo përçau e polarizoi masat e popullit deri në atë masë sa e largoi tërësisht vëmendjen e tyre nga çështjet madhore të vendit.
Një elitë më poltrone, më antikombëtare e më e shfrenuar se kjo, nuk ka ekzistuar kurrë në historinë e klasës politike të popullit shqiptar. Ajo krijoi rrethanat të cilat kushtëzuan, që frytet e një lufte çlirimtare e fituar me armë, t’i rrezikojë seriozisht, duke i vënë ato në tryezën e bisedimeve me pushtuesin serb, që ende nuk e ka humbur oreksin për ripushtim. 
Bisedat mbi të ashtuquajturin decentralizimin, trashëgimin; kulturore, komunitetet e të tjera, nuk kanë absolutisht ndonjë kuptim tjetër, përveçse kuptimin e vënies në tryezën e bisedimeve të fryteve të një lufte të fituar me armë, jo për t’i fuqizuar, por për t’i relativizuar, zvogëluar dhe humbur ato. Kjo elitë monstruoze politike krijoi rrethanat, në të cilat Kosova humbi identitetin dhe atributin e atdheut të shqiptarëve, si popull shumicë e autokton i saj dhe u shndërrua në çiflig të një grushti njerëzish, të tubuar në të ashtuquajturin grup i negociatave, i vetëquajtur edhe si grupi i unitetit. 
Ky grup njerëzish, i mbështetur nga logjistika e tij e organizuar në formën e grupacioneve përfituese politike-strategjike, e me emra të tjerë të pakuptimtël si ky, tashmë e ka vënë Kosovën në ankand të tregut serb e po i shet pjesët dhe të ardhmen e saj me çmime të lira, për interes të përfitimit të disa trastave me para.
Këta pronarë të paligjshëm, që ngjashëm me AKM-në përbëjnë njëfarë agjencioni politik të mirëbesimit, po zhvillojnë raunde të njëpasnjëshme të shitjes e të privatizimit, jo vetëm të pasurive e të pronave publike të Kosovës, por të vetë asaj. Si pasojë e këtij procesi, numri i enklavave serbe, si territore të legjitimuara të Serbisë, ka ngelur mundësi e hapur për rritje. Deri tash ky numër ka arritur në 6+1.
Si pasojë e këtij procesi, deri tash në Kosovë janë krijuar zonat mbrojtëse qindrahektarëshe përqark kishave e manastireve serbe, si territore të legjitimuara të Serbisë, ku do të veprojë dora e zotit dhe e pushtetit serb. Si pasojë e këtij procesi, siç dëshmojnë qartë rezultatet e serisë së takimeve me qeverinë e Serbisë në Vjenë, deri tash është legjitimuar veprimi i sistemit arsimor të Serbisë, duke përfshirë universitetin dhe planprogramet e saj, sistemin shëndetësor dhe format e tjera të organizimit të pushtetit të Serbisë. Me një fjalë, si pasojë e këtij procesi, deri tash është legjitimuar ndarja faktike Kosovës sipas hartës etnike. Dhe me një fjalë, ky proces, të cilin e ka zhvilluar dhe vazhdon ta zhvillojë grupi i negociatave, ka krijuar parakushtet që Kosova të mos bëhet ndoshta kurrë më, e tërë. Copat e trungut të Kosovës që Vjenë pas Vjene po i ofrohen me tapi Serbisë, do të jenë plagë të pashërueshme të saj.
Në një formë, trojeve shqiptare po u përsëritet historia e ndarjes dhe e cungimit. Por për dallim nga koha e mbledhjes së Shën Stefanit dhe e Kongresit të Berlinit, kur trungu i Shqipërisë u cungua nga qarqe të jashtme, sot trungu i Kosovës po cungohet nga qarqet e brendshme. Dhe në qoftë se populli shqiptar ka mbi një shekull që mallkon, shan dhe denoncon Evropën plakë për tradhti e për padrejtësitë historike në kurriz të trojeve të tij e në interes të fqinjve, në shekujt që vijnë mallkimi, sharja dhe denoncimi për gjymtimin e territorit të Kosovës dhe për pazarin në interes të Serbisë, do të bie mbi të ashtuquajturin Grup i Unitetit. 
Ky grup që nuk di t’u thotë kurrë jo, as mjaft orekseve të Serbisë për rikolonizimin e Kosovës, por që din të bëjë oferta dhe projekte serioze për të kënaqur këto orekse, nuk mund të ketë asgjë me unitetin, por me turpin e me tradhtinë. Ai është unik vetëm në vendosmërinë dhe gatishmërinë që për dobinë e xhepave të pjesëtarëve të tij të thellë, ta bëjë copë e grimë territorin e Kosovës.
Nga ky soj rriqrash e brejtësish, që dje fliste për bashkimin e Mitrovicës, kurse sot për legalizimin e komunës në pjesën veriore të qytetit;
që dje fliste kinse për reformë të pushtetit lokal, kurse sot për komuna të reja serbe;
që dje përgjërohej se nuk do të ketë decentralizim në baza etnike, kurse sot flet pa turp e cipë për formulat me të cilat llogaritet numri i komunave serbe; 
që dje garantonte se nuk do të diskutohej kurrë me Serbinë për statusin e Kosovës, kurse sot shqyrton modalitetet e lidhjeve, 
që komunat serbe do të kenë me Beogradin;
pra nga ky soj rriqrash e brejtësish në trupin e Kosovës, frazeologjinë e sotme politike mbi pavarësinë e Kosovës, një ditë duhet pritur ta zëvendësojë fare pa të keq, në formulimin autonomi substanciale, siç ofron Serbia. 

Sot është mjaft e përhapur pikëpamja kapitullante, sipas së cilës Kosova nuk meriton më shumë liri, më shumë territor dhe më shumë gjasa për shtetësi, se këto që i gëzon sot, për faktin se ajo nuk kishte arritur ta finalizojë e kurorëzojë vetë luftën çlirimtare. 
Me këtë formë propagande, tregtarët tanë negociatorë sot pretendojnë ta arsyetojnë bërjen e vullnetit shekullor politik të shqiptarëve objekt bisede me Serbinë. Mirëpo, fakti se shqiptarët nuk ia paskan dalë ta çojnë deri në fund luftën çlirimtare, apo se nuk paskan arritur të çlirohen vetëm me forcat e veta, nuk mund të legjitimojë kurrfarë forme të tradhtisë e të tregtimit me fatet e Kosovës. Ky fakt nuk liron nga përgjegjësia në asnjë mënyrë shkeljen mbi gjakun e derdhur, mbi sakrificat e mbi vullnetin shekullor politik të popullit shqiptar. Në qoftë se sakrificat e atyre që ranë nuk paskan qenë të mjaftueshme për të kurorëzuar fitoren e plotë të luftës çlirimtare dhe vullnetin politik të shprehur me këtë luftë, atëherë u takon të mbijetuarve dhe brezave pas tyre misioni historik i përmbushjes së këtyre aspiratave. Shmangia nga ky mision dhe për më tepër vënia e fitores së luftës çlirimtare dhe e aspiratave shekullore politike të shqiptarëve në diskutim me pushtuesin, ka vetëm një epitet të mirëfilltë, e ai quhet tradhti, çmimi i së cilës do të jetë rruga e trasuar për luftëra të reja dhe vuajtje e sakrifica të tjera për brezat e ardhshëm. Mirëpo, përveç çmimit, ajo do ta ketë pashmangshëm edhe llogarinë e vet.



(31.8.2006) Beteja serbe për zgjerim territorial, shkruar nga analisti, Nezir Myrtaj 

Në momentin kur nisi betejën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prekaz, në mars të vitit 1998, ishte e qartë se Serbia kolonialiste kishte firmosur humbjen e luftës në Kosovë dhe fundin e kapitullit të sundimit mbi shqiptarët. Qershori i vitit 1999, realisht vulosi kapitullimin e Serbisë në Kosovë dhe hapi shtegun për realizimin e aspiratave shekullore të Kosovës e të shqiptarëve.
Pas këtij kapitullimi, mbase për herë të parë në historinë e ekzistencës së tij, populli shqiptar i Kosovës mund të shpresonte se mbi të nuk do të rëndonte më kurrë këmba pushtuese serbe. Mbase për herë të parë në historinë e saj, edhe Serbia mund të dyshonte në mundësinë e kthimit të saj të sërishëm në Kosovë.
Mirëpo, më pas, shqiptarët të dehur nga fitorja, ndërprenë përpjekjet për të mos lejuar kthimin e Serbisë në Kosovë, përderisa Serbia nuk e pushoi për asnjë çast përpjekjen për të rikthyer koloninë e humbur. Prandaj, sot, si pasojë a si rezultat, para syve tanë kemi realitetin e krijuar: entitetin serb të Kosovës, si gjymtyrë legale e Serbisë. Kush nuk e sheh këtë realitet, ose është i verbër, ose me qëllim nuk do që të shohë.
A thua, kush nuk e pa më 31 gusht, përveç atyre që nuk duan të shohin, takimin që shefja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, zhvilloi në Zveçan me, siç u tha, udhëheqësit e komunave serbe të veriut të Kosovës, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit? Në këtë takim, ku kësaj bashkësie komunash iu akordua donacioni prej një milionë dollarësh nga USAID-i për zhvillimin e infrastrukturës dhe të veprimtarive shoqërore, nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i institucioneve të Kosovës, qoftë i atyre qendrore, apo lokale, madje as i të ashtuquajturit Asociacion i Bashkimit të Komunave. Kjo mosprani, si dhe ndihma e akorduar financiare vetëm për bashkësinë e komunave serbe, simbolizon në mënyrën më të qartë faktin e ndarjes së Kosovës në baza etnike. Jo më kot thuhet se një veprim konkret vlen më shumë se një duzinë fjalësh. Prandaj, takimi i lartpërmendur konfirmon njohjen e aktit të kryer të kësaj ndarjeje.
Po të njëjtën ditë, si për koincidencë, edhe qeveria e Beogradit, bëri të ditur përmes të ashtuquajturës Qendër Koordinuese Serbe për Kosovën, se ka paraparë ndarjen e mjeteve të shumta buxhetore për disa fshatra serbe të komunës së Vitisë. Këto fshatra synojnë t’i bashkohen komunës së re serbe të Kllokotit, e formuar me pëlqim të Grupit nga Prishtina, i cili ka marrë përsipër dekompozimin e territorit të Kosovës.
Ndihmat në njërën anë dhe investimi nga qeveria e Serbisë, prej dhjetëra milionë eurosh, në anën tjetër, dëshmojnë synimin për të fuqizuar dhe zhvilluar pjesën serbe të Kosovës, në funksion të procesit të rikolonizimit e të ekspansionizmit territorial.
Siç dihet, sfida aktuale e Serbisë në Kosovë është zgjerimi i saj territorial. Betejën për territor, ajo sot po e zhvillon përmes të të ashtuquajturit decentralizim, proces që e kishte paramenduar vetë dhe ia kishte imponuar elitës politike miope e shërbëtore të Kosovës, përmes shefave të UNMIK-ut e ndërmjetësve të tjerë. Përmes këtij procesi, deri tash, Serbia ka arritur që në emrin e 7-8 për qind të popullatës serbe në Kosovë, të formojë 10 komuna serbe e të zhvatë 24 për qind të territorit. Sipas logjikës së proporcionit, kjo do të thoshte se Kosova do të duhej të kishte rreth 120 komuna, ndërsa shqiptarët bashkë me pakicat jo serbe që përbëjnë rreth 92-93 për qind të popullsisë, do të duhej të kishin mbi 110 komuna. Mirëpo, duket sheshazi se këtu kemi të bëjmë me një proces fare asimetrik në dobi të Serbisë, me të cilin, asaj i është akorduar një territor me përqindje tri herë më të madhe se përqindja e popullatës serbe në Kosovë.
Beteja e Serbisë për zgjerim territorial në Kosovë, pa dyshim, do të vazhdojë edhe më me ngulm, sa më shumë që do të përvetësojë, sepse oreksi vjen duke ngrënë, thuhet. Kush nuk e kupton këtë fakt, ai ose është i marrë, ose nuk di ku i bie Serbia, ose ka harruar sa ditë e ka përballuar Serbia fushatën ajrore të NATO-s më 1999 vetëm që të mos e dorëzojë Kosovën, ose nuk di ç’do të thotë fjala kolonializëm dhe synimin kolonialist të Serbisë e konsideron të drejtë të ligjshme të saj për të rikthyer dominimin mbi Kosovën, ashtu siç e kanë njohur institucionet e Kosovës dhe Grupi i Negociatave, të drejtën e saj për të qeverisur me komunat e serbizuara; për të investuar në ndërtimin e vendbanimeve të reja serbe, të cilat më vonë do të mund të ngriheshin në nivel komunash; për të zhvilluar bashkëpunim të veçantë me pjesën e serbizuar të Kosovës; për të zgjedhur kandidatët e vet në postet e kryetarëve të komunave të serbizuara; për të zhvilluar planprogramet e veta mësimore në shkollat e komunave të serbizuara e të tjera.
Farsën e decentralizimit në Kosovë, të cilin e ka imponuar Beogradi dhe i cili po zbatohet për llogari të tij, këto ditë e demaskoi fare dukshëm eksperti i Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Server. Ai shpjegoi troç se decentralizimi që po ndodh në Kosovë, paraqet një proces mashtrues dhe vetëm emrin e ka të tillë. Sipas tij, një formë të tillë të decentralizimit, Beogradi zyrtar e synon me qëllim të qeverisjes së drejtpërdrejtë nga ai të serbëve të Kosovës. Në këtë kuptim, koncepti aktual i decentralizimit, nuk është tjetër, veçse mjet me të cilin Beogradi do të formojë e forcojë gjymtyrët e Serbisë brenda Kosovës, duke e ndarë atë në përpjesëtime të tilla, ku pjesa e mbetur jo serbe, nuk do të ketë as pamjen e Kosovës.

Është për habi e keqardhje apatia e indiferenca që po mbretëron te opinioni i Kosovës dhe ai shqiptar në përgjithësi, para zërit paralajmërues të shumë ekspertëve dhe analistëve seriozë ndërkombëtarë, si ai i Serverit, mbi rrezikun që sjell farsa e tashme e decentralizimit që po ndodh në Kosovë.
Janë me të vërtetë misterioze gjakftohtësia dhe durimi me të cilat ajo pjesë e popullit të Kosovës që disa vite më parë mori guxim e forcë t’i dalë përballë me armë në dorë Serbisë kolonialiste, mund të dëgjojë njëfarë zëdhënësi të grupit që po zbaton platformën serbe për ndarjen e Kosovës, duke komentuar tregtinë me trojet e Kosovës. Në takimin me gazetarë, më 28 gusht, ky zëdhënës e vlerësoi si fare jo domethënëse madhësinë e përqindjes së territorit të Kosovës të amputuar deri tash, posi të ishte fjala për disa utrina fshati apo për tokë vakëfi, e jo për trojet e lashta denbabaden shqiptare. Sipas tij, shifra prej 24 për qind e territorit nuk qenka faktor determinant, por me rëndësi qenka kualiteti i territorit për të cilin po u bëka fjalë. Me fjalë të tjera, sado që serbëve (nënkupto: Serbisë), ua paskemi dhënë 24 për qind të territorit, megjithatë ua paskemi hedhur, pasi territori që u është dhuruar atyre qenka i kualitetit të dobët. Nga ana tjetër, pjesa e mbetur e territorit qenka tokë kualitative, apo siç do të thoshte ndonjë bujk, ajo qenka tokë bereqeti!
Deklaratat e tilla kamufluese, sado të rafinuara të jenë, sot nuk do të mund ta bindin asnjë njeri normal në Kosovë se përqindja e territorit, që po i merret a që po i lihet Kosovës, është fakt i parëndësishëm, kur dihet se në fund të fundit, vetë çështja e Kosovës paraqet problem territorial. Ndërsa, decentralizimi, për Serbinë dhe serbët nuk paraqet absolutisht tjetër interes përveçse të atij për zgjerimin e shtrirjes territoriale në Kosovë. Në qoftë se kjo shtrirje nuk do të mund të përfshinte tërë territorin e Kosovës, atëherë interesi i saj do të ishte që ky territor të jetë sa më i gjerë.

Po ashtu, mendjen e asnjë njeriu normal në Kosovë nuk do të mund ta bindin as gjepurat mbi kualitetin, apo kuantitetin e territorit të amputuar të Kosovës. Në qoftë se qenka jo kualitativ territori i veriut të Mitrovicës e i Leposaviqit, që fle mbi xehe; në qoftë se qenka e parëndësishme treva e Zubin Potokut me rrjedhën e Ibrit përmes, me liqenin akumulues e me hidrocentralin pranë tij; në qoftë se qenkan të parëndësishme territoret e Novoberdës, Kishnicës e Hajvalisë, që veç xehe e minerale ka nëntoka e tyre; në qoftë se qenka i parëndësishëm rrafshi i Kllokotit me gjithë burimin e njohur të ujit mineral e termal; në qoftë se qenkan të pavlerë bukuritë mahnitëse të Brezovicës, pra në qoftë se qenka i parëndësishëm dhe faktor jo determinues 1/4 e territorit të Kosovës që përfshijnë vendet e numëruara më lart, atëherë nuk mund të thotë kush se cilat vende dhe territore të Kosovës, vërtet janë kualitative! Atëherë, që t’i kënaqë orekset e Serbisë për territore jokualitative, e ta kompletojë ndarjen e Kosovës në bazë të cilësisë së territorit, Grupit amputues nuk i mbetet tjetër veçse t’ia shtojë 24 përqindshit të territorit serb, edhe Obiliqin, përmes komunës së ardhshme të Prilluzhës, apo të Gazimestanit e të territoreve të tjera me pasuri mbitokësore e nëntokësore. Atëherë pjesa jo serbe e Kosovës do të mjaftohej me pompat e benzinës, me pishinat e larjes, me fushat komerciale sportive, me mini e maksi marketat e me disa qytete të ngulfatur nga ndërtimet e egra. Mbase, sipas Grupit të Negociatave, vetëm kjo pjesë e territorit të Kosovës mund të quhet kualitative. Kush mund të gëlltisë marrëzira të tilla.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …