Nga ndihma financiare prej 60 milionë eurosh të buxheti të shtetit të Kosovës, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, përfituan të gjitha bizneset në Kosovë, pa marrë parasysh a kanë pasur humbje financiare apo jo, të shkaktuara gjatë pandemisë. Zëvendës-ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Agim Krasniqi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se ndihma financiare iu është ofruar të gjitha bizneseve, pasi që numri më i madh i tyre kanë pasur humbje dhe se vetëm një numër i vogël i bizneseve nuk i kanë ndier pasojat e pandemisë. “Përmes kësaj ndihme rrisim kërkesën agregate, rrisim fuqinë financiare të ndërmarrjeve. Ndërmarrjet që kanë vështirësi në likuiditet, i shfrytëzojnë këto mjete për t’i kryer këto obligime, duke përfshirë edhe pagesën e pagave që iu bëjnë punëtorëve, ndërkaq ndërmarrjet tjera mund t’i shfrytëzojnë këto mjete për zgjerim të kapaciteteve të tyre apo punësime të reja”, ka thënë Krasniqi.
