leoni

Nezir Myrtaj: Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe

(Me rastin e 23-vjetorit të rënies)

Për shkak të vështirësive të mëdha që kishte shkaktuar segregacioni serb në Kosovë, veçanërisht në fushën e arsimit, si mjet presioni ndaj shqiptarëve të cilët po refuzonin ta njihnin Serbinë e Madhe pas heqjes së autonomisë politike të Kosovës, pas vitit 1989 shkolla shqipe ishte vënë e tëra jashtë sistemit legal. Si pasojë e këtyre rrethanave, anembanë Kosovës ishin hapur dyert e shtëpive shqiptare për nxënësit shqiptarë, në mënyrë që të mundësohej mbijetesa e shkollës shqipe. Kjo formë e mbijetesës së kësaj shkolle vazhdoi gjatë tërë viteve të dekadës së fundit të shekullit njëzet, deri pas përfundimit të luftës çlirimtare dhe mposhtjes së pushtuesit serb, më 1999.

Më 31 janar të vitit 1992, në fshatin Uçë të Burimit kishte ndodhur një krim i rëndë, i kryer nga policia serbe mbi disa banorë duarthatë të një lagjeje të këtij fshati. Në mëngjesin e asaj dite, patrulla e policisë serbe e cila po ngjitej rrugës së fshatit nga drejtimi i fshatit Rakosh, kishte takuar një grup nxënësish shqiptarë që po udhëtonin në drejtimin e kundërt për te shtëpia ku po mbahej mësimi shqip, në një lagje të Rakoshit. Të shtyrë nga shovinizmi, urrejtja antishqiptare dhe nga mllefi i madh pse po shihnin të rinjtë shqiptarë të vazhdonin shkollimin edhe në kushtet e ndalesës nga organet shtetërore, policët i kishin ndaluar këta të rinj për t’i bastisur dhe arrestuar. Kjo ngjarje po zhvillohej afër shtëpive të familjeve Hoxhaj dhe Hysenaj, prandaj ishte vërejtur nga kryefamiljarët e këtyre shtëpive. Pasi kishin parë përpjekjet e fëmijëve për t’u shpëtuar kthetrave të kriminelëve të uniformuar, duke rezistuar të hynin në veturën e policisë, në ndihmë dhe mbrojtje të tyre kishin dalë Bajram Hoxhaj, Muharrem Hysenaj, vëllezërit Hasan e Azllan Hysenaj, si dhe biri i Azllanit, Imeri.

Reagimi i këtyre burrave të fshatit kishte bërë që nxënësit e ndaluar nga policia serbe të largoheshin pa pasojë nga vendi i ngjarjes, por në shenjë hakmarrjeje për përçmimin që u ishte bërë dhe nga ana tjetër duke parë edhe trimërinë dhe vendosmërinë e burrave me të cilët kishte filluar konflikti dhe përleshja, policia kishte zbrazur mbi ta rafalin eautomatikëve. Nga plagët vdekjepruese të marra në sfidën kundër kriminelëve serbë, kishin vdekur Bajram Hoxhaj e Muharrem Hysenaj, kurse rëndë kishin mbetur të plagosur Hasan Hysenaj, Azllan Hysenaj dhe i biri Imeri.

Pas dy javë lufte me jetën, plagëve të marra nuk kishte arritur t’u përballonte as Hasani. Ende pa u prehur mirë trupat e dëshmorëve Muharrem Hysenaj dhe Bajram Hoxhaj, në shtratin e amshueshëm, më 15 shkurt të atij viti, ndanë tyre u shtri edhe trupi plot plagë e plumba të armikut gjakatar serb, i dëshmorit Hasan Hysenaj. Dhe tash përkrah vëllezërve të tij, ai do ta ndiente veten të qetë, siç qe krenar ditën kur përkrah tyre ishte edhe para plumbave të çetnikëve serbë.

Pas këtij sulmi kriminal të policisë serbe dhe vrasjes së shkaktuar, së shpejti ishte dhënë alarmi në formë kushtrimi në tërë fshatin, prandaj burrat e tij kishin arritur me ngut te vendi i ngjarjes, por atëherë kriminelët kishin lënë pas vetëm gjakun dhe viktimat. Mllefi, tensioni dhe gatishmëria për të vdekur në mbrojtje të nderit e të jetës së shqiptarit dhe të solidarizimit me të rënët kishin arritur kulmin. Në këtë atmosferë të tensionuar, armiku i tërhequr nga vendi i krimit ishte rikthyer me autoblinda e me armatime të shumta, tytat e të cilave po drejtoheshin dhe po mbanin në thumb masën e tubuar të fshatarëve. Po ashtu, së shpejti lajmi kishte marrë dhenë, jo vetëm në trevën e komunës së Burimit, por edhe në ato më larg. Prandaj, masat e njerëzve kishin marrë rrugën në drejtim të Uçës dhe brenda dy-tri orësh në Uçë dhe rreth saj ishin dyndur mijëra burra të rinj e të vjetër, disa prej të cilëve kishin marrë me vete edhe ndonjë armët që kishin poseduar. Ndërkohë, nga ajri po vëzhgonte helikopteri i armikut. Kjo situatë kishte zgjatur deri në orët e pasditës.

Atë ditë ishte zhvilluar një betejë lufte, ku kishte munguar vetëm zjarri i armës shqiptare.

Të rënët në sulmin policor në Uçë ishin bërë simbol i mbrojtjes së shkollës dhe gjuhës së atakuar shqipe dhe i flijimit për arsimin e ngulfatur shqip, duke dhënë gjakun dhe jetën e tyre dhe duke u radhitur në panteonin e pavdekshëm të atdheut. Emri, guximi dhe flijimi i tyre u përjetësuan në mbishkrimin e shkollës së fshatit të tyre, e cila mban emrin: “Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe”.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …