Adem Jashari

Nezir Myrtaj: Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë, sesa Kosova ime, – kishte thënë Komandanti, Adem Jashari…

Tashmë ishte e largët koha kur thirrja e çetave të maleve të Drenicës: “Prite Azem Galicën, ore!”, ua kallte datën hordhive të krajlit serb. Vitet dhe dekadat e robërisë së Kosovës kishin venitur, në kujtesën e sunduesit serb, pamjen e dragoit të Galicës, që fluturonte hipur në kalë. Vetëm atëherë kur lubisë serbe i doli përballë uniforma e UÇK-së, si fantazmë tmerruese, pushtuesit serbë, sikur të parët e tyre dikur, filluan të ndiejnë dridhjen nën këmbë të tokës arbërore.

 Prandaj, lubia serbe kishte provuar disa herë ta kafshonte Drenicën: në Prekaz, në Llaushë, në Likoshan, në Qirez e sërish në Prekaz. Më 5 mars, ajo po rikthehej edhe një herë te Prekazi i legjendave të trimërisë, për ta kafshuar helmueshëm Drenicën. Po sulmohej Kështjella e Jasharëve, ku ruhej i paprekur nderi shqiptar. Ajo kishte brenda zemrën e madhe të komandantit legjendar të luftës për liri, Adem Jashari, plakun fisnik Shaban Jashari, trimin e paepur Hamëz Jashari, nipat dhe mbesat e Shotës. Mëngjesi i asaj dite të acartë marsi, bashkë me krismat dhe me zjarrin e topave, po derdhte mbi Prekaz edhe tërë llahtarin e barbarisë serbe. Por, atë çast, brenda kështjellës u mor vendimi i madh:

– Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë, sesa Kosova ime, – kishte thënë Komandanti.

 – Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të gjithë ne, sesa Atdheu, – kishin thënë të gjithë Jasharët në Kështjellë.

Po shkrepnin pushkët, e po këndonte zemra shqiptare. Pushka dhe kënga e trimave po shkruanin simfoninë e qëndresës së pamposhtshme, jehona e tyre po prekte rrënjët dhe majën e historisë së luftës sonë për liri. Në Prekaz po bëhej historia. Kështjella e jasharëve po bëhej muranë e lirisë.

Berishë

  1. 3. 1999

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Ahmet Qeriqi: Marsi, Prilli e Maji i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive …