Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për rritjen e pensioneve me 20%, duke e cilësuar atë si një “befasi të pakëndshme” për pensionistët. Ai thekson se rritja nuk pasqyron as nevojat reale të kësaj kategorie shoqërore, as inflacionin që ka ndodhur që nga viti 2020. “Rritja prej 20% nuk është e mjaftueshme për të përballuar inflacionin që ka arritur deri në 100-120% gjatë viteve të fundit. Pensionistët do të mund të blejnë vetëm 40 bukë më shumë në muaj me këtë rritje, por standardi i tyre jetësor nuk përmirësohet siç duhet,” tha Gashi. Sipas tij, pensionet bazë duhet të ishin rritur për 120%, duke çuar shumën e pensionit bazë në 220 euro. Për pensionistët me arsim të mesëm dhe të lartë, ai propozoi që pensionet të arrijnë përkatësisht 450 dhe 500-550 euro.