Takimit të 28 shtatorit në Nju-Jork i parapriu një reklamë mjaft pompoze. Këto ditë, secila nga palët e këtij takimi, e interpretoi rëndësinë e tij në dritën e interesave dhe qëllimeve të veta.
Pala organizatore, treshja Ishinger-Kharçenko-Uizner, nuk kishte arsye të shprehej e pakënaqur me rezultatet e strategjisë së saj për t’i ulur delegacionet nga Beogradi dhe Prishtina në një takim të drejtpërdrejtë, ku me sa dihej deri tash, bisedimet nuk do të kenë rend të paracaktuar dite, ku nuk do të përmenden kurrfarë “emërtimesh”, apo cilësorësh mbi pavarësinë, ku nuk do të lejohen tema përjashtuese, si dhe ku do të prezantohen vetëm parimet e konceptet që kanë të bëjnë me kompromisin dhe marrëveshjen sa u përket raporteve të synuara ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Pala nga Beogradi është shprehur e kënaqur dhe optimiste me takimin e drejtpërdrejtë në Nju-Jork, i cili sipas saj shënon fillimin e një procesi, që ka të bëjë me imponimin e kompromisit të ofruar, që përjashton çdo formë të shkëputjes së Kosovës nga Serbia. Ajo është shfaqur triumfuese edhe në kuptimin e mbrojtjes së të drejtës ndërkombëtare mbi tërësinë territoriale të shteteve sovrane.
Ndërsa, pala nga Prishtina, në formën e një triumfalizmi të pështirë kamuflohej sikur në Nju-Jork do të shkonte për ta argumentuar konceptin e pavarësisë së Kosovës e jo për ta negociuar vetë pavarësinë dhe sikur atje do të shkonte jo për të legjitimuar instruksionet e “miqve” dhe të armiqve për vazhdimin e negociatave për kompromise të reja që cenojë në thelb interesat e Kosovës, por për të ofruar konceptin e fqinjësisë së mirë me Serbinë e të raporteve të passtatusit ndërmjet “dy shteteve sovrane”.
Sidoqoftë, duket qartë se përfituese e vetme e takimit të Nju-Jorkut do të jetë pala nga Beogradi dhe aleatët e saj. Ky është një fakt i qartë sepse vetë takimi është rezultat i këmbënguljes së kësaj pale për të zvarritur procesin e vendimmarrjes për statusin e Kosovës, deri në momentin kur një vendim i tillë do të konfirmonte interesat shtetomëdha të Serbisë. Do të jetë përfituese, sepse me imponimin e takimit të drejtpërdrejtë me të ashtuquajturin grup negociator të Kosovës, Qeveria e Serbisë, praktikisht rifillon procesin e dikurshëm të improvizuar nga Milosheviqi të dialogut të brendshëm me grupin e disa “shqiptarëve të ndërshëm” nga Kosova, lidhur me problemet në relacionin Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst, këto ditë, Parlamenti serb formoi me rezolutë të posaçme grupin e ri të bisedimeve për Kosovën, i cili pa dyshim do të ketë edhe detyrime kushtetutare për të përfillur klauzolën sipas së cilës Kosova definohet si pjesë e patjetërsueshme e territorit të Republikës së Serbisë.
Siç u bë publike, në këtë grup janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë qeveritarë përgjegjës për Kosovën, përfaqësues të serbëve dhe mbase edhe të popullsive të tjera joshqiptare nga Kosova. Në këtë mënyrë, pasardhësit e Millosheviqit duan ta ripërtërijnë strategjinë e tij për improvizimin e bisedave të drejtpërdrejta me vartësit e tij, me qëllim që problemi i Kosovës të zbresë brenda kuadrit të Serbisë.
Me realizimin e takimit të drejtpërdrejtë ndërmjet zyrtarëve të lartë të Serbisë dhe një grupi mishmash e mbiinstitucional negociatorësh që paraqitet paligjshëm si pronar i interesave jetike të Kosovës, çështja e Kosovës përjeton goditje dhe degradim të ri të pozitës së saj. Efekti i tij do të jetë zhveshja e kësaj çështjeje nga dimensioni kombëtar e ndërkombëtar i peshës së saj dhe rikthimi i kësaj çështjeje në problem të brendshëm të shtetit të Serbisë, pavarësisht se kësaj radhe ai po mbahet në Nju-Jork e jo në Beograd. Në qoftë se rruga nëpër të cilën po marshon Grupi Negociator i Prishtinës do të vazhdojë në drejtimin e tashëm, duhet pritur që takimet e tilla të drejtpërdrejta të vazhdojnë në mënyrë të zakonshme, madje pas Dhjetë Dhjetorit të shumëpërfolur nga politikanët që tashmë çështjen e Kosovës e kanë shndërruar në biznes të frytshëm, mund të parashihet që vendtakime të ardhshme të mos jenë Vjena e Nju-Jorku, por Beogradi dhe Prishtina.
Pallavrat deklarative
Se cila do të jetë pozita e Kosovës në takimin e Nju-Jorkut, tashmë është fare e qartë.
Deklaratat e anëtarëve të Grupit Negociator, të cilat opinioni ynë i ka dëgjuar çdo ditë e çdo orë, se pavarësia do të jetë e panegociueshme, se në këtë takim do të diskutohen vetëm raportet e ardhshme midis dy fqinjve të pavarur e sovranë e të tjera, janë vetëm pallavra deklarative për konsum të brendshëm. Në të vërtetët, faktin se koncepti i pavarësisë do të jetë i panegociueshëm në këtë takim, nuk duhet ta dyshojë askush. Në koherencë me deklaratat e Grupit Negociator nga Prishtina, për këtë çështje, kanë qenë edhe ato të krerëve nga Beogradi dhe të treshes BE-Rusi-SHBA. Kjo ishte edhe pika që i kishte bashkuar këto tri palë lidhur me takimin e Nju-Jorkut.
Traktati i kapitullimit
Pavarësisht prej dykuptimësisë së demagogjisë të Grupit Negociator, qytetarët e Kosovës duhet ta kenë të qartë se më 28 shtator, në Nju-Jork nuk mbrohen interesat dhe aspiratave të tyre, por do të hapen shtigjet për kompromise të reja të dhembshme, siç është bërë praktikë të cilësohen ato, në dëm të këtyre interesave dhe aspiratës së pavarësisë. Tashmë nuk janë fshehtësi paralajmërimet se atje do të shtrohen tema me të cilat synohet t’u jepet fund shpresave të shqiptarëve për të realizuar pavarësinë dhe sovranitetin e vendit të tyre. Përmbajtja e këtyre temave do të jetë brenda të ashtuquajturit Traktat i Fqinjësisë së Mirë, të cilin do ta ofrojë Grupi Negociator nga Prishtina dhe në Pesë Parimet e qeverisë serbe që do t’i paraqesë kreu i Beogradit. Konvergjimi i këtyre dy dokumenteve do të prodhonte kompromisin e parashikuar për statusin politik të Kosovës, në variantet: autonomi substanciale (sipas insistimit të Beogradit shtetëror); status i papërcaktuar i mbikëqyrur (sipas konceptit të shprehur nga gjermani Ishinger), ose konfederatë, gjithsesi asimetrike dhe pa të drejtë shkëputjeje ndërmjet një republike autonome të Kosovës dhe Serbisë (opcion i pëlqyeshëm nga qarqet ndërkombëtare, por edhe i pranueshëm nga Beogradi).
Dokumenti me të cilin do të paraqitet Grupi Negociator i Kosovës, Traktati i Fqinjësisë së Mirë, në fakt, paraqet platformën e variantit të tretë mbi konfederatën. Me këtë dokument, që mund të konsiderohet traktat i kapitullimit, nënshtrimit, përuljes, shpërfilljes së krimeve dhe sundimit të egër njëshekullor të Serbisë mbi Kosovën, propozohet që Kosova e Serbia të themelojnë organe të përbashkëta në formën e një Këshilli të përhershëm të bashkëpunimit, si “forum për konsultime të rregullta në çështjet prioritare me interes të përbashkët”. Çdo koment tjetër është i tepërt që të pikaset qëllimi i synuar me këtë dokument të hartuar nga kushedi kush dhe kushedi ku, i përkthyer në gjuhën shqipe dhe i përvetësuar nga Grupi Negociator.
Prandaj, është e qartë se në Nju-Jork, Grupi Negociator nuk shkoi për të mbrojtur konceptin e pavarësisë, por Traktatin e Fqinjësisë së Mirë, për ndërtimin e urave të reja të lidhjes me Serbinë.
Me takimin e Nju-Jorkut, pa dyshim, Kosova po hyn në një fazë të re të rrezikut për të ardhmen e vet politike. Këtë fakt e dëshmon edhe paqëndrueshmëria dhe ritmi i shpejtë i ndryshimit të kursit të qendrave diplomatike, të pasqyruara nga deklaratat eksplicite të përfaqësuesve të tyre. Gatishmëria e shprehur për të pranuar dhe njohur çdo formë të marrëveshjes që do të mund të arrijnë aktorët e negociatave, në realitet paraqet braktisjen e tri parimeve fundamentale të Grupit të Kontaktit lidhur me të ardhmen e Kosovës; Mohimi që i bëhet opcionit të pavarësisë, në emër të shmangies së prejudikimeve, është pikërisht prejudikim i opcionit që e përjashton pavarësinë; Ideja e Ishingerit mbi një status të mbikëqyrur, që në fakt paraqet një formë protektorati, po ashtu është qëndrim kundër pavarësisë; Dhe më në fund, hedhja tashmë në koshin e plehrave e të ashtuquajturës Pako e Ahtisarit, dëshmon se pavarësia e Kosovës, madje as me ndajshtesa e parashtesa, nuk do të mund të arrihet përmes negociatave me Serbinë agresore dhe as përmes instrumenteve të kurdisura, të llojit të Grupit Negociator.
Populli i Kosovës duhet ta di përfundimisht se liria, pavarësia dhe sovraniteti nuk do t’i vijnë kurrë as nga ky grup, i cili as ishte bërë për një qëllim të tillë, dhe as nga ata që e kishin formuar atë. Oscilimet dhe fluiditeti i qëndrimeve të sotme diplomatike, janë argumenti më i mirë se për sa kohë që populli i Kosovës do të luajë rolin e spektatorit iluzionist e jo të aktorit kryesor në bërjen e shtetit të tij, nuk do ta realizojë atë. Populli i Kosovës duhet ta kuptojë përfundimisht se proceset prej të cilave ai është i përjashtuar, nuk do të rezultojnë kurrë me pavarësinë e tij shtetërore. Ai duhet t’i kthehet vetvetes dhe përmes të drejtës për shprehjen e vullnetit politik me referendum, mbështetur në parimin ndërkombëtar për vetëvendosje, të përmbushë synimet.
Kontrolloni gjithashtu
Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se SHBA-të po luajnë me zjarrin
Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me …