Të dhënat zyrtare të Inspektoratit Policor të Kosovës, bëjnë të ditur ga rreth 8 mijë policë që ka Policia e Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar janë ngritur procedura për shkelje disiplinore ndaj 1 mijë e 64 policëve, ndërsa ndaj 173 policëve janë iniciuar procedurat nën dyshimin e kryerjes së veprave penale. Gjatë vitit 2015, ky institucion nga 173 raste me elemente të veprës penale, 108 ka dërguar me kallëzim penal nga Departamentet e Hetimeve në prokuroritë kompetente. Ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 53 raste, kurse 12 raste janë në proces të hetimit të bartura për vitin 2016. Në total ishin 220 punonjës të PK-së si subjekt i hetimit nga IPK-ja. Ndërsa, janë 62 vepra penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare. Gjithashtu, gjatë gjithë vitit, IPK-ja ka ndërmarrë masa dhe rekomandime që kanë quar në 3 arrestime, 39 rekomandime për suspendime dhe 11 rekomandime për transferime.
Zëdhënësi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tha për KosovaPress se numri i ankesave ndaj policëve të PK-së në vitin 2015 ka qenë më i vogël në raport me vitin 2014. Derisa tregoi numrin e policëve ndaj të cilëve janë ngritur procedura për shkelje disiplinore dhe për kryerje të veprave penale, Beka tha se suspendimi i zyrtarëve policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Veri të Mitrovicës tregon se nuk bëhet ndonjë dallim i zyrtarëve mbi përkatësinë etnike.“Gjatë vitit 2015 Inspektorati Policor i Kosovës në kuadër të mandatit ligjor ka trajtuar një mijë e 237 ankesa. Fatmirësisht shumica nga to kanë qenë me elemente të shkelje disiplinore ose shkelje të lehta disiplinore të cilat nuk janë trajtuar në inspektorat, derisa një përqindje e vogël kanë mbetur për tu trajtuar nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, më saktësisht nga Departamenti i Hetimeve. Gjithsej kanë qenë 173 raste me elemente të veprës penale, të cilat janë trajtuar nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të ngushtë edhe me prokurorët kompetent. Mund ta them se vetëm në fillim të vitit ka pasur rreth 13 zyrtarë nga Drejtoria Rajonale e Veriut që kanë qenë të suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor për shkak se dyshimit se të njëjtit kanë kryer shkelje disiplinore ose vepër penale. Kjo nënkupton që nuk bëhet ndonjë dallim mbi bazat të themi se cilit komunitet i takon”, tha ai.