Ditë më parë disa vendbanime të komunës së Prishtinës i përfshiu një mot i lig, i shoqëruar edhe nga një shi i dendur. Një furtunë me shi të rrëmbyeshëm e kaploi edhe fshatin Bërrnicë e Epërme të komunës së Prishtinës, nga e cila u shkaktuan dëme materiale në infrastrukturën e këtij tij. Nga era e fuqishme më së shumti pësoi punëtoria prej auto-mekaniku e Milazim Dragushës nga ky fshat. Në të vërtetë, nga kjo furtunë iu shkatërrua tërësisht kulmi i punëtorisë të cilën e përdor për shërbime të auto-mekanikës. Se sa era ishte e fuqishme e dëshmojnë edhe disa fqinj të Milazimit, të cilët pohojnë se pjesë të shkatërruara të kulmit kanë “fluturuar” edhe në oborre të tyre. Me të vërtetë në këtë rast ka ndodhur fati në fatkeqësi, ngase falë Zotit askush nga familjarët e tij, por asnjë nga fqinjët nuk kanë pësuar ndonjë lëndim.
Dëmet e shkaktuara në pronën e Milazim Dragushës konsiderohen se janë me mijëra euro, pasi që përveç kulmit të shkatërruar, atij iu dëmtuan edhe disa automjete që ai i kishte siguruar për meremetimin e tyre për ta mbajtur familjen. Përveç kthimit të kredisë që kishte marrë për punëtorinë prej automekaniku, familja e Milazim Dragushës do ta ketë tejet të vështirë të sanojë dëmet që pësoi pas motit të lig. (Behram Krasniqi)