Takimi i Grupit Punues për Persona të Zhdukur i mbajtur më 26 tetor 2018, në Beograd
Për: Kryesuesin e Grupit Punues për Persona të Zhdukur
Nga : KKAFZHK, familjarët e autorizuar:
- Selami Hoti, _________________
- Salih Muhaxheri, _________________
Të nderuar familjar,
I nderuar Kryesues i këtij takimi,
Të nderuara delegacione të të dy shteteve,
Të nderuar të pranishëm ,
Fillimisht, ju falënderojmë për ftesën që na keni bërë që të jemi të pranishëm në këtë takim, për të parë nga afër zhvillimet e takimeve por edhe për të dhënë kontributin tonë si familjarë, meqë padyshim që rezultatet e deritanishme, sado të pakta që janë, nuk do të ishin edhe pa angazhimin e vazhdueshëm të familjeve.
Megjithatë, së bashku me ftesën, ju na keni dhënë përgjegjësi shtesë ndaj mijëra familjeve që edhe pas 20 viteve, presin përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, presin rezultate edhe nga ky takim.
Jam Selami Hoti, përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve nga Krusha e Madhe, fshati i të madhit Prof. Ukshin Hoti. Jo rastësisht e potencova Profesorin, meqë përkundër përpjekjeve dhe përgjigjeve deklarative nga viti 2005, pra kur ka filluar të funksionojë ky mekanizëm, ende nuk dihet asgjë për fatin dhe vendndodhjen e tij. Mungesa e përgjigjes për profesor Ukshin Hotin, jo vetëm që vazhdon të rëndojë gjendjen e familjes, krushianëve, por edhe mbarë popullit të Kosovës, por është edhe një venitje për familjarët e personave tjerë të zhdukur, sepse nëse nuk arrihet të mësohet e vërteta për Profesorin duke i ditur me emër e mbiemër përgjegjësit apo personat zyrtar të burgut të Dubravës, përkatësisht pushtetarët që qëndrojnë mbrapa rrëmbimit dhe zhdukjes së tij, ose të rastit të z. Fetah Hoti, pacient i shtrirë në Repartin e Dializës në Spitalin e Prishtinës, atëherë çfarë pritet apo si mund të shpresojmë të dihet fati dhe vendndodhja edhe 62 personave tjerë të zhdukur, nga rasti ‘i kamionit në lumin Drini i Bardhë’, në mes të fshatit Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, nga 235 sa ishin gjithsejtë të vrarë në fshatin Krushë e Madhe, në dy krematoriume dhe tetë varreza masive brenda një fshati. Apo çfarë t’iu themi familjeve te të zhdukurve të Krushës së Vogël, ku nga 113 viktimat e këtij fshati akoma nuk dihet për fatin dhe vendndodhjen e 64 personave, e dyshimet e familjarëve, për një pjesë tashmë të konfirmuar, janë që në këtë masakër policia dhe ushtria serbe ka përdorur djegien e kufomave si përpjekje për të asgjësuar gjurmët e krimit, apo minimizuar krimin e bërë.
Sigurisht që nuk do të ishte korrekte, në mënyrë të veçantë për bashkësinë ndërkombëtare si përkrahës të deritanishëm në këtë proces, sikur edhe sot të mos vlerësonim punën dhe angazhimin e dëritanishëm që ka rezultuar me hapjen e shumë varrezave masive dhe identifikimin e mijëra të zhdukurve. Megjithatë edhe tani, familjarët janë në pritje dhe ankth për kthimin edhe të 1648 personave. Andaj edhe në këtë rast, kërkojmë nga institucionet e Serbisë, që të jenë më bashkëpunuese, dhe mbi të gjitha kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të shtojnë trysnin ndaj autoriteteve, meqë përvoja e deritanishme ka konfirmuar se vetëm në këtë formë mund të kemi përgjigje.
Është obligim i yni që të kërkojmë një të drejtë elementare, është më shumë se obligim, është pjesë e jetës sonë të përditshme. Është obligim i të gjithë juve të pranishëm, të na përgjigjeni, të na respektoni të drejtën për të ditur. Është obligim i bashkësisë ndërkombëtare të na përkrahë, dhe në këtë rast po apostrofojë se krimet gjatë luftës, në rrëmbimin popullatës civile për se gjalli, si dhe rrëmbimi i kufomave te varrosura për ta sanuar terrenin respektivisht humbjen e gjurmëve te krimit është kryer ne kundërshtim me dispozitat e një varg aktesh ndërkombëtare si ne vijim:
- Pakti Ndërkombëtar për te Drejtat Civile dhe Politike;
- Konventa ndërkombëtare për Eliminimin e te gjitha formave te diskriminimit racor,
- Konventa kundër mundimit dhe sjelljes ose dënimit tjetër te vrazhdë ,jo njerëzor dhe poshtërues ;
- Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve;
- Konventa Evropiane për Mbrojtjen e te Drejtave te Njeriut dhe Lirive Themelore (këtë Konventë e ka ratifikuar RSFJ, respektivisht Serbia si “sukcesore/pasardhëse” e sajë , ndaj e obligon Serbinë që ta zbatoje te njëjtën);
- Deklarata Universale e te Drejtave te Njeriut ;
- Shkelja e te drejtave dhe lirive te njeriut është e dënueshme edhe me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme te KB, të datës 16.12.2005 (Basic Principles and Guidelines on the Right to a Remedy and Reparation for Victims of Gross Violations of International Human Rights Law and Serious Violations of International Humanitarian Law . Adopted and proclaimed by General Assembly resolution 60/147 of 16 December 2005) ;
- Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (Gazeta Zyrtare-e RSFJ nr.29/78) ;
- Ligji Ndërkombëtar Humanitar në Kosovë i vitit 2016, që konfirmon gatishmërinë e institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj, për drejtësi ndërkombëtare në këtë proces ;
Dhe për fund, në përpjekje për të përmbledhur kërkesat e përgjithshme të familjarëve:
– Ne edhe sot, ashtu si dje, nuk po kërkojmë asgjë më shumë se sa të mësojmë për fatin e më të dashurve tanë ;
– Të sillen para drejtësisë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe zhdukjen e familjarëve tanë. Familjarët kërkojnë drejtësi ndërkombëtare, por kurrsesi selektive. Drejtësia është e vetmja garancë që tmerret e luftës të mos përsëriten;
– Kur të plotësohen dy kërkesat e para, atëherë mund të flitet me plotë kuptim për nismat për pajtim;
– Dhe cfarëdo marrëveshje mes shteteve, pa ndriçimin e fatit te të pagjeturve , është e zbehtë dhe jo e plotë;
– Ne e dimë që institucionet në Beograd, janë çelësi i zgjidhjes së kësaj problematike, meqë të dhënat e deritanishme kanë dëshmuar se të gjitha veprimet e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë luftës kanë qenë të planifikuara dhe të organizuara ;
– Bashkësia ndërkombëtar duhet të shtojë presionin dhe në këtë rast edhe vetë KNKK-ja, ani pse organizatë humanitare, duhet të përdor edhe mekanizma politik që t’a detyrojnë Beogradin për hapjen e arkivave të ish-ushtrisë jugosllave dhe të mësojmë se çfarë ndodhi me familjarët tanë që na u morën të gjallë ;
– Ne, vazhdojmë të kërkojmë edhe nga bashkësia ndërkombëtare që përmes dosjeve që ata i kanë si dhe përmes imazheve satelitore, që i mbajnë në tavolina e nuk i ndajnë me delegacionet, të na ndihmojnë në gjetjen e varrezave të jashtëligjshme masive ;
Të nderuar, duke ju falënderuar për vëmendjen tuaj, këto që i thashë, ishin vetëm një pjesë e vogël e një fatkeqësie të madhe.
Dhe në fund po e përfundojë duke theksuar një thënie nga Libri ;Jetët e Humbura’, i përgatitur pikërisht nga KNKK-ja : ‘Njerëzit nuk janë të panevojshëm, ata nuk mund të zhduken përgjithmonë’.