Dëshmori Nezir Mujaj ka lindur në fshatin Tedel (Vrellë) të Burimit (Istog), më 10 gusht të vitit 1968. Rrjedh prej një familjeje bujare e atdhetare. Prindërit e tij, Salihu e Begija rritën shtatë fëmijë: Sylën, Isufin, Hazirin, Nezirin, Ajshen, Nurien dhe Mejremen. Nezirit, të voglit prej djemve, sikur ia kishte paracaktuar fati të flijohej për një çështje madhore, siç është liria e kombit dhe bashkimi i tij. Prandaj, ai edhe dallohej me tipare të veçanta shpirtërore e fizike. Afërsia dhe dashamirësia e shprehur ndaj njerëzve kishte bërë që të ndërtojë raporte shumë të afërta me një rreth të gjerë shokësh të brezit të tij, si Jakup Bicajn e Bedri Sefajn nga Tedeli, Gani Zekajn nga Mojstiri e të tjerë.
Neziri e ka kryer shkollën fillore në fshatin e lindjes, kurse të mesmen në Burim. Për shkak të rrethanave të kohës, e veçanërisht për shkak të atyre familjare, duke qenë familja e tij nën presionin e pushtuesit, e përndjekur dhe e keqtrajtuar nga sigurimi i shtetit jugosllav, nuk arrin ta vazhdojë shkollimin e mëtejmë. Prandaj pas shkollës së mesme angazhohet në punë bujqësie për ta ndihmuar familjen.
Kishte qenë vetëm pesëmbëdhjetë vjet Neziri kur ishte ballafaquar me vrazhdësinë kriminale të pushtetit jugosllav. Në vitin 1983, policia e “vëllazërim-bashkimit” jugoslla e kishte arrestuar vëllain e tij, Hazirin, me ç’rast edhe e kishte dënuar me dy vjet burg, nën akuzën për veprimtari irredentiste e nacionaliste shqiptare. Ai ishte shpallur fajtor për shkak të shkrimit të parullës Kosova-Republikë dhe vendosjes së flamurit kombëtar te vendi i quajtur Kershi i Kuq mbi shkrepat e fshatit Tedel. Për këto vepra ishin arrestuar edhe shumë të rinj të tjerë, shokë të Hazirit, siç janë Mustafë Demaj, Milazim Blakaj, Feriz Blakaj (dëshmor), Adem Rexhaj, Shukri Zeqiraj, Hazbi Zeqiraj, Halit Zeqiraj, Avdullah Zeqiraj e të tjerë. Ky fakt e kishte skalitur në mendjen dhe ndërgjegjen e Nezirit rëndësinë që ka dhe duhet ta ketë për secilin, liria e atdheut dhe e popullit të vet. Prandaj, çasti për ta dëshmuar dashurinë e tij për atdheun arriti me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me ngritjen prej saj të flamurit çlirimtar, në llogoret e luftës në Drenicë, Dukagjin, Pashtrik e në zona të tjera të Kosovës.
Përkushtimin e tij për ta ndihmuar luftën çlirimtare e tregon sapo formon lidhjet të cilat do t’ia mundësojnë të angazhohet në segmente të caktuara të saj, e sidomos në bartjen e armatimit përmes korridoreve që më 1998 kishte krijuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Bashkë me shumë shokë të fshatit e të rrethinës, u radhit në radhët e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të Zonës Operative të Dukagjinit, e cila u formua në janar të vitit 1999. Kjo brigadë bëri parapërgatitjet e duhura për shtrirjen e veprimeve luftarake edhe në fshatrat rrëzë bjeshkës, nga Burimi e deri në Jabllanicë dhe më tej në Radafc e Fshat të Ri. Vija e luftimit në këto anë u hap më 24 mars të vitit 1999, ditën kur filloi edhe sulmi i NATO-s mbi makinerinë ushtarake e shtetërore të Serbisë.
Pas kësaj date, Neziri, sikurse edhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë, ishte i ngarkuar me obligime të rregullta ushtarake. Forcat serbe, të përqendruara në Banjë, Dobrushë, Kodër të Tomocit, Lubozhdë e vende të tjera, sulmonin me topa e raketa pandërprerë. Ato synonin ta merrnin nën kontroll arterien rrugore që lidh fshatrat e rrëzëbjeshkës, nga Burimi në drejtim të Banjës e të Radafcit ku kalonte rruga për në Rozhajë. Përë këtë qëllim ato kishin planifikuar një aksion të pëqendruar ushtarak, i cili u ndërmor më 12 prill 1999 dhe i cili kishte për qëllim depërtimin në zonën e kontrolluar nga UÇK-ja dhe dëbimin me terror të popullatës së kësaj zone nga Kosova. Sulmi i ashpër me armë artilerie të kalibrave të mëdhenj, filloi në orët e paraditës të atij 12 prilli dhe beteja vazhdoi deri në mbrëmje. Pozicionet e UÇK-së të vendosuara në Lubozhdë, Tedel, Studenicë e në vende të tjera, u rrahën me top e minahedhës në çdo pëllëmbë të tyre. Në këto pozicione, në pjesën lindore të fshatit Tedel, me “njëqindshin” e tij në istikam e me bomba dore, përkrah çlirimtarëve ndodhej edhe dëshmori Nezir Mujaj. Ai luftoi dhe qëndroi deri në minutat e fundit të jetës, kur hyri në përjetësi, përkrah dëshmorëve Ismet Bicaj, Smajl Fetahaj, Arben Visoqi e të tjerë. Në betejën e 12 prillit të vitit 1999, në pozicionet dhe bedenat e fshatit Tedel ranë 12 dëshmorë të kombit.
Familja e Nezirit, bashkëshortja Nuria me tre fëmijët: Lenditën, Labinotin dhe Liridonin, si dhe vëllezërit me familjet e tyre, ishin larguar nga shtëpia një ditë më parë dhe përmes bjeshkëve e Malit të Zi arrijnë në Shkodër. Në shtëpi kishte ngelur vetëm nëna e Nezirit, e sëmurë dhe uloke, e cila nuk kishte pranuar të largohej edhe për faktin që të mos e linte të birin vetëm.
Një ditë pas thyerjes së vijës së frontit dhe depërtimit në fshatin Tedel, forcat serbe djegin e rrënojnë çdo gjë para vetes. Në këtë fushatë barbarie, ata vranë në shtëpinë e saj edhe nënën e Nezirit, Begijen. Trupi i saj është gjetur tri javë më vonë pas përfundimit të luftës, derisa po hapej një gropë për vendosjen e një shtylle elektrike. Disa javë pas përfundimit të luftës, në varrezat e Pejës u gjet edhe varri me trupin e dëshmorit Nezir Mujaj. Rivarrimi i tij u bë në varrezat e vendlindjes, me nderime të merituara ushtarake nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga populli i kësaj treve. (N. M.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …