Dita e përjetësisë të dëshmorit të kombit, Nikollë Dodaj, në altarin e lirisë, është edhe ditë e fillimit të ofensivave të ushtrisë serbe në vijën që ndante Shqipërinë prej Shqipërie ose e fillimit të sulmeve mbi Kosharen e Agim Ramadanit. Pikërisht në këtë ditë, nën hijen e lisave të Koshares pushuan së rahuri zemrat djaloshare të: Ali Miftar Hasit të Dushkajës me dyzetetë pranvera, të Kreshnik Avdi Ademajt të fshatit të Ri të Pejës me vetëm shtatëmbëdhjetë pranvera, të Emin Ruzhdi Kryeziut nga Rogana e Dardanës e të Urim Gani Mehmetit nga Cërnica e Gjilanit me nga njëzetekatër pranvera, të Xhevdet Rrustem Loshajt të Qarrabregut të Deçanit me njëzetenëntë pranvera, të Bekim Nukajt me njëzeteshtatë pranvera, e të Naim Shefket Arllatit të Brestosit të Anadrinit me njëzetë pranvera. Kjo është edhe dhe ditë kur Batalioni “Bjeshka” arrin që prej fushëbetejës ta tërheqë trupin e pajetë të Italianit Françesko Bider që sot pushon pranë Nikollë Dodajt në Rrasat e Koshares.
Dëshmori i kombit Nikollë Dodaj u lind më 21 nëntor të vitit 1966 në fshatin Dujakë të Rrafshit të Dukagjinit, komuna e Gjakovës. U lind e u rrit në një familje modeste që jetonte prej ekonomisë bujqësore, por të njohur për traditën e pjesëmarrjes në të gjitha lëvizjet patriotike për çlirim nga pushtuesit që ushtruan dhunë mbi Shqiptarët në Kosovë. Ishte ndër familjet më të njohura liridashëse patriotike. Kjo familje edhe pse e ndjekur dhe e persekutuar, pothuajse pa ndërprerë për pesëdhjetë vjetët e sundimit të egër komunist nuk u gjunjëzua para argatëve të partisë komuniste në Kosovë. Në këtë frymë edhe u edukua dhe përherë frymëzohej djaloshi Nikollë Dodaj, sot dëshmor i kombit i cili tërë jetën dëgjonte “Lahutën e Malcis” të Fishtës dhe luftërat e mirditorëve trima si Çun Mula e Oso Kuka. Mhill Dodaj me Anën, sot nënë e dëshmorit, kishin dhjetë fëmijë, tetë djem: Mikeli, Mentori, Ndou, Leka, Marashi, Janezi e Binaki, dhe dy vajza.
Shkollën fillore Nikolla, ashtu si të gjithë vëllezërit dhe motrat, e mbaroi në fshatin Skivjan, duke bërë një rrugëtim goxha të gjatë prej Dujake deri në Skivjan në rrethanat që shtypnin familjen e xha Mhillit. Prandaj, shkollën e mesme Nikolla nuk e vazhdoi pasi që ishte fëmijë i dytë dhe atij i është dashur t’i gjendet pranë të et për punë në bujqësi ashtu që t’i ndihmojë për t’i rritur dhe për t’i shkolluar vëllezërit të tjerët. Por së shpejti del në objektiv të forcave serboçetnike pasi që ishte aktiv në të gjitha organizimet nëpër Gjakovë, Pejë e Deçan. Si të këtillë, policia e vuri në shënjestër dhe e burgosi. Dënimin e vuajti në burgjet e Pejës dhe të Dubravës.
Si djalë më i madh, detyrohet herët ta marrë rrugën e mërgimit, ia mësyu Perëndimit dhe zuri një vend në Zvicër. Atje mbijetoi duke bërë punë-krahu e më vonë arriti të punësohet në zejtari dhe ta ushtrojë profesionin e një muratori vetëm e vetëm që vëllezërve dhe prindërve t’u sigurojë një ekzistencë ashtu si të gjithë kurbetçarët tanë. Krahas punës Nikolla ishte veprimtar aktiv dhe pjesëmarrës në çdo segment të organizimit të rezistencës kombëtare në Perëndim. Mori pjesë në pothuajse të gjitha demonstratat dhe protestat ku ngritej zëri për sendërtimin e aspiratave kombëtare, ndërsa pas krijimit të kushteve, është pjesëmarrës edhe në organizimin e vjeljes së mjeteve të fondit “Atdheu në rrezik, vendlindja thërret”.
Me të dalë në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilën e sajonin djemtë e Adem Jasharit, e pas rezistencës heroike të Jasharëve e të Haradinajve në Prekaz, në Shqiponjë e Gllogjan, Nikollë Dodaj, ashtu si Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Abedin Rexha, Mehedin Morina, Bekim Berisha, Bedri e Sadik Shala, Gëzim Hamza, Xhelal Hajda, Agim Bajrami, Rasim Kiçina, Skënder Çeku, Agim Çelaj, Indrit Cara, Astrit Suli, Halit Coka, Ilir Konushevci, Ilaz Kodra, Ahmet Kaçiku, Gani Paçarizi, Ardian, Milaim e Mujë Krasniqi, Beqir Gasi, Shpend e Bedri Berisha, Memë e Kolë Lleshi, Liman Gegaj, Arian Brahimi, Tahir Sinani, Ismet Jashari, Mujedin Aliu, Hysni Duraku, Pal Paluca, Bekim Sylka, Valon Myrtaj, Bekim Bekteshi, Agim Ramadani, Shaban Golaj, Agush Gjocaj, Agim Zeneli, Agron, Sejdi e Fehmi Rama, braktis kurbetin dhe luksin e Perëndimit dhe kthehet në vendlindje, në Dujakë, dhe pa u hamendur, u bashkohet radhëve të luftëtarëve të lirisë në arealen luftarake të Rrafshit të Dukagjinit.
Në rrafshin operativ Nikollë Dodaj ishte shumë i përgatitur pasi që gjatë tërë jetës kishte dëgjuar dhe ishte frymëzuar prej familjarëve dhe kishte njohuri për tërë atë që kësaj familjeje për pesëdhjetë vjet ia pati kurdisur pushteti serbo-çetnik. Veçanërisht i peshonin rëndë torturat që i pati përjetuar familja Dodaj dhe farefisi i tërë. Babai i Nikollës, xha Mhilli qe ekzektuar në hyrje të Gjakovës nga forcat paramilitare, ndërsa i vëllai, Mikeli ka qenë i plagosur në Burgun e Dubravës.
Së këndejmi, ardhja e Nikollës nga Perëndimi dhe hyrja në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë edhe një pushkë më shumë në këtë luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar. Pasi pajiset mirë me armatim dhe me mjetet e tjera të nevojshme, fillon stërvitjet në Babinë, Kolsh e Kalimash, ndërsa pasi i përfundon të gjitha stërvitjet, sistemohet në Brigadën 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit që operonte në Koshare. Caktohet në formacionin “Delta” me detyra speciale në vëzhgim dhe në shoqërime të lëvizjeve në drejtim të Koshares dhe në pozicione operative del më 20 korrik të vitit 1998 në Bajram Curr. Një kohë edhe komandoi me njësitin “Delta”. Këtu Nikolla mori pjesë në betejat që u zhvilluan për çdo ditë dhe për çdo orë, veçanërisht në operacionet për thyerjen e kufirit. Në çdo hap ishte pranë eprorëve Fadil Hadërgjonaj, Lekë Maraj, Luz Çuni, Marjan Marku dhe shumë të tjerë.
Forcat serbe, në frontin e Koshares bënin përpjekje që me armatim të rëndë, me artileri dhe raketa, me këmbësori dhe helme kimike, t’i gjunjëzojnë luftëtarët e lirisë, tigrat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por çdo gjë u dështoi dhe kësaj nuk ia arritën sepse në ballë të luftës në Koshare gjendeshin bijtë më të mirë të kombit. Kështu, më 11 maj të vitit 1999, pikërisht afër “Rrasave të Koshares”, duke i kryer detyrat e larta ushtarake që ia patën dhënë eprorët e tij, ra në fush të nderit, pranë shumë shokëve edhe Nikollë Dodaj. Shokët e luftës arritën ta tërheqin trupin e pajetë të Nikollë Dodajt. Varrimi i Nikollës u bë në Bajram Curr më 14 maj 1999, ndërsa rrivarrimi bëhet më 23 gusht në Varrezat e Dëshmorëve të Koshares aty ku prehet edhe sot.
Sot në Shkollën fillore të fshatit Dujakë gjendet lapidari i dëshmorit të kombit Nikollë Dodaj, të cilin rinjtë e fshatrave: Skivjan, Plançor, Novasellë e Dujakë e kujtojnë si sportist të mirë dhe punëtor të kulturës, veçanërisht e donte këngën dhe muzikën. ( Sabahajdin Cena.)