Gjashtë Gushti ndau nga jeta shokun tim të prangave, me të cilin na kishte bashkuar ndjenja e lirisë dhe e sakrificës për liri. Gjashtë Gushti goditi rëndë jo vetëm familjen dhe gjithë të dashurit e Sabitit, por edhe zemrat e shokëve të tij të dikurshëm të burgut e të vuajtjes për çështjen e lirisë së Kosovës, e cili rënkonte nën thundrën serbe. Gjashtë Gushti ndërpreu jetën fizike të një atdhetari të devotshëm, të një burri sypatrembur, të një miku të sinqert e të një shoku besnik, por fiksoi në kujtesën e të gjithë atyre që i deshi dhe e deshën, shpirtin e tij të qiltër dhe kujtimet e përjetshme.>>>
Në jetën e njeriut mbeten të papërsëritshme disa momente përjetimi dhe sidomos të tilla janë ato që i shoqëron ndjenja e sakrificës të cilën e kërkon atdheu dhe kombi. Sabit Veseli ishte njëri prej atyre qindra e mijëra të rinjve që Kosovës ia falën vitet më të frytshme të jetës e të rinisë. Ai ishte brumosur me ndjenja atdhedashurie, i frymëzuar nga aktet historike të trimërisë së Isa Boletinit e Dan Derocit; Azem Bejtës e Shotë Galicës; Ahmet Delisë e Kamer Loshit dhe të qindra burrave të dheut që u dolën zot trojeve stërgjyshore. Këto ndjenja Sabiti i sprovoi në demonstratat popullore të Pranverës së vitit 1981 në Mitrovicë, për t’i sprovuar pastaj forcën, guximin dhe qëndresën e tij në ballafaqim me xhelatët e UDB-es jugosllave, në zyrat e hetuesisë; me prokurorët dhe gjykatësit e pashpirt në gjykatat antishqiptare dhe me kriminelët ikuizitorë në qelitë e errëta të burgut famëkeq të Pozharevcit të Serbisë.
Në jetën e njeriut, po ashtu mbeten të pashlyeshme ato momente në të cilat shpalosen në formën më origjinale, shpirti dhe karakteri i njeriut. Për bashkëudhëtarët e rrugës jetësore të Sabit Veselit, veçanërisht për shokët e burgut janë të shumta momentet të cilat i japin madhështi figurës së tij. Në thesarin e kulturës revolucionare të luftëtarëve të lirisë të epokës së viteve ’80, do të shkëlqejë përherë karakteri i shfaqur burrëror, solidariteti vëllazëror dhe guximi i paluhatshëm i Sabit Veselit. Ai i përkiste kategorisë së “nacionalistëve dhe irredentistëve” të pakompromis të shqiptarëve, të cilët nga organet e burgut dhe zyrtarët jugosllavë cilësoheshin si ekstremistë të pandreçshëm. Për këtë arsye, Sabiti, pothuajse tërë dënimin prej 7 vjet e gjashtë muaj, e vuajti në dhomat izoluese të burgut, sikurse edhe shumica e shokëve të tij, me të cilët edhe kishte lidhur marrëveshjen e fjalës për të vazhduar rrugën e lirisë, i bindur se kjo rrugë do të ishte e gjatë dhe e vështirë. Në mesin e veprimtarëve Fadil Vata, Afrim Zhitia, Kadri Luzha, Bardhyl Mahmuti, Beqir Beqa, Ibrahim Xhemaili, Halil Selimi, Ramadan Avdiu, Murat Bytyçi, Adem Grabovci, Hamëz Kryeziu, Taip Zeka, Sami Kurteshi, Imer Hasani, Bejadin Hasani, Nuhi Muhadri, autorit të këtij përkujtimi e të tjerë, që në vitet 1984-1985 kishin forcuar lidhjet organizative, bënte pjesë edhe Sabit Veseli. Ky fakt bën që ai ta vazhdojë jetën organizative edhe pas daljes nga burgu, për ta vazhduar atë gjatë tërë viteve ’90 e deri në organizimin dhe zhvillimin e luftës çlirimtare nga Ushtria Clirimtare e Kosovës.
Në çastet vendimtare të veprimit, konsultimi me Sabitin ishte i panevojshëm. Ai merrte vendimin e duhur, sepse atë ia diktonte ndërgjegja e tij e pastër. Nuk e harroj dot aktin e solidarizimit që Sabiti me shokë ndermori në mbështetje të vendimit që autori i këtyre rreshtave kishte marrë në dhjetor të vitit 1985 për të refuzuar punën e detyrueshme shfrytëzuese në burgun e Pozharevcit dhe kudo jashtë Kosovës. Nuk do të harrohet kurrë as uniteti veprues i Sabit Veselit me rastin e kërkesës për plotësimin e kushteve për formën ligjore e humane të shëtitjes në burg, më 1987, si dhe me rastin refuzimit për më se 18 muaj të formës joligjore, torturuese e nënçmuese të shëtitjes që imponohej në këtë burg izolues. Po ashtu nuk mund të harrohet dot as uniteti i vendosur veprues i Sabit Veselit, me rastin e marrjes së vendimit të përbashkët me shokët të vendosur në izolim në Pavijonin numër 7, në vjeshtë të vitit 1988 për të refuzuar qëndrimin në dhomë dhe kontaktet me të burgosurit serbë të dënuar për vepra kriminale. Nuk mund të harrohen edhe shumë e shumë aksione të tjera të Sabit Veselit.
Sabit Veseli u nda herët nga jeta dhe nga ne. Atë, vdekja nuk e lejoi të përmbushë moshën normale jetësore, ndërsa ne na pikëlloi. Megjithatë, zemrat tona janë të ngushëlluara, për faktin se ai përmbushi tërësisht detyrimin e tij jetësor para atdheut dhe duke përmbushur këtë detyrim para atdheut, ai ka përmbushur edhe detyrimet para familjes, para të dashurve, para miqve dhe para shokëve të tij. Sot e tutje, ne do të na mungojë fjala, zëri dhe hareja e Sabitit, por nuk do të shuhet kurrë kujtimi i mirë që ruajmë për të. Ai do të pushojë i qetë nën dheun e ëmbël të Braboniqit të tij simbolik. Vdekja e kishte cytur atë jo tinëzisht dhe as tradhtisht që të vinte nga Zvicra në Braboniq që ai të ekzaltohej me vendlindjen e tij të lirë, edhe në çastet e fundit të jetës. Ai kishte ardhur me dëshirë të madhe, sic vinte cdo herë në Kosovën dhe Braboniqin e tij të dashur, për të marrë mallë dhe fuqi nga dheu i Kosovës.
Mehmet Bislimi: Tinëzisht vdekja të vodhi, vëlla Sabit Veseli
Lajmi për vdekjen tënde mbolli trishtim të ndryrë në zemrën tim, në zemrat e miqve, të shokëve dhe të bashkëveprimtarëve të çështjes sonë kombëtare.
Sabit vëllai!
Vdekja që tinëzisht të vodhi ishte edhe një goditje e rëndë për ne, ajo mori nga radha e kolonës së madhe të idealistëve të atdheut edhe një ushtar Lirie… e po, duhet të pajtohemi, kjo është e vërteta, duam ne apo nuk duam – jeta është e tillë dhe vepron pa dallime, pa mëshirë, pa intervenime, pa anime e prapaskena!…
Me këto copëza shkrimi për ty, Sabit, nuk dua që të rëndoj më të dashurit tuaj, përkundrazi e ndiej si borxh që në emrin tim, në emër të shokëve të vuajtjes, në emër të atdhedashësve të kujtojmë, të lehtësojmë dhembjen për ty dhe të jemi pranë më të dashurve tuaj në këto çaste hidhërimi, për të mikluar sadopak plagët e shpirtit të tyre liridashës.>>>
Sabiti, që i ri ishte i përkushtuar për të njerëzishmen, për të natyrshmen, për të domosdoshmen siç ishte liria e atdheut. Ai ishte i qetë, i urtë dhe fisnik, fliste rrallë, nuk i pëlqenin fjalët e tepërta, adhuronte punën konkrete, aksionet dhe veprimet në shërbim të atdheut, dhe për këto ai nuk të falte. Ai nuk i duronte dot njerëzit e papërgjegjshëm që paraqiteshin me pompozitet, prandaj herë-herë edhe tregonte ashpërsinë e formës së tij të veprimit, ani pse kishte një shpirt shumë të butë e njerëzor. E veçanta e tij ishte energjia për jetën, ai nuk nënshtrohej kurrë para sfidave të shumta, pavarësisht nga ngjyrat e tyre që natyra na i kishte vënë si sprovë të rënda në rrugët e jetës. Ai nuk u luhat as atëherë kur u arrestua, as në hetuesi, as në burg gjatë vuajtjes së dënimit, as kur mori lajmin e hidhur për rënien e vëllait të tij Bahriut në gjirin e tokës së dashur të Kosovës…
Sabiti si ri do të gjendej në ballë të demonstratave të viti 1981 në Mitrovicë, njëri ndër organizatorët kryesorë të tyre në qytetin e minatorëve. Pastaj do të pasojnë burgosjet, hetuesitë, torturat, qëndresat heroike të shokëve të idealit, ngritjet dhe përgatitje për rrugë dhe për shtigje të gjata që po na prisnin. Ai kurrë nuk fliste në vetën e parë, ai kurrë nuk thoshte “unë”, ai gjithmonë thoshte “shokët!”. Ky ishte njëri ndër virtytet e tij që atë e bënte të respektuar ndër shokë. Ai gjatë rrugës së kësaj jete kaq të shkurtër kishte pasur fatin që të takonte dhe të bashkëvepronte me shumë shokë liridashës, të cilët edhe nuk janë më në mesin tonë, si: Afrim Zhitia, Fadil Vata e dhjetëra të tjerë.
Dhe erdhi një kohë kur Sabiti me shumë shokë u shtrënguan që me trastën e halleve të atdheut mbi supe të merrnin rrugët e arratisjes, rrugët e mërgimit në sy. Ata morën këto rrugë me zemër të plasur, duke shkelur meridianët e botës për t’i dalë atdheut të zhuritur në ndihmë dhe mbështetje morale, materiale dhe fizike. Sabiti me shokë, rreshtuar në organizatën e LPK-së, bënë shumë, dhanë të pamundshmen në shërbim të çlirimit të atdheut, dhe të gjithë ata që patën dhe që kanë në gji dashurinë për atdhe pa dyshim se do të prehen të qetë dhe krenarë për atë që kombit ia falën, në mesin e tyre edhe Sabiti ynë!
Është kjo kategori idealistësh, kategori e të dënuarve dhe të persekutuarve nga ish-sistemi jugosllav dhe shërbëtorët e tij, të sharë, të fyer, të lëçitur e të izoluar me varfërinë dhe trishtimin e linçimit mbi kurriz, pa strehë e katandi… Këta idealistë, këta burra të dheut, që as sot e kësaj dite kurrë nuk u qanë për asgjë, që Kosovës në qafë nuk i ranë kurrë, që atdheun kurrë nuk e vodhën, nuk e përçmuan, nuk e zhgënjyen, nuk e mashtruan, nuk e nënçmuan, që emrin e shqiptarisë kurrë nuk e përlyen, nuk e përdhunuan… Ata me stoicizëm mbi kurrizin e tyre i duruan të gjitha padrejtësitë, dhe sot, të margjinalizuar, të lënë mënjanë si antikitete që nuk i hyjnë në punë as vlerave muzeore… frymojnë në mesin e kësaj shoqërie, pa status të definuar, nëse kjo kategori idealistësh, që me gjokset e tyre rinorë mposhti muret e rënda të robërisë, i takojnë nderit e krenarisë, apo ishin dhe janë të mohuarit e atdheut?!…
Dhe vjen një ditë kur ata ikin në amshim, dhe ne vetëm atëherë kujtohemi: “ Ah, mes nesh pakan qenë e ne nuk i kemi vërejtur!”… Dhe vjen një ditë kur ne duhet të themi me shumë dhembje, por edhe me shumë krenari, për Ju që ju patëm, fjalën e zemrës nga thellësia e shpirtit – jo për gjithkënd:
Sabit burri, i lehtë të qoftë dheu i tokës mëmë! Fli i qetë me dashurinë e atdheut në gji!
Me respekt të përjetshëm për Ty dhe për të gjithë shokët idealit!
Qazim Doda: Akuzat kundër Azem Sylës të fabrikuara në Serbi
Akuzat për vrasjen e spiunëve te UDB-së janë bërë shprehi në fjalorin politik e medial të Kosovës që dikur përkrahej nga UNMIK-u dhe tani nga EULEX-i, dikush duhet të bie viktimë dhe të paguaj për fitoren ndaj armikut. Pas luftës së Kosovës, organet e shërbimit sekret serb publikuan disa emra të shqiptarëve te Kosovës të cilët akuzoheshin si kriminel luftë dhe ishin renditur disa pika për të cilat akuzoheshin ata. Kësaj liste nuk i shpëtoi as Azem Syla, i cili gjatë luftës së Kosovës ishte Komandant i UÇK-së dhe pas lufte në qeverinë e përkohshme u zgjodh ministër i mbrojtjes së Kosovës. >>>
Deri në vitin 2003 agjentët e shërbimit sekret serb shpresonin se Azem Syla mund të kapet i gjallë dhe akuzat kundër tij nuk dilnin në skenë. Mirëpo, në shtator të vitit 2003, shërbimi sekret serb publikoi listën e personave që kërkoheshin në atë kohë ku Azem Syla ishte i renditur në numrin 114. Atu u shkrua për një akuzë në të cilën thuhej se Azem Syla kishte urdhëruar vrasjen e 800 shqiptarëve të cilët nuk kishin pranuar të anëtarësoheshin në Partinë Demokratike të Kosoves, kjo akuzë nuk ishte marrë si shumë serioze pasi që flitej për vitin 1998 kur kjo parti nuk ekzistonte fare.
Azemi akuzohej nga ata se ka formuar shërbimin sekret të Kosovës dhe merret me shitblerjen e armëve në mënyrë ilegale. Dikund rreth gjashtë vite më vonë e kishin përgatitur edhe një person i cili doli haptas dhe deklaroi se Azem Syla i kishte dhënë urdhër për likuidimin e Selim Broshës dhe disa oficierëve të lartë të shërbimeve sekrete serbe. Këtë lajm e morën me gëzim të madh mediat në Kosovë dhe menjiherë filluan të komentojnë se sa e dëmshme ishte vrasja e bashkëpunëtorëve të UDB-së.
Deputetët që kishin dhënë kontribut kundër Azem Sylës
Në këtë lojë u gjetën edhe dy deputet të parlamentit të përgjumur të Kosovës. I pari ishte i njohur si trim i stilit te Hamdia Pozdercit, nuk guxonte kush t’i fliste, i rrafte deputetët, por edhe politikanët, e kushdo që ballafaqohej me të përfundonte i humbur, prandaj me plot-kuptimin e fjalës quhej trim i madh.
Përpos trimërisë për rrahje, ai kishte edhe eksperiencë në vrasje, ku në tetor të vitit 1998 e vret Abedin Rexhen – Sandokanin në momentin kur Kosova më së shumti kishte nevojë për luftëtarë si ai.Me imunitetin e tij si deputet doli haptas dhe deklaroi edhe një here se e ka vrarë Abedin Rexhen dhe filloi të qeshej para kamerave televizive. Megjithatë, ky deputet i pa prekshem nga ligji per krimet e luftës, nga kanuni i Lek Dukagjinit, nga ligjet e Kosovës apo nga Çfarëdo lloj arsyeje e ndërgjegjeje ishte flamurtar i nismës së akuzës kundër Azem Sylës.
Ndaj tij tregonte maturi dhe respekt kryeministri, kush e di se per Çfarë arsyeje, kurse kryetari i shtetit doli me një deklaratë ku në mënyrë indirekte e përkrahte klanin “Bllaca,” ndoshta e kishte bërë këtë verprim sepse në krye të klanit ishte deputeti që ja futi frikën ne bark me grushtimet e tij te rrufeshme.
Deputeti tjetër sikur ky i pari, konsiderohej se ishte një trim i madh, ish i burgosur politik, njeri i aftë dhe sy-patrembur. Kishte aq shumë trimëri sa edhe gjysmën e vetes së vet e kishte vrarë për qëllimin e tij politik. Doli me akuzë kinse UÇK-ja e kishte plagosur rëndë, por gjaku i shkoi kot pasi që u zbulua se për të bërë një të keqe kunder ish ushtarëve të UÇK-së deshi të përfundonte jetën e vet në nevojtore.
Heroi i trillimit
Personi i tretë që doli si hero i akuzës kundër Azem Sylës ishte Nazim Bllaca; një njeri i shkolluar për mesues, por i prirë për aventura. Doli me një CD ku producent dhe regjisor ishin dy deputetët e lartë-përmendur ndërsa skenari ishte i përgatitur kryekëput nga Serbia. Ky person doli me emër e me mbiemër për të gjithë ata që nuk ishin në taborrin e dy deputetëve të klanit të tij. Më herët ju kishte kërkuar një shumë të majme të parave disa njerëzve por nuk kishte pasur sukses, tani doli si burrat dhe akuzat i bëri publike kundër të gjithë atyre që nuk i kishin dhënë para.
Zhgënjimi nga kolegët e partisë
Azem Syla kohëve të fundit nuk e pati të lehtë as nga kolegët e tij partiak, njëri nga kolegët e tij i dërgoi forcat policore duke shkelur Çdo normë morale e demokratike për t’i rrahur njerëzit të cilët kishin qenë prezent në atë varrim. Në këtë rast, Azemi nuk i shpëtoi gazit lotësjellës dhe tërheqjes së vërejtjes që të jetë më i kujdesshem në paraqitjet publike.
Kohë më parë disa kolegë të Azemit kishin dhënë intervista tek një ish bashkëpunëtor i Stanishiqit (ish-shef i sherbimit sekret serb). Ata ishin deklaruar si themelues të UÇK-së, por në bisedë e sipër ishin sjellur fjalët ku edhe ky ish bashkëpunëtori i Stanishiqit kishte bashkëpunuar ngushtë me ta. Kjo paraqitje e nervozoi Azem Sylën dhe me një deklaratë për mediat ishte zotuar se së shpejti do të nxjerrin një libër ku do të sqaronte se si është themeluar UÇK-ja. Libri nuk doli kurrë por të paktën u ndalën tentimet për bërjen e një historie të pa qenë. Kjo deklaratë i kushtoi shumë shtrenjtë në varimin e Ali Aliut.
Azemi gjithmonë ka qenë një tip i mbyllur dhe shumë i thjeshtë në paraqitje duke mos insistuar që të dalin në skenë dhe të krijojë emër të madh në shoqërinë ku jetonte. Mirëpo, nëse dikush kishte nevojë për përkrahjen e tij, ai ishte i gatshëm në Çdo moment. Kjo pra e karakterizon moralin e fortë dhe atdhetarizmin e tij.
Kërcënimet dhe akuzat ndaj Azem Sylës për vrasjen e tradhtarëve
Atij iu kërcënuan më herët por nuk i mori shumë serioze telefonatat e Nazim Bllacës, të cilat rezultuan në fund si dëshmi për paraqitje të një aktakuze. Edhe nëse Azemi akuzohet si njëri nga urdhër-dhënësit e vrasjes së Selim Broshës apo oficierëve të UDB-së që përmenden në akuzat kundër tij nuk duhet te merret si një humbje për të. Ai e ka fatin që të akuzohet nga një grup për vrasjen e armiqve të popullit dhe për këtë gjë duhet të jetë krenar sepse Çdo shqipëtar do të donte të ketë këtë fat të madh.
Nese flitet për Selim Broshën, atëhere duhet të merret parasysh se Çfarë ka bërë ai. Përpos përgatitjes për vrasjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ai kishte bërë kërdi edhe në Kosovë, prandaj kushdo që të ketë dhënë urdhër ose të ketë shtënë mbi të do të duhej të dekorohej e jo të akuzohej. Në fund të fundit thuhet se me Selim Broshën ka qenë edhe nje historian i njohur i Kosovës në atë moment kur është bërë atentati; ai është akoma i gjallë dhe mund të deklarohet nëse ekzekutuesi i Selim Broshës ka qenë ai që paraqitet në aktakuzën e klanit “Bllaca.”
Lojën e serbisë nuk kanë të drejtë ta bëjnë as EULEX-i e as Klani i Bllacës
Kur përmendet shprehja “loja e serbisë, të sjell prapa në historinë e kohës së Millosheviqit ku kriminelët serb ruheshin, ndihmoheshin dhe trajtoheshin si të shenjtë, kurse shqiptarët trajtoheshin si kriminel e popull pa vlera. Prandaj, EULEX-i duhet ta ndryshoj strategjinë e veprimit dhe të ndërmarrin masa kundër atyre që masakruan civilët e Kosovës. Poashtu duhet të merren më seriozisht në kthimin e eshtrave të civilëve shqiptarë të cilët u bartën në Serbi gjatë luftës së Kosovës.
Azemi ka forcë morale t’i rezistojë edhe këtij plani serb, por ata që po e luajnë lojën e serbisë dhe flasin shqip duhet të kenë respekt për brezat e tyre të ardhshëm që të mos turpërohen nga historia. Është e pa-kuptimtë që EULEX-i bashkëpunon me kriminel për të dënuar Çlirimtarët, kjo nuk është e drejtë ligjore që të luhet loja “perÇaj e sundo” nga oraganizmat që erdhën për të vënë rendin dhe ligjin në Kosovë. Ata duhet të kuptojnë kompetencat e tyre si një privilegj për të pasur mundësinë e evropianizimit të Kosovës.
Azem syla mund të akuzohet e ndoshta edhe të dënohet nga EULEX-i, por vlerat e tij nuk bien asnjëhere, dhe në histori mbetet si një atdhetar i përkushtuar për lirinë e popullit shqiptarë.