Nezir Myrtaj: Kujtime për dëshmorin, Afrim Zhitia

… Atë ditë fillim-nëntori, për një çast, nuk munda ta përthekoj kuptimin e fjalëve të kantinierit (shitësit), i cili bëri llogarinë për sasinë e kufizuar të gjësendeve të porositura nga unë. Vëmendjen time e kishte pushtuar njoftimi i spikerit të Radio Beogradit, i cili po njoftonte për demonstrate të reja në Prishtinë dhe për rrethimin policor kundër dy ”separatistëve”, të barrikaduar në bodrumin e një ndërtese në Kodrën e Diellit, të cilët sulmit policor i ishin kundërpërgjigjur me zjarr. Spikeri njoftonte se shkëmbimi i zjarrit po vazhdonte. Epilogun e këtij dyluftimi e kuptova tek të nesërmen në mëngjes, kur radioreporteri serb nga Kosova, me eufemizëm cinik kumtoi lajmin se ”separatistët rezistues e paguan me kokë”, por pa dhënë identitetin e kryengritësve. Kujt do t’i shkonte mendja, atë çast, se njëri prej atyre dy kolosëve sfidues, ishte Afrim Zhitia, ish-nxënësi im, edhe i mësimeve të ilegales? Por, po. Ai ishte vrarë, por nuk kishte vdekur, sikurse që as shoku i tij i barrikadës, Fahri Fazliu, as Bedri Sokoli, i rënë një natë më parë dhe as qindra dëshmorë të tjerë…


 


… Në njërën dhomë të mësimit, në ndërtesën e vjetër të shkollës teknike në Prishtinë, në bankën e mesit, andej kah dritaret, ulej një djalosh mustaqedjerësirë, serioz e flokëgështenjë. Ai po përsëriste mësimin mbi valët elektromagnetike, pasi në bisedën e lirë, në fillim të orës mësimore, komentuam tablonë ”Kjo tokë është jona” të ekspozitës figurative të artistëve nga Tirana, e hapur ato ditë në Prishtinë. Ky nxënës i vëmendshëm e inteligjent, sikur jepte të kuptoje se po përgatitej për ballafaqime e për sakrifica të mëdha. Ai ishte Afrimi i një moshe të re, por me një pjekuri të rrallë…


 


… Muzgu i mbrëmjes së Një prillit të vitit 1981, ishte përzier me tymin e bombave me gaz lotësjellës. Në frontin përballë policisë sulmuese, në rrugën ish-”Ramiz Sadiku”, tash “Agim Ramaani”, shquhej një i ri, me një shkop në njërën, e me një gur në dorën tjetër të lidhur me fasho. Ky trim sypatrembur, që po jepte provat e para në artin e kërkimit të lirisë, ishte Afrim Zhitia…


 


… Një letër e muajit gusht të vitit 1982, në burgun e Mitrovicës po më sillte edhe përshëndetjet e ”dajave, Afrim e Esat”, të cilët ato ditë kishin vizituar familjen time në Uçë të Burimit, të leçitur e të anatemuar me dekret të pushtetit. Këta ”dajë” ishin ish-nxënësit e mi shembullorë, Afrim Zhitia dhe Esat Brajshori, të cilët disa kohë më vonë do të dënohen, po për veprimtari të organizuar atdhetare. Lajmin për arrestimin e tyre ma dha nëna Kadë, gjatë vizitës në burg në fillim të majit 1984, duke kërkuar mendimin tim, nëse do të “dënohen shumë, apo jo, ‘ata djel kaç të mirë!”. – Jo, nënë,-i thashë. “Ata janë tepër të rinj, prandaj nuk do të mund të dënohen rëndë. Së shumti disa muaj”. I dhashë shpresë. Pas një kohe ata u dënuan me shumë vite burg. Afrimi, sapo i maturuar, me tetë…


 


… Në mesin e atyre të dënuarve, për të cilët kuptuam se i kishin sjellë në ”karantinën” e kampit në Zabelë të Pozharevcit, në Serbi ishte edhe Afrim Zhitia. Prisja me padurim ta shihja. E përfytyroja të ndryshuar, ndonëse nuk kishte më shumë se tri vjet që s’e kisha parë. Atë mëmgjes vjeshte të vitit 1984, u përqafuam ngrohtësisht, aty pranë pavijonit numër 5. Ai kishte sajuar rastin për ta zbrazur shportën me fletët e drurëve, që po binin ato ditë. Të burgosurit kujdestarë e kërcënuan se do ta denonconin për “veprimin kundërvajtës”…


 




 


… Një ditë pranvere të vitit 1985, kur shefi i repartit, në të cilin kishte filluar të punonte, ia kishte ndërruar vendin e punës, duke  e caktuar në një punë më të rëndë, Afrimi e kishte refuzuar me vendosmëri punën e detyrueshme. Për shkak të kësaj “kundërvajtjeje” drejtoria e burgut e dënoi me 7 ditë qëndrimi në qeli. ”Ç’oreks më qeli qelia!”,- u shpreh Afrimi, ende në rritje, pas daljes nga qelia, ku jetohej me gjysmë kilogrami bukë në ditë…


 


… Në orën 15, të atij maji të  vitit 1985 (termin, kur përkujtohej përvjetori i vdekjes së Titos, me emrin e të cilit ushtrohej presion mbi ndërgjegjen e të burgosurve politikë shqiptarë), në dhomën e kampit ku mbahej vizita, anëtarët e familjes së të burgosurit ishin ulur për t’u çmallur me të dashurin e tyre. Pesë minuta më vonë, roja urdhëroi të burgosurin: “Në këmbë, një minutë heshtjeje!”. I burgosuri, pa lëvizur nga vendi i ishte drejtuar gardianit që po përgjonte bisedën, Çedës nga Kosova: ”Të lutem, mos ngacmo ndërgjegjen time! Nuk njoh kurrfarë Titoje”. Kurse, vizitorëve: vazhdojeni bisedën! Ky i burgosur me integritet ndërgjegjeje, ishte Afrim Zhitia. Kjo mosbindje i kushtoi atij 30 ditë qelie dhe tri vjet izolimi, deri në përfundim të vuajtjes së dënimit…


 


… Kishte edhe dhjetë ditë vuajtjeje. Në kështjellën numër 7 të Zabelës, nuk kishim mundësi komunikimi. Për ta krijuar këtë mundësi, bëmë kërkesën për vizitë mjekësore, gjatë së cilës do të mund të shiheshim e të këmbenim disa fjalë. Bisedën e fundit e bëmë tri ditë para daljes së Afrimit nga burgu.


 


-Afrim, megjithatë, je fitues,- i thashë. I përfundove ashtu siç duhet katër vjet në shërbim të lirisë dhe tash po del edhe më i pjekur e më i kalitur. Suksese të tjera!,- vazhdova.


 


-Vështirësitë e mëdha janë në burgun ku po shkoj,- ma ktheu ai dhe u hodhëm në përqafim të njëri-tjetrit. I tërbuar nga fakti se në atë ndarje dhamë dhe lamë te tjetri një pjesë të qenies, gardiani përcjellës reagoi me ashpërsi: Ç’jam unë këtu, jam qen? -Ne nuk thamë,-thashë dhe u ndamë me Afrimin e paharrueshëm, aty para derës së dhomës numër 11…


 


… Atë ditë ia shkrova nënës Kadë një letër (për t’ia lexuar ndonjëri prej nipërve a mbesave), në të cilën, ndër të tjera e njoftoja për daljen e Afrimit nga burgu, për të cilin, disa vite më parë e kisha kurajuar se nuk do të dënohej më tepër se disa muaj. I thashë se ai po kthehej në shtëpi për disa vjet më i madh e më i moshuar. -Do ta shohësh e do të habitesh,- i shkrova. Dhe vetëm disa ditë më pas mora përshëndetjet e tjera të “dajës” së dikurshëm, e bashkë me to edhe disa libra me mbishkrimin e Afrimit. Në mesin e tyre edhe librin me poezi të Shandor Petëfit, “Sfidë mbretërve”, si dhe tekstin e fizikës teorike…


 


… Rasti qëlloi që pikërisht tekstin për fizikën teorike isha duke e lexuar, kur atë ditë nëntori të vitit 1989 mora lajmin e kobshëm për rënien e Afrim Zhitisë, emri i të cilit tashmë ishte identifikuar. Koincidencë e hidhur…


 



… Dora iu bind me vështirësi, zemrës për të shkruar ngushëllimin për dëshmorin Afrim Zhitia. Në letrën që ia dërgova ato ditë familjes së Afrimit, përmes vëllait Salihut, të cilën e nxora ilegalisht nga burgu, kisha shkruar se hakun për Afrimin do ta marrë djalëria shqiptare. Fatbardhësisht kjo hakmarrje popullore për Afrimin dhe gjithë dëshmorët e lirisë u kurorëzua nga shqiponjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa kaluar një dekadë e plotë…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …