Lufta e Kosovës për liri ishte e shenjtë. Gjithë Perëndimi u vu në lëvizje për të ndihmuar një popull ndaj të cilit po bëhej genocid dhe krime kundër njerëzimit. Në krye të të gjithë këtij aksioni ishte SHBA dhe Britania e Madhe, pastaj vinin shtetet aleate. Serbia po përballej me humbjen më të madhe në historinë e saj. Lufta e Kosovës varrosi Jugosllavinë dhe ndarja e Malit të Zi nga Serbia varrosi konceptin e Serbisë së Madhe. Po çfarë ndodhi gjatë luftës së vitit 1998-1999? Dua të ndaloj tek një gjë, pasojat e të cilës po gjunjëzojnë reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Atë botë, Serbia përveç se po bënte luftë duke tentuar spastrimin etnik të Kosovës, bënte edhe grumbullin e “fakteve” të cilat sjellin të pandehur krerët më të lartë të ish-UÇK-së përpara një gjykate penale ndërkombëtare në Hagë, përkatësisht Dhomave të Specializuara pranë kësaj Gjykate. Çfarë janë Dhomat e Specializuara? Dhomat e Specializuara funksionojnё nё bazё tё ligjeve pёrkatёse tё Kosovёs, tё drejtёs zakonore ndёrkombёtare si dhe tё drejtave ndërkombëtare të njeriut (neni 12 i Ligjit të Dhomave të Specializuara).
Pas një raporti të datës 7 janar 2011 të paraqitur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nga senatori zviceran Dick Marty, në shtator të të njëjtit vit BE-ja themelon Task Forcën Hetimore Speciale (TFHS), për të vërtetuar pretendimet e nxjerra nga ai Raport. Fatkeqësisht, ky Raport, u votua edhe nga Shqipëria në KE, pa asnjë arsye! Serbia “festoi” për votën e palës shqiptare. Kosova tani më kishte rënë edhe brenda kësaj humnere pa dritë për momentin. Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshje ndërkombëtare me BE-në (23 prill 2014), më 3 gusht 2015 miraton amandamentin kushtetues (nenin 126) dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara (DHS) dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), për të vënë në jetë këtë proces tej mase enigmatik dhe tendencioz, me qëllimin e vetëm që të “vërtetohet pasthirrma 20 vjeçare e Serbisë që: “UÇK-ja është organizatë kriminale dhe terroriste”. Periudha që do të jetë objekt gjykimi është 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000 (neni 7 i Ligjit për DHS). Serbia duket se është kujdesur jashtëzakonisht mirë për të mbledhur “çdo provë” mbi tokë e nën tokë, vetëm që të dërgojë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit krerët më të lartë të UÇK-së. Dhe ia arriti. Pas 9 vitesh, ata ndodhen në Hagë. Deri tani kemi 7 vetë të akuzuar, por nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe të tjerë, madje me shtetësi të ndryshme të cilët akuzohen për krime në territorin e Kosovës/ish Republikës së Jugosllavisë (IRJ) gjatë viteve 1998-2000.
Këtë pëfundim e nxjerrim nga neni 9/2 i Ligjit për DHS të cilin po e paraqes këtu: “… përveç juridiksionit të tyre territorial të paraparë në nenin 8, Dhomat e specializuara kanë juridiskion mbi personat e nënshtetësisë kosovare/IRJ apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me nënshtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime”. Akuzat që u bëhen të pandehurve janë nga më të rëndat të cilat po i paraqes më poshtë: Krimet kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë e personave; Krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme.
Po çfarë u vu re në seancat e para të Dhomave të Specializuara? U përmend dhe u akuzuan të pandehurit edhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale! “Organizatës kriminale” nuk ia përmenden emrin. Por, është botërisht e njohur se sipas Beogradit zyrtar, UÇK-ja është organizatë e tillë, ndërsa të gjithë të akuzuarit kanë qenë anëtarë dhe drejtues të lartë të UÇK-së. Këto fjalë u cituan nga Prokuroria e Specializuar pranë kësaj Gjykate. Si mundet që dikush të akuzohet për pjesëmarrje në një organizat kriminale, pa ia thënë emrin organizatës në fjalë? Ose Prokuroria mbi ç’bazë përmend organizatën kriminale? Kënd quan Prokuroria “organizatë kriminale”? E quan UÇK-në? Atë UÇK që e përkrahi gjithë Perëndimi? Retrospektivë: Plani sekret i Millosheviqit 1989-1999 për Kosovën ishte shfarosja e popullit shqiptar në të cilin thuhej: Në Kosovë toka e djegur duhet të përfshijë të gjitha anët e saj; Tymi i vatrave shqiptare të dëshmojë se ato vise janë fikur përgjithmonë; Kufomat e karbonizuara dhe shtëpitë e bëra shkrumb të shkaktojnë trishtim vdekjeprurës; Botës t’i themi: po i vrasim se po na detyrojnë; Toka e Shën Savës duhet të hakmerret. Shqiptarët i pastron vetëm thika dhe zjarri. (Kisha Serbe). Të mos ndërmarrësh hapa konkret institucional, në momentin që zbulohen mbi 16 vend varrime masive në Serbi me shqiptarë të Kosovës, është të kalosh në heshtje padrejtësitë dhe genocidin që Serbia ka bërë në Kosovë dhe të bëhesh palë me krimin. Ndërkohë, ditët e fundit qeveria Serbe refuzon të flasë për këto vend varrime masive me shqiptarë. Kjo tregon që e kaluara e tyre dhe e tashmja janë “një”. Minimalisht do duhej autoritetet më të larta serbe, nëpërmjet një deklarate zyrtare të bënin “Mea culpa”.
Konkluzionet dhe përfundimet Raporti i Dick Marty-t është votuar në Këshillin e Evropës edhe nga Republika e Shqipërisë! Mbi ç’bazë? Ky votim duhet qartësuar! Prokuroria Speciale ka materjal në dorë të përbërë nga dhjetra e dhjetra mijëra faqesh ndaj të pandehurve! Edhe nëse vetëm njërit ndaj të akuzuarëve u vërtetohen akuzat, do përdoret nga Serbia dhe aleatët e saj se UÇK-ja ka qenë organizatë kriminale dhe do fillojë lobimi që botërisht lufta e Kosovës të njihet si e gabuar, pa kërkuar rikthimin e Serbisë në Kosovë. Në këtë mënyrë do vështirësohet rruga e Kosovës për të vërtetuar në Gjykatë ndërkombëtare se ndaj saj Serbia ka bërë genocid dhe kjo e fundit nuk ka detyrime për reparacione lufte! Nga viti 2011 deri në vitin 2020, Republika e Shqipërisë nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të ndihmuar Kosovën për këtë proces duke neglizhuar si përherë, e ndoshta edhe nga mos dija, për kurthin e përgatitur mirë nga Beogradi! Nën akuzë është edhe ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili është propozuar për “çmimin nobel” dhe paradoksi qëndron që aktualisht akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden e ka quajtur z. Thaçi “Xhorxh Uashingtoni i Kosovës”. E çfarë duhet të bëjë Kosova e Shqipëria zyrtare? Republika e Kosovës duhet të arrijë pajtimin kombëtar dhe për 1 mandat të tërë mos të bëjë fare garë politike, por të unifikohen për të mbrojtur ish krerët më të lartë të UÇK-së që gjenden në Hagë; Republika e Kosovës duhet të krijojë fond të veçantë për mbrojtjen e të akuzuarëve në Dhomat e Specializuara; Kosova duhet të gjejë mënyrë nëpërmjet rrugëve diplomatike dhe Diasporës së SHBA-së që të vihet në lëvizje Shtëpia e Bardhë për të mbrojtur denjësisht të akuzuarit në DHS; Republika e Shqipërisë duhet të rishikojë mardhëniet diplomatike me Serbinë. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit duhet të jenë ura lidhëse ndërmjet dy shteteve, kurse Kosova është pika e padiskutueshme.
Pra, nuk mund të kemi mardhënie me Serbinë duke nëpërkëmbur Kosovën. Nuk mund të ndërtojmë të ardhme me inate personale Berisha – Thaçi dhe Rama – Haradinaj. Për më tëpër kur dalin dhjetra varre masive me trupa shqiptarësh në territorin e Republikës së Serbisë. Populli serb ka krijuar jetën mbi trupat e shqiptarëve që gjënden në tokën dhe nëntokën e Serbisë. BE heshtë! Republika e Shqipërisë duhet të ngrejë zërin për Kosovën dhe situatën konkrete në: Këshillin e Evropës, OKB, BE, NATO, Uashington, Bruksel dhe Berlin; Republika e Shqipërisë duhet të miratojë buxhet të veçantë për të përkrahur Kosovën në Dhomat e Specializuara; Shqipëria dhe Kosova duhet të dërgojnë kërkesa në Vashington, Bruksel, Londër, Berlin dhe Romë, që të fillojnë procedurat në dhomat përkatëse legjislative të këtyre vendeve, për të njohur zyrtarisht genocidin serb mbi popullin shqiptar të Kosovës. (*Msc. Iur. Anton Lulgjuraj, Mal i Zi).