Angjelos Çaços lindi në Plesivicë, sot Plesion i Filatit, më 1828 nga një baba tregtar, γιο του (ο παππούς του Άγγελου ήταν ο Τσάτς Μπέης και όχι ο πατέρας του) djalë i të njohurit nga historia e Prevezës, Çaç Beit, i cili ishte oficer i policisë së fshehtë të Ali Pashës. Ai ishte dhëndër në Plesivicë, falë martesës me Marina Kondakçiun, kushërirën e parë, gjithashtu, të të njohurës Vasiliqi Kondakçi apo të dëgjuarës Zonjë Vasiliqi, e cila, siç shkruan Aravantinosi, u përcoll në haremin e Ali Pashës nga Marina Çaçena ose Çaçëla, duke e quajtur sipas traditës epirotase me emrin e të shoqit.
Hapat e parë profesionalë i hodhi pranë të atit si ndihmës i tij, nga u largua shumë shpejt, se veprimtaritë tregtare të familjes së kamur të Kondakçinjve ishin të rrezikshme. Në të shkuarën ishin akuzuar si falsifikatorë monedhash. Pa asnjë interes për karrierën profesionale në këtë zanat, sepse qysh në vitet fëmijërore kishte prirje ndaj kishtarisë (gjërave të kishës), u shugurua dhjak, duke marrë emrin Anthimos, apo më mirë duke marrë emrin shqiptar Lule, që në greqisht, i thonë Anthimos. Më 1856 hyri në Shkollën Teologjike Halkis të Patrikanës së Kostandinopojës, nga ku u diplomua shkëlqyeshëm më 1861. Pas studimeve u kthye në atdhe, dhe konkretisht, në Janinë, ku shërbeu si predikues, por edhe si pedagog i fesë në Shkollën Zosimea. Në këtë shkollë ishte jo vetëm pedagog, por edhe mbrojtës i jetimëve nga nëna e babai. Nxënës të tij ishin edhe Naim dhe Sami Frashëri, që mbajnë, kundrejt grekëve, vendin e tretë dhe të katërt të studentëve të shkëlqyer që kanë mbaruar Zosimean.
Më 1869 u shugurua peshkop i Paramithisë (pasi më parë ishte dorëzuar prift) dhe më 1877, mitropolit i Enosit (Thrakë), ku dhe mbeti gjer më 1888. Prej andej u transferua në mitropolinë e Ajhialos, vend të cilin nuk e pranoi, apo siç mbështesin të tjerë, vend nga i cili e pushuan. Më 1893 u bë mitropolit i Korçës dhe më 1894, i Leros dhe Kallymnos. Më 20 janar 1895 u zgjodh Patriark Ekumenik, duke zënë vendin e paraardhësit të tij, Neofitit VIII, pas dorëheqjes së tij. Gjatë kohës që ishte Patriark ndodhën ngjarje edhe brenda në kishën patriarkale, midis rreshtimeve kundërshtare.
Në ditët e tij në Patrikanë u ngrit ndërtesa e Shkollës së re Teologjike e Halkis, që u përurua më 6 tetor 1896, dhe u dërgua përfaqësi e Patrikanës Ekumenike në kurorëzimin e carit të fundit të Rusisë, Nikolaj II në Moskë.
Dhe pse u dekorua nga sulltani dhe cari, më 29 janar 1897 u detyrua të dorëhiqet, sepse humbi besimin e shumicës së (votave) Sinodit të Shenjtë. U tërhoq në ishullin Antigoni, ku u mor me shkrime librash dhe më pas në Sisli, ku dhe vdiq, më 5 dhjetor 1913.
Dallohej për karakterin e fortë dhe pamjen e ëmbël, nga mori prej arvanitëve të mitropolisë së Paramithisë, karakterizimin “Lule e lulevet”, si dhe “Ngjoni e Derbederes”, që do të thotë nip i Derbeterisos Vasilos, pra, të zonjës Vasiliqi, me të cilën, siç thoshin, ngjante, gjë që mund ta shohim me lehtësi dhe te fotografitë që kam dhënë më sipër.
U shqua për formimin tepër të thellë teologjik dhe për “aftësinë e habitshme oratorike”, siç e karakterizon teologu Foti Ikonomu nga Paramithia, nga u quajt “bilbili me zë të bukur i ortodoksisë” dhe “Damaskinos i ri”. Shkroi libra të vyer fetarë në gjuhën kishtare të Patrikanës Ekumenike, nga të cilat janë botuar: “Mbi hyjninë e Jezu Krishtit” dhe “Udhëzues i devotshmërisë” në dy vëllime, si dhe të pabotuarin: “Shpjegim i Ungjijve hyjnorë dhe të shenjtë”.
Dallohej edhe për formimin e tij të gjerë enciklopedik, por dhe për përgatitjen shkencore, gjë që e kishte bërë adhurues e mik të bashkëpatriotit të vet, lerë më 1811, në Ninat të Sarandës, Hoxha Tahsinit. Hoxha Tahsini, në kohën e vet, nuk u shqua thjesht si filozof, matematikan dhe psikolog, por edhe habiti me magjinë e fjalës së tij mes të shumtëve, kur jetonte në Paris, edhe autorin e dëgjuar të librit “Princi i vogël”, Antoine de Saint-Exupéry.
Edhe pse sot duket e çuditshme, në fillim të dhjetëvjeçarit të 1870-s, Hoxha Tahsini, besnik i traditës çame, të karakterizuar armiqësisht për pabesi dhe mosbesim, bëri një alfabet të ri për përkthimin e Dhiatës së Re në dialektin tesprot apo çam, apo më mirë në dialektin jugor epirot të shqipes. Këtë përkthim, në faqen 77, në librin e Spiro Muselimit: “Shëtitje historike nëpër Tesproti”, e gjejmë se e kreu Grigor Drakopulos nga Mesimvria e Bullgarisë, që ishte peshkop i Paramithisë nga viti 1877 gjer më 1885. Por kjo gjë nuk është krejt e vërtetë, se ky përkthim, që ishte vepër e Peshkopatës së Paramithisë, përfundoi në kohën kur ishte ai peshkop, i cili nuk besoj se njihte mirë dialektin çam. Në të vërtetë, është punë e Angjelos apo Anthim Çaços, që ishte peshkop i Paramithisë para tij, i cili, siç thamë më lart, kishte shkruar edhe një libër me temë shpjegimin e ungjijve.
Arsyen e vërtetë të këtij përkthimi është e vështirë ta gjejmë, sepse, sipas atyre që kam dëgjuar për të thënat e Vangjel Kaskanit nga fshati im, i cili në kohën e sundimit turk kishte mbaruar shkollën e manastirit të Buntës, që i përkiste dhe i përket mitropolisë së Paramithisë dhe ku gjendej edhe një nga këto dorëshkrime, nuk konsiderohej përkthim, por përshtatje e përkthimit të Meksit në dialektin çam me alfabetin e ri të Hoxha Tahsinit, domethënë me alfabetin e Hasan Tahsinit.
Gjithashtu, sipas të thënave të Vangjel Kaskanit, një kopje e dorëshkrimit të këtij Ungjilli gjendej dhe në Bibliotekën e Shkollës Patrikanase të Halkis, ku sipas rrëfimit të dhespotit Lule apo Anthim, në të ndodheshin edhe libra të tjerë fetarë shkruar në gjuhën shqipe.
Sipas Kostandi Duskës, të njohurit më shumë me emrin e të atit Kostandi Kristo, apo të fshatit të vet Kostandi Bodari, kjo u bë nga dëshira e myslimanëve dhe të krishterëve të fuqishëm të Çamërisë, mbështetja e të cilëve nuk e bëri thjesht peshkop të Paramithisë, por edhe patriark në Kostandinopojë.
Dhe prapë, sipas këtij Kostandiu, që ishte grek prej babai arvanitas e nënë vllahe, dhe fliste pa gabime të tri këto gjuhë, si edhe frëngjishten, që e kishte mësuar në shkollën e Manastirit Lakasáit të çamofshatrave të Prevezës, nga kishte dalë mësues, shumicën e votave të Sinodit të Shenjtë, Anthimos e humbi për shkak të qëndrimit të tij filoshqiptar dhe të lidhjeve të ngushta miqësore me shumë shqiptarë, ndërmjet të cilëve ishin dhe ish- nxënësit e tij, vëllezërit Frashëri. (Nga gazeta “Shqip”)