Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, kërkon nga Qeveria e Kosovës t’i dëgjojë partnerët ndërkombëtarë për të ndërmarrë hapa për shtendosjen e situatës në veri. Pas takimit të përjavshëm me kryeministrin, Albin Kurti, Abbotti ka thënë se nuk ka kurrfarë nevoje që kryetarët shqiptarë të komunave veriore të punojnë nga objektet komunale. Po ashtu, ai ka thënë se nuk ka nevojë as që Policia e Kosovës të luajë rolin e rojeve. “Ne mbetemi të shqetësuar si të gjithë aleatët ndërkombëtarë të Kosovës për situatën në veri. Po vazhdojmë të kërkojmë shtendosje. Shpresoj që ditët e ardhshme të shohim përparim, propozim, ndryshim, më tepër bashkëpunim mes agjencive të sigurisë. Si ambasador, po flas me njerëz të ndryshëm për të zbuluar cila është mënyra më e mirë para. Është kohë e vështirë. Duhet të jetë normale për Kosovën që të dëgjojë këshillat nga shokët e partnerët”, ka thënë mes tjerash ambasadori Nikolas Abbott.
