At Nikolla Marku, Prifti i Kishës Ortodokse Shën Mëria në Elbasan, ka pritur sot në një takim delegacionin e Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar në krye me kryetarin, Tahir Veliu. Kryetari Veliu në emër të delegacionit i uroi At Nikolla Markut shëndet dhe e përgëzoi për punën e tij të shenjtë në mbrojtje të vlerave shqiptare dhe të kishës shqiptare në përgjithësi nga shërbyesit grek të cilët po i keqpërdorin shërbimet fetare në dëm të popullit shqiptar dhe kundër interesave kombëtare. Ndërkaq, At Nikolla Marku duke i uruar delegacionit mirëseardhje, foli mbi rëndësinë e ruajtjes së vlerave kombëtare dhe tregoi mbi rrugën e vështirë që e shoqëroi popullin shqiptar me shekuj. Ai foli edhe mbi domosdoshmërinë e ruajtjes së unitetit dhe të bashkimit të popullit shqiptar.
At Nikolla Marku me këtë rast bekoi Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar (LSHB) dhe misionin për bashkimin e trojeve shqiptare. Atdhetari i palodhshëm At Nikolla Marku në meshën e shenjtë të së dielës do të mbaj para meshtarëve fjalim të posaçëm për Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar (LSHB). Në këtë meshë është paralajmëruar se do të ketë plot të pranishëm. “Po ndihem 20 vjeçar, meqenëse në shpirt e ndjej energjinë dhe sinqeritetin tonë për bashkimin e Shqipërisë”, i ka thënë Veliut, At Nikolla Marku. Vlen të përmendet, se edhe Prifti i Kishës Ortodokse shqiptare At Nikolla Marku, ashtu sikurse kryetari Veliu është shpallur nga shteti grek, persona non grata. Delegacioni i LSHB-së vizitoi varrin e rilindësit, Konstandin Kristoforidhi. Po ashtu u vizituan ambientet e Kishës ku pjesëtarët e delegacionit në shenjë respekti u përkulën para bustit të Fan Nolit dhe te freska e Papa Kristo Negovanit, të cilët me krenari e përkujtuan veprimtarinë e këtyre dy atdhetarëve, /DritarjaOnline