Nezir Myrtaj: Xhevdet Syla, shembull i përkushtimit atdhetar

Nezir Myrtaj: Xhevdet Syla, shembull i përkushtimit atdhetar

 Më 5 nëntor të vitit 2015, sëmundja e rëndë e pashërueshme ia mori Kosovës birin e përkushtimit atdhetar dhe njërin prej veprimtarëve të palodhshëm të lëvizjes kombëtare, ish të burgosurin politik dhe punëtorin shumëvjeçar të arsimit, Xhevdet Syla. Vdekja e Xhevdetit ishte humbje e madhe, jo vetëm për familjen, miqtë dhe bashkëveprimtarët e tij, por edhe për arsimin tonë dhe për vetë Kosovën, për lirinë e të cilës ai kishte vuajtur katër vite burg të rëndë në burgun famëkeq të Nishit në Serbi.

Xhevdeti ishte bir i një familjeje të ndershme nga fshati Kopernicë i komunës së Dardanës. Pas shkollimit të mesëm në Gjilan kishte regjistruar studimet në degën e fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në Prishtinë, ku më pas ishte vendosur me banim edhe familja e tij. Gjatë periudhës së studimeve ndërkohë kishte filluar edhe të punonte si mësimdhënës i lëndës së fizikës, fillimisht në fshatin e lindjes e në Gjilan, kurse më pas në Prishtinë. Në vitet e pasluftës punoi në shkollën e mesme teknike “Shtjefën Gjeçovi” të Prishtinës. Kudo që punoi, u dallua me përkushtimin e tij profesional, duke dhënë edhe shembullin e edukatorit model, i cili do t’u duhej gjeneratave tona të ardhshme.

Gjatë viteve të shkollimit në Gjilan, Xhevdeti kishte përjetuar atmosferën e krijuar nga demonstratat e Nëntorit të vitit 1968, e cila kishte ndikuar fuqishëm në ndjenjat dhe në formimin e tij kombëtar, siç kishte ndikuar edhe në formimin e bashkëkohanikut dhe bashkëveprimtarit të ardhshëm Rexhep Malaj dhe gjithë brezit të tyre.

Më pas në Prishtinë Xhevdeti ishte inkuadruar në lëvizjen e organizuar atdhetare brenda së cilës kishte dhënë kontributin e tij të çmueshëm. Si pjesëtar i kësaj lëvizjeje, pas demonstratave të Marsit e Prillit të vitit 1981 ai ishte arrestuar dhe dënuar për veprimtari kundër shtetit sundues jugosllav dhe të ashtuquajturit vëllazërim-bashkim të rrejshëm jugosllav. Në të gjitha situatat përballë organeve të pushtetit të atëhershëm jugosllav, ku ligjin e bënin organet serbe, ndërsa në ekzekutimin e tij kontribuonin vartëset e tyre në Kosovë, Xhevdeti kishte dëshmuar dinjitet e qëndresë, duke mbrojtur kauzën e Kosovës dhe të popullit të saj për liri përmes kërkesës gjithëpopullore që kishte shtruar koha si imperative, “Kosova-Republikë”.

Atdhetari Xhevdet Syla i kishte të rrallë shokët si ai, i cili në asnjë rrethanë nuk e ndërroi qëndrimin dhe as përcaktimin duke ngelur deri në fund të jetës së tij njeri i thjeshtë, i ndershëm, i dashur, guximtar dhe besnik absolut i idealeve të lirisë së Kosovës dhe bashkimit kombëtar. Njerëzit si Xhevdeti do t’i mungojnë Kosovës!

Mua më kishte takuar çasti fatlum ta njihja Xhevdetin dhe ta kisha atë përkrah në ditët kur Kosovës dhe interesit të saj i duhej mbështetja e pakursyeshme, sakrifica dhe gatishmëria atdhetare për veprim. Në këtë të rrugë rëndë por të lavdishme të veprimit të organizuar për ta çliruar Kosovën, Xhevdeti kishte hyrë me bindjen dhe vendosmërinë e paluhatshme, sepse liria e Kosovës dhe e popullit që i përkiste i ishte bërë siç i mbeti përjetë simbol i shenjtë i qenies së tij. Kjo ishte gatishmëria për të ecur deri në fund rrugës së sakrificave e të vuajtjeve për çështjen e madhe e të përbashkët të lirisë së Kosovës. Në këtë rrugë ai u bë shembull qëndrese dhe frymëzimi për të gjithë ata që të njohën dhe ecën shtegut të tij. Qëndresa prej burri, guximi, besnikëria dhe shpirti atdhetar ishin dhe mbetën letërnjoftimi i përjetshëm i birit të Kosovës Xhevdet Syla. Këto parime të etikës njerëzore e kombëtare përbëjnë biografinë e tij të thjeshtë siç ishte edhe vetë personi i tij, por të pasur, siç ishte edhe vetë shpirti i tij fisnik. Si të tillë, me krenari të ligjshme, bashkëfamiljarët e tij do ta kenë udhërrëfyes jetësor; shokët dhe bashkëveprimtarët e tij do ta kujtojnë me pietet të lartë dhe do ta ruajnë në kujtesë si shokun dhe bashkëveprimtarin model, kurse gjeneratat e shumta të shkollarëve të ngritur e të kalitura nga Xhevdeti, me arsimim dhe edukatë të shëndoshë njerëzore do ta kujtojnë si edukatorin dhe arsimuesin shembullor.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …