Nezir Myrtaj: Në vitin politik 2006 Kosova hyri me kuptimin e devalvuar të fjalës pavarësi

 


Ndërrimi i motmoteve, i viteve kalendarike, edhe në Kosovë si në mbarë botën u prit e u përcoll me shprehje dëshirash e shpresash publike nga qytetarët e saj. Mirëpo, në kushtet e krizës gjithnjë në rritje ekonomike, të rënies së standardit për shumicën e popullsisë, të rritjes rapide të hendekut ndërmjet shtresave të pasura dhe atyre të varfra, gjendja ekonomike në zgripc të ekzistencës e shumicës së familjeve të dëshmorëve, e invalidëve të luftës, e veteranëve të luftës çlirimtare dhe e shtresave të tjera mbi të cilat rëndoi barra e kësaj lufte, lustra e kremtes së këtij Viti të Ri, publikisht qiti në sipërfaqe vetëm botën ndjenjore të iluzioneve, altruizmave e sentimentalizmave të tjerë, duke iu referuar vetëm të ashtuquajturit status politik të Kosovës. Dëshirën që dikush t’ua sjellë pavarësinë, e shprehën që nga njerëzit e nivelit të lartë së biznesit politik, e deri te ata të botës së kullerave, duke shpresuar se atë do ta sjellë, madje edhe Babadimri në natën e ndërrimit të motmoteve! Një kuller, duke iu përgjigjur pyetjes se cilat janë dëshirat e tij për vitin 2006, tha: “Paj, të fitojmë diçka, – naj pavarësi a, naj sen a”. Tjetra kullerkë, duke thënë se e pëlqente të bëhej patriote për një moment, shprehu dëshirën që Babadimri t’ia sjellë pavarësinë e Kosovës!
Edhe persona të tjerë të intervistuar nga mediat, publikisht deklaruan dëshirat që të vie pavarësia, që pavarësinë ta sjellë viti 2006, që pavarësinë ta sjellë Babadimri… Pikëpamjet e tilla, të cilat këto ditë e net të ndërrimit të viteve, ka pasur rast t’i dëgjojë secili prej nesh, as që do t’ia vlente të përmendeshin, sikur ato të mos thonin e të mos dëshmonin diçka. Ato dëshmojnë faktin sa shumë është degraduar dhe zhvlerësuar kuptimi i fjalës pavarësi, kur është fjala për pavarësinë që i mungon një vendi. Ato dëshmojnë se kuptimi i kësaj fjale është zhvlerësuar deri në atë shkallë, sa ajo të barasvlerësohet me një send, siç mund të jetë një sheqerkë, biskotë, mollë apo karrotë! Relativizimi i tillë i fjalës pavarësia do të thotë zvetënim i aspiratës që shpreh. Ato dëshmojnë se në mendjen e shumë qytetarëve tanë është mbjellur dhe forcuar mentaliteti i pritjes së asaj që duhet ta fitojë. Ato tregojnë edhe se në mendjen e një pjese të opinionit tonë, kasta politike e Kosovës, e mbështetur fuqishëm nga veprimet dhe synimet e UNMIK-ut e të qarqeve të tjera ndërkombëtare, ka imponuar mentalitetin e të jetuarit me shpresa e iluzione, pa dinjitet dhe besim në forcën e të drejtën e tij.
Pikëpamjet e tilla dëshmojnë se përfaqësuesit e tyre nuk e dinë se në vitin politik 2006, Kosova po hyn me të gjitha pasojat politike të krijuara gjatë vitit 2005 dhe të gjitha vitet e tjera të pasluftës. Po ashtu, ata nuk dinë as për faktin se, si pasojë e vazhdimësisë së anarkisë së imponuar e të stimuluar nga Bashkësia Ndërkombëtare përmes pranisë së vet në Kosovë (UNMIK) dhe përmes eksponentëve të klasës së degjeneruar politike të instaluar në skenën e improvizuar pushtetore, Kosova gjatë vitit 2005 ka vazhduar me hapa të sigurt rrugën e prapakthimit në gjendjen e robërisë së mëparshme nën pushtetin e Beogradit. Në këto rrethana, e ardhmja e Kosovës dhe e popullit shumicë të saj (popullit shqiptar), është ngulfatur edhe më shumë në kthetrat e të ashtuquajturave standarde, të cilat paraqesin floskulën më efektive të mohimit të lirisë së Kosovës dhe mjetin e përshtatshëm për të krijuar rrethanat që Kosovën dhe popullin e saj e qesin para aktit të kryer të rikolonizimit.
Në vitin 2005, opinioni liridashës i Kosovës u terrorizua në mënyrën më të vrazhdë nga bizarët e skenës politike, të cilët çdo ditë e çdo moment punuan për të përmbushur vetëm interesat e UNMIK-ut e të një rezolute të KS (1244) që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, madje duke i paraqitur ato si interesa dhe ideale kombëtare të shqiptarëve, për të cilat u luftua. Ata pranuan të angazhohen me mish e me shpirt për krijimin e kushteve që e ardhmja e Kosovës të shtrohet në tavolinën e bisedimeve me Beogradin, i cili, jo moti ia futi flakën po kësaj Kosove dhe e bëri hi e shkrumb, duke mos reshtur demagogjinë se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme.
Prandaj, në vitin 2006, pritet që “standardet“ e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, Kosovën ta shpiejnë më tej andej nga nuk duhet të shkojë, ndërsa timonirët e trenit të tradhtisë do të jenë gjithnjë e më të zëshëm e më agresivë në përpjekjet për të arsyetuar tradhtinë e tyre ndaj kauzës së përgjithshme të lirisë së Kosovës.
Në qoftë se populli shqiptar i Kosovës vazhdon ta respektojë klasën e sotme politike të kornizuar dhe t’u besojë gënjeshtrave të saj, nuk duhet të habitet fare në qoftë se viti 2006 t’ia reprizojë Kosovës vitin 1945, përkatësisht famëkeqen konferencë të Prizrenit. Këtë reprizë do të mund ta parandalojë vetëm ndërgjegja e zgjuar, e pastër dhe liridashëse, por jo ata që bien dhe çohen me ëndrrat e “standardeve”. Ky parandalim, si dhe kthesa politike e Kosovës nuk mund të pritet të ndodhë pa sakrificat të cilat i kërkon ndryshimi i realitetit të degjeneruar, i ndërtuar pas luftës çlirimtare të UÇK-së.Nezir Myrtaj

Kontrolloni gjithashtu

David Kanin: Për të pasur një zgjidhje të qëndrueshme, ajo duhet të vijë nga vetë protagonistët e jo të imponohet nga jashtë

David Kanin: Albin Kurti është figurë jo popullore jashtë Kosovës, tani do të përballet me Amerikën

Ish-analisti i mirënjohur  në CIA, aktualisht profesor i Studimeve Evropiane, Dejvid Kanin, ka komentuar fitoren …