Edhe sot, dëshmitari, Gjergj Dedaj ka vazhduar paraqitjen e tij para Gjykatës Speciale në Hagë, në rastin ku po gjykohen krerët e UÇK-së

Nga shembulli i dëshmive të Gjergj Dedajt, para trupit gjykues të Gjykatës Speciale, në Hagë, do të duhej të mësonin dëshmitarët e tjerë

Politikani liberal i Kosovës,  Gjergj Dedaj, gjatë tri ditëve të dëshmisë  së tij në Hagë, ( 6. 7. 8 nëntor 2023) ka dhënë një shembull  personal, se si duhet t’ i thirret ndërgjegjes kur bëhet fjalë për pretendimet e Gjykatës Speciale,  në përpjekje për deformimin e karakterit çlirimtar të luftës heroike dhe sakrifikuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e trajtuar si “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe  duke përjashtuar tërësisht karakterin e saj, çlirimtar, sikur po bën kjo Gjykatë.

Dedaj me vetëbesim, ndërgjegje kombëtare dhe politike, në akord me rrethanat që po mbretërojnë  në Kosovë, ka deklaruar se ka ndryshuar  qëndrimin,  duke i mohuar disa nga deklaratat e  dhëna para hetuesve të Prokurorisë së kësaj Gjykate, e cila deri tani ka treguar me vepër se është gjykatë politike dhe ka për qëllim demonizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht se pikërisht këtë luftë e ka përkrahur dhe e ka ndihmuar  ushtarakisht,  Aleanca më e fuqishme e botës, NATO-ja dhe liderët e shumë shteteve demokratike të mbarë rruzullit.

I ndodhur përballë këtij realiteti, i vetëdijshëm për përpjekjet që po bëhen në deformimin  e së vërtetës, duke qenë edhe vetë anëtar i një familjeje, së cilës regjimi kriminal i Millosheviqit  ia ka martirizuar 12 pjesëtarë, Gjergj Dedaj zgjodhi rrugën e tij duke iu përmbajtur traditës dokësore shqiptare se “E mira e përbashkët, i paravihet dëmit të veçantë”.

Ai foli qartë se UÇK-ja dhe krerët e saj nuk ia kanë vrarë 12 anëtarët e familjes, por ata i ka vrarë barbaria serbe, sikur ka vrarë edhe mijëra të tjerë dhe jo vetëm në Kosovë. Para kësaj tragjedie kombëtare, çfarë peshe  ka një fjalë fyese e një pjesëtari të UÇK-së, apo qoftë edhe një e rënë me shuplakë, një njeriu, cilido të kishte qenë ai?

Si mund të barazohen këto raste?

Për 12 anëtarët e familjes së tij, ende nuk është dënuar asnjë serb, ashtu sikur nuk janë dënuar, kriminelët serbë,  as për vrasjen e më se 13 mijë shqiptarëve gjatë luftës.

Askush nga krerët e luftës nuk ka mohuar faktin se në radhët e UÇK-së ka pasur edhe individë të caktuar, të papërgjegjshëm,  që kanë bërë gabime, madje edhe të pafalshme, por ato kanë qenë  personale dhe raste të izoluara, që kanë ndodhur e ndodhin në çdo luftë, kudo në botë.

Po të përpiqesh ta barazosh rrahjen, apo fyerjen e një personi, me ata që kanë vrarë mijëra, fëmijë, gra e pleq, që kanë dhunuar gra e vajza, në radhë të parë është përpjekje antinjerëzore, të cilën e ka vënë në zbatim Gjykata Speciale, e cila nuk i dha përgjigje Gjergj Dedajt për vrasjen e 12 anëtarëve të familjes, por kërkoi që ai të pranojë se e paskan rrahur, me rastin e vizitës së tij në Drenicë, në vjeshtë të vitit 1998 dhe sikur ata po merakosen për rrahjen e pretenduar  të tij.

Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë,  do të ishte ndarë e kënaqur sikur, dëshmitari, Gjergj Dedaj të thoshte se e ka rrahur Hashim Thaçi dhe të kërkonte publikisht dënimin e tij, duke harruar 12 anëtarët e familjes së tij, por jo vetëm të atyre, të vrarë mizorisht  nga regjimi më kriminal i pas luftës së Dytë Botërore, në Evropë, sikur ka qenë makineria vrastare e barbare e regjimit të Millosheviqit, me krimet që ka kryer jo vetëm në Kosovë, por edhe në Kroaci e veçmas në Bosnje e Hercegovinë. Dhe për këto krime, Gjykata Ndërkombëtare e drejtësisë nuk e dënoi shtetin e Serbisë.

Gjergj Dedaj, me rastin e ndërrimit të deklaratave  mund të iu kishte thënë prokurorëve e gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, antishqiptare, pse pikërisht ata ndërruan karakterin dhe përmbajtjen e gjykatës, kur ajo Gjykatë  u themelua për gjoja trafikimin e organeve të serbëve nga UÇK-ja dhe tani, thjesht,  me asnjë rast nuk e përmend atë, pasi kreatori i saj, Dik Marti ka marrë milionë euro nga Beogradi, i cili pas dështimit të planit për trafikim, po ia kërkon edhe kokën, apo ndoshta edhe paratë.

Gjergj Dedaj megjithatë foli të vërtetën. Foli ashtu sikur i tha vetëdija dhe ndërgjegjja njerëzore e kombëtare, gjithnjë duke pasur para sysh se si po bëhen përpjekje të fajësohen viktimat e të amnistohen xhelatët.

Ai ka dhënë një shembull personal, se në një  gjykatë ku kërkohet të mbrohet e drejta dhe e vërteta, nuk  duhen bërë dallime në pikëpamje kombëtare, racore as fetare, sepse me anime të tilla shkelen të drejtat elementare njerëzore. Andaj një Gjykatë të tillë që pretendon të shpallë fajtorë  dhe të dënojë vetëm shqiptarë, pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është kredibile, nuk është në mbrojte të së drejtës. Por është një gjykatë që ka qëllime të caktuara dhe të njëanshme politike, prapa së cilës qëndrojnë qarqe të caktuara të mujsharëve të Evropës.

Një gjykatë që nuk i shpreh keqardhje një dëshmitari të cilit, ushtarët e policët serbë ia kanë vrarë mizorisht 12 anëtarë të familjes, por merret me gjoja rrahjen e tij nga pjesëtarë të UÇK-së, e tregon me vepër fytyrën e vetë, moralin e munguar, njerëzinë e pa disponuar, drejtësinë e manipuluar.

Të gjitha këto e shumë më tepër i ka pasur parasysh, Gjergj Dedaj, i cili pavarësisht situatave në të cilat është gjendur, pavarësisht si është përfolur dhe si do të përflitet, pavarësisht çka do të mendojë dhe si do të mendojë e vlerësojë opinioni për te, ai tregoi të vërtetën e tij, të vërtetën për krerët e luftës dhe vetë luftën çlirimtare. Dedaj ia bëri një argat nderi, jo vetëm luftës së UÇK-së dhe krerëve të saj por mbarë popullit të Kosovës e më gjerë, edhe për faktin se lirisë dhe pavarësisë së vendit i ka dhënë edhe gjakun e 12 familjarëve të tij…

Është i vërtetë fakti se  pas ofensivave të korrikut, gushtit e shtatorit të vitit 1998, kur forcat pacifiste kishin menduar se nuk ka më UÇK, andaj edhe ishte arritur një marrëveshje e fshehtë, me Beogradin, duke  menduar se UÇK-ja tashmë ishte zhdukur.

Pikërisht në atë kohë LDK-ja dhe partitë e tjera pacifiste kishin dalë në terren me qëllim për ta bindur popullatën se lufta kishte mbaruar dhe tani duhet t i iu kthehemi punëve dhe jetës në rehati.

Në atë kohë kishte ndodhur edhe vizita e  disa politikanëve  e zyrtarëve të lartë të Prishtinës,  në Drenicë, për të cilën ka folur, Gjergj Dedaj,  para trupit gjykues të Gjykatës Speciale, në Hagë.

Po në atë kohë  Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), kishte dërguar në terren zyrtarët e armimit me porosi që të fillonte sa më parë mësimi dhe të evidentoheshin dëmet,  që kishin pësuar shkollat.

Asokohe një delegacion e i të tillëve nga Lypjani kishte ardhur edhe në Zonën e Drenicës së Epërme, në Shalë, Krojmir e gjetkë, me porosi të fillonte mësimi, edhe pse granatimet dhe luftimet nuk ishin ndërprerë me asnjë rast. Ata kishin sjellë edhe formularë për të evidentuar dëmet në shkolla, në kohën kur ato po bombardoheshin, ndërsa popullata me qëllim mbijetese ishte strehuar në male dhe në gryka rreth lumenjve.  

Nuk duhet harruar kurrë rasti se pikërisht asokohe, kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova  kishte deklaruar se tash pas ofensivave serbe, në zonat e luftës,  LDK-ja ishte më e fortë, duke lënë të kuptohej se kishte dështuar opsioni i luftës së armatosur.

Jo pak shqiptarë kishin rënë pre e mendjelehtësisë së tillë, pacifiste. Po në atë kohë kishin reaguar kundër UÇK-së edhe një zogori gazetarësh të Prishtinës e të Tiranës, disa Shurroja, Ferra, Spahia, Haxhia  duke e akuzuar UÇK-në se  e kishte nisur luftën, por tani duhet të japë përgjegjësi, pasi sipas tyre  kishte dështuar. Emrat e kësaj zogorie dihen, ashtu sikur dihet edhe deklarata skandaloze e Sabri Godës, e jo vetëm e tij kundër UÇK-së, në atë kohë, kur Kristofer Hilli e kishte marrë përdore Ibrahim Rugovën për të parë pasojat e luftës në rajonin e Malishevës, për të cilat ishte habitur i pari i LDK-së.

Politikani liberal, Gjegj Dedaj e shumë të tillë, kishin rënë pre e mungesës së informatave, pre e mosbesimit se mund të fitohej lufta kundër Serbisë, pre e politikës pacifiste, e cila e përjashtonte opsionin e luftës së armatosur,  për ta rritur çlirimin e vendit.

Ahmet Qeriqi

  1. 11. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …