Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi ka marrë pjesë si panelist në prezantimin e raportit “Fletënotimi mjedisor i komunave” nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ku u diskutua për arritjet dhe sfidat në mbrojtjen e mjedisit.
Nga gjithsej 84 premtime të kryetarit Latifi gjatë fushatës, 22 prej tyre kanë qenë të fokusuara në çështje mjedisore. Sipas raportit të KDI-së, deri më 31 dhjetor 2024, 45.45% e tyre janë përmbushur, 40.91% janë gjysmë të përmbushura dhe 13.64% kanë filluar.
“Që nga dita e parë e mandatit tim prioritet ka qenë zhvillimi i qëndrueshëm, përfshirë bujqësinë, energjinë e gjelbër, mbrojtjen e mjedisit dhe hapësirat rekreative.
Përkushtimi ynë vazhdon, me bindjen se investimi në mjedis është investim në shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve tanë”, ka shkruar në llogarinë e tij në facebook, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.