Morëm një dyqan me qira në rrugën e “Kavajës”, përballë me rrugën “Mujo Ulqinaku”. Dyqani ishte i madh, kështu që mund të punohej lehtësisht brenda tij. Një faqe muri nga jashtë ka shërbyer për mëse 9 dekada, për të shkruar reklama. Kështu ka ndodhur që kur ndërtesë 3 katëshe u ndërtuar nga fundi i viteve 1910. Të moshuarit akoma mbajnë mend se si kanë lexuar parulla të shumta në këtë faqe muri deh si kanë qenë ata që të “Punësuar” kanë shkruar të tjera. Muret e brendshme ishin të restauruara nga një italian, i cili e kishte marrë me qira. Na dukej i përshtatshëm për biznesin që do të bënim. Kishte pozicion dhe kubaturë të mirë. Paguam dy punëtorë të një firme ndërtimi dhe objekti u rregullua dhe u sistemua. Pas dy ditësh dhe e lyen, por jashtë kishte shumë punë me muret. Me ndërtuesit suvatues erdhi dhe një bojaxhi. Bojaxhiu filloi të heqë shtresat e gëlqeres që ishin mbi njëra-tjetrën.
-Këta mure dashkan shpatulla të forta. Janë fryrë shtresat nga vitet. Lyej, shkruaj, lyej shkruaj dhe fshi anasjelltas… Me kujdes, hiqe me kujdes këtë shtresë. Kanë shkruar për Fan Nolin- i thoshte suvaxhiu-bojaxhiut
Dhe bojaxhiu tregohej i kujdesshëm në shtresën ku mundëm të lexojmë:
-Rroftë Qeveria Demokratike e Fan Nolit.
-Kushedi kush ka qenë ai që e ka shkruar,-tha njeri nga punëtorët.
-Njerëz si ne,-ia priti tjetri. E mirë ishte ajo Qeveri apo jo?! Në program bazë kishte përpjekjet për demokraci. Por rrethanat politike të atëhershme bënë të tyren. Vitin nuk e mbushi dot qeveria. Por ama në këtë faqe muri ka mbetur e shkruar. Gjithçka e shkruar mbetet, tha muratori më i ri. Ne vazhdonim të gërvishtnim shtresat e lyerjes dhe mua një çast mu duk vetja si arkeologët, që sapo zbulojnë ndonjë vegël antikiteti, marrin furçat dhe filloj ë të heqin pluhurat ngadalë-ngadalë derisa të mësojnë se cilës epokë i përkasin. Ata gërmojnë në tokë , kurse ne e kishim më të lehtë. Gërvisht shtresë lyerje dhe lexo parulla… Ishim duke hequr një shtresë nga krahu i djathtë i faqes më të pozicionuar nga rruga kryesore, kur, bie në tokë pluhuri dhe copa-copa, shtresa e shkëputur ku lexoj: rroftë Mbreti Zogu I-rë, Mbreti Shqiptarëve!
-Paska qenë qendra e reklamave dhe parullave për qeverinë them, ndrysa vazhdoj me ngadalë të largoj pluhurin nga fjalët e shkruara.
-Eja dhe lexo këtu!- më thotë bojaxhiu. Është shkruar me bojë vaji, blu:
-Poshtë Mbreti, rroftë Duçja!. Më dukej çudi se si pas kaq vitesh ajo faqe muri kishte hedhur dhjetëra parulla njëra mbi tjetrën, derisa koha dhe shirat, vende-vende, i kishin gërmëzuar fjalët dhe ndonjë germë e kishte shuar. Në një shtresë tjetër me ngjyro rozë, lexuam një parullë tjetër të çuditshme: Rroftë Viktor Emanueli…Diku në një shtresë tjetër gjetëm dhe një figurë të Skënderbeut. Ne gërvishtnim me shpatull kujdesshëm shtresat e lyerjes së faqes dhe lexojmë gjithçka në shqip….Epo të lexonim dhe:
-“Rroftë Adolf Hitler!-nuk e besonim. Përpos saj ishte shkruar dhe një parullë për boshtin e Luftës së Dytë Botërore, Berlin-Romë –Tokio!
-O zot! Nuk kishin lënë gjë pa shkruar, vetëm dhe vetëm ti bënin reklamë qeverive, idhujve që hipnin dhe zbritnin në fron. Në një shtresë ishte shkruar dukshëm me bojë të kuqe: Rroftë Stalini i madh! Rroftë komunizmi! Hiq peta gëlqereje dhe para syve tanë dilnin parulla të shumta, të vjetruara por qartësisht të lexueshme.
-Rroftë Gjeneral –Kolonel, Enver Hoxha!
-Kjo do jetë shkruar në vitet e para të pasluftës!-më tha bojaxhiu. E habitshme si nuk i kanë gërryer, të bënin këtë që bëjmë ne por e kanë parë më të lehtë të hedhin mbi parullat e mëparshme gëlqere dhe të jenë të plotësuar!?- i thashë unë nën zë. Ndërsa muratori po suvatonte ende një cep të objektit, unë po mendoja:
-Historianët shkruajnë histori në letra, për shekujt…Shkencëtarët bëjnë shkencë, diktatorët bëjnë diktaturë ndërsa bojaxhinjtë yejnë për të qenë në rregull dhe për të mbajtur frymën gjallë. Gjithnjë populli ka qenë i nënshtruar dhe sa herë që është vënë diktaturë, kjo ka ndodhur… Duke gërryer pashë dhe parulla të demokracisë me emra deputetësh. Po sheh në zgjedhje dhe fletushka për deputetë. Këto fletushka e kanë mbajtur gëlqeren të shkëputur dhe na e bënin punën më të lehtë. Eh, politika, politika e shkretë! Ku nuk është shkruar dhe çfarë nuk është bërë. Në shekuj, që kur është krijuar shteti, jo vetëm tek ne, por në gjithë shtetet, kjo punë është bërë. Bukur! Miniera nxjerr mineral, ndërsa shtresat e murit nxjerrin të shkruar emrat që kanë bërë histori, të keqe apo të mirë, por që janë fiksuar në këto parulla dhe janë shkruar bukur. Besoj, se për biznesin tuaj nuk do të duhet asnjë parullë- më tha bojaxhiu.
Ne shikuam njeri-tjetrin.
-Kemi vendosur të bëjmë reklamim duke vendosur drita të vargëzuara. Digjet një dritë dhe e zëvendësojmë sepse mund të ndryshojmë dhe llojin e biznesit. Biznesi nuk ka lidhje me qeveritë , -them pa e menduar gjatë. Bojaxhiu dhe muratorët po shikonin njeri-tjetrin.
-Unë them se ka- tha muratori. Po nuk deshi qeveria as gishtin nuk lëviz dhe jo të bësh biznes
-Qenke me orë mbrapa, –i them. Jemi në demokraci dhe njeriu përpiqet të punojë atje ku e ndjen veten më mirë. Pastaj njeriu dhe provon mundësi, riskon…Punëtorët buzëqeshën. Bojaxhiu shikoi përparësen që kishte veshur dhe që ishte pluhurosur me të gjitha ngjyrat…
-Ku i dihet! Mbase një ditë, kur të kini arritur sukses në biznes do të na thërrisni për të shkruar me bojë mbi mur një parullë, një ide, duke patur në krah dhe fotografinë tuaj. Do bëhemi si bota apo jo?! Ndoshta kishte të drejtë. Më erdhi ndërmend që disa biznesmenë e e praktikonin këtë lloj reklamimi. Përse të përjashtohej biznesi ynë? Dola jashtë, shkova tek lokali më i afërm dhe mora disa shishe birrë.
-Ejani të pimë nga një birrë! Kemi marrë pluhurin e një shekulli dhe emrat e gjithë qeverive!-u thashë. Qeshëm me të madhe. Tashmë isha i bindur që në atë faqe muri nuk kishte mbetur asnjë rresht i shkruar me emrat e Viktor Emanuleit, Zogut, Duçes, Hitlerit, Stalinit, Enverit. Pashë se kishin dalë në dritë konturet e murit që ishte ngritur ndërtesa.