leoni

Nezir Myrtaj: SALI BERISHA UA MOHON SHQIPTARËVE TË DREJTËN HISTORIKE TË RIBASHKIMIT

 


Më 19 janar, disa mjete të informacionit në Kosovë publikuan një deklaratë të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, lidhur me Kosovën dhe synimet e shqiptarëve të saj. Përmes kësaj deklarate, Sali Berisha, zbulimin e tij më të ri sikur paraqet faktin se populli i Kosovës nuk paska synime për bashkim me Republikën e Shqipërisë, sikurse që interesimi dhe gatishmëria për një bashkim të tillë nuk ekzistoka as te Tirana zyrtare. Kjo, sipas tij, për arsye se Shqipëria dhe Kosova, duke qenë të ndara për gati më se një shekull, tashmë na qenkan dy realitete të ndryshme. Për të thelluar edhe më tej “vizionaritetin” e tij lidhur me synimet e popullit të Kosovës, kryeministri Berisha konstaton se në rast të organizimit të një referendumi në Kosovë, për alternativën pavarësi, apo bashkim, 98 për qind e shqiptarëve atje do të votokan për pavarësinë e Kosovës e jo për bashkimin me Republikën e Shqipërisë!
Duket qartë se përmes kësaj deklarate, të cilës më tepër sesa papërgjegjshmëri i vjen era antikombëtarizëm, Sali Berisha shpall fundin e aspiratës historike të shqiptarëve të të gjitha trevave dhe të të gjithë brezave për të qenë të bashkuar si komb. Ai në realitet ua shqipton atyre dënimin e përjetshëm që të jenë si sot të ndarë e të copëzuar, të nënçmuar e të sunduar nga popujt fqinj. Ky mbase duket të jetë aksioni i tij më i ri në kuadër të fushatës tashmë të filluar për rishkrimin, riinterpretimin dhe ndryshimin e histories. Duket që kjo mani tash të jetë shndërruar në ambicie për ndryshimin edhe të vetë rrjedhës së historisë.

Gatishmëria dhe përkushtimi i Serbisë për ta mbajtur Kosovën brenda saj

Garancia e dhënë nga zotëri Berisha se populli i Kosovës nuk po pretendoka bashkimin me trungun e vet, Shqipërinë, sikur u sinkronizua përfektshëm me fushatën përmbyllëse parazgjedhore për kreun shtetëror të Serbisë, gjatë së cilës u demonstrua fryma e hegjemonizmit të egër serb për ta rikthyer sundimin mbi Kosovën. Ajo po ashtu erdhi në koherencë edhe me kërcënimet ruse se do të përdoren armët bërthamore në rast se do të cenohej sovraniteti dhe integriteti territorial i Rusisë apo i aleatëve të saj.
Pa dyshim, në radhën e këtyre aleatëve bën pjesë edhe Serbia, e cila shkëputjen e Kosovës prej saj e konsideron si cenim të sovranitetit dhe të integritetit të vet territorial. Në këtë kuptim, duke i paraqitur si realitete të ndryshme dy pjesët e një kombi, përkatësisht Shqipërinë dhe Kosovën, kryeministri shqiptar realisht u bën një shërbim të mirë, si Serbisë që pretendon ta konsiderojë Kosovën pronë të veten, ashtu edhe të gjithë atyre që ia njohin Serbisë të drejtën mbi këtë pronë. Sepse, një dallim të tillë të realiteteve ai nuk e konstaton kur është fjala edhe për raportet Kosovë-Serbi. Në anën tjetër, as me faktin se edhe Tiranës zyrtare po i mungoka interesimi dhe gatishmëria për një bashkim të mundshëm me Kosovën, ai nuk argumenton dot mungesën e interesimit, të gatishmërisë dhe të përkushtimit të Serbisë për ta mbajtur Kosovën brenda saj. Prandaj, në qoftë se synohet që në këtë mënyrë t’u lehtësohet kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, barra e frikës që ata kanë nga hipoteka e trilluar për të ashtuquajturën Shqipëri e Madhe, do të jetë kotësi.
Përpjekja për të argumentuar se Kosova dhe shqiptarët e saj nuk kanë asnjë tjetër qëllim, përveç pavarësimit nga Serbia, nuk do të zbusë aspak kundërshtarët e kësaj pavarësie. Mohimi i të drejtës së shqiptarëve të Kosovës për t’u ndarë nga Serbia nuk ka të bëjë fare me idenë e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe (përkundrazi, konstruktimi i kësaj ideje ishte shpikur për të pamundësuar ndarjen e Kosovës nga Serbia) dhe as me mungesën e argumenteve që sjell zotëri Berisha lidhur me synimet e shqiptarëve.
Ky mohim është rezultat i mirëfilltë i hegjemonizmit shekullor serb dhe i politikës kolonialiste që e mbështet këtë hegjemonizëm. Ai do të vazhdojë sot e në të ardhmen, përderisa shqiptarët andej e këtej kufirit dhe kudo që janë të mos shtrojnë kërkesat e tyre reale, të natyrshme e të ligjshme, pa inferioritet dhe pa frikën e hipotekës, për të realizuar të drejtën e ribashkimit të tyre kombëtar. Kjo e drejtë duhet të konfirmohet përmes institucionit të referendumit. Deri atëherë dhe paraprakisht është i papranueshëm çfarëdoqoftë prejudikimi, në stilin e Sali Berishës lidhur me vullnetin dhe synimet kombëtare të shqiptarëve në Prishtinë, Tiranë, Shkup apo Ulqin.

Askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të kombit e të brezave të tij

Si çdokush tjetër, edhe Sali Berisha ka të drejtë të shprehë pikëpamjet e tij lidhur me çështjet madhore kombëtare, siç është edhe aspirata për ribashkim. Për shfaqjen e këtyre pikëpamjeve, atë nuk mund ta qërtojë askush, sepse në fund të fundit përmes tyre zbulon ndërgjegjen që ka për një çështje të tillë. Mirëpo, ato që i tha këto ditë për synimet e shqiptarëve mund t’i deklarojë vetëm si Sali dhe së shumti si parti në krye të së cilës është, në qoftë se i lejohet prej saj. Ndërsa në asnjë mënyrë nuk është e drejtë dhe e pranueshme të flasë në emrin e shtetit shqiptar dhe të qeverisë që drejton, e aq më pak në emrin e kombit shqiptar e të brezave të ardhshëm të tij. Kjo sepse, siç thuhet, ajo që i lejohet Jovit, nuk i lejohet Bovit dhe nuk është Sali Berisha e asnjë Berishë tjetër, ai që mund të dirigjojë e përcaktojë synimet kombëtare të shqiptarëve e të brezave të tij. Ndërsa, konstatimi se shqiptarët tashmë nuk e synojnë bashkimin kombëtar, është një vlerësim i tij paushall, pasi siç dihet ai nuk mbështetet në kurrfarë vendimi, apo referendumi gjithëpopullor.
Prandaj, si i tillë ky konstatim, veç tjerash paraqet një fyerje, por edhe një mëkat ndaj gjithë atyre idealistëve të kombit tonë, të cilët gjatë periudhave historike, në vazhdimësi sakrifikuan deri edhe jetën, në luftën për mbijetesë kombëtare, për bashkim dhe liri kombëtare, për faktorizim dhe prosperim të kombit. Në këtë kontekst, duhet falënderuar fatin që vendimi për këtë luftë nuk ishte në duart e Sali Berishës çfarë po shfaqet, sepse po të varej prej tij, gjatë periudhave historike nuk do të kishte besëlidhje shqiptare, as Lidhje të Prizrenit, as Konferencë të Bujanit, as vjeshtë të 68-tës në Kosovë, as pranverë të 81-tës dhe as luftë të UÇK-së.
Me të drejtë shtrohet pyetja, si do të mund t’i zhvillonte të gjitha këto ngjarje të lavdishme një popull të cilit do t’i mungonte synimi për bashkim kombëtar dhe një popull për të cilin, ndarja e dhunshme në dy e më shumë pjesë do të ishte një realitet i pranueshëm? Natyrisht, përgjigja duhet kërkuar në faktin se zjarri i idealit të lirisë kombëtare nuk ishte shuar kurrë te shqiptarët e andej dhe këtej kufirit dhe te fakti tjetër shumë i rëndësishëm se realiteti i krijuar nga ky kufi ishte përjetuar si realitet i dhunshëm, prandaj si i tillë, ai kurrë nuk qe i pranueshëm për shqiptarët si komb. Mund të thuhet se këtë realitet mund ta pranonin vetë ata individë, të cilët identitetin e tyre kombëtar do ta shkëmbenin me poste, me favore e me shërbime të tjera.

UÇK-ja luftoi për t’i dhënë fund ndarjes dhe pushtimit

Lidhur me konstatimin se ndarja gati njëshekullore e shqiptarëve paska krijuar te ata dy realitete të ndryshme, për të cilat kryeministri shqiptar lë të nënkuptohen si akte të kryera e të pranueshme, duhet marrë parasysh faktin se ndarja e Kosovës nga trungu i vet, Shqipëria, si akt i dhunshëm pushtimi, i rezultuar me një realitet po ashtu të dhunshëm nuk arriti kurrë ta tjetërsojë identitetin kombëtar të shqiptarëve, të cilët dhanë prova të panumërta të kundërshtimit e të luftimit të këtij realiteti të papranueshëm. Prova më e qartë e këtij kundërshtimi, pa dyshim ishte lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Siç dihet në këtë luftë morën pjesë bijë e bija shqiptare, pothuajse nga të gjitha trevat shqiptare, duke i dhënë asaj karakterin e vërtetë të një lufte gjithëkombëtare. Për kryeministrin shqiptar mund të jetë fakt i panjohur, por ai duhet ta di se në betejat e kësaj lufte kishin luftuar dhe kishin rënë luftëtarë nga qytetet dhe fshatrat e ndryshme të Shqipërisë, në radhën e të cilëve edhe Indrit Cara i Kavajës, Astrit Suli i Kuçovës, Halit Coka i Tiranës, Ndriçim Koxhaj i Librazhdit, Tahir Sinani i Tropojës, Skerdilajd Llagami i Tiranës dhe shumë e shumë atdhetarë të tjerë. Prandaj të thuash pas tërë këtij gjaku të freskët të derdhur rrëke me qëllim për t’i dhënë fund pushtimit, shtypjes dhe ndarjes, se shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptarët në Kosovë përbëjnë dy realitete të ndryshme dhe se te ata nuk ekziston ideali për bashkim, është blasfemi e llojit të veçantë.

“Një komb-dy realitete!”

Sot është shumë e dukshme tendenca dhe përpjekja për të përjetësuar ndarjen e Kosovës nga Shqipëria natyrale dhe si rrjedhim për të krijuar një realitet të ndryshëm kombëtar për shqiptarët e Kosovës. Ajo është mjaft agresive edhe brenda Kosovës dhe thelbin e saj e përbën i ashtuquajturi identitet kosovar. Ky identitet pretendohet të veshet e stoliset me xhevahiret e quajtur kombi kosovar, gjuha kosovare, kultura kosovare, himni

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …