Sugari i prindërve, Musës e Razës, Nimoni, në kohën e fëmijërisë e kishte fituar një nishan në vetull. Vallë, të ketë qenë një shenjë mësyshi, apo parathënia e atij momenti të rinjohjes nga e ëma, vllezërit e motrat, pas një viti mungese, që eshtrat të mos i treteshin pa ia ditur shtratin ku pushojnë në tokën e Kosovës së dashur.
Dëshmori Nimon Demaj ka lindur më 7 maj të vitit 1978 në fshatin Tedel (Vrellë) të Burimit. Ai ishte i dhjeti prej fëmijëve, pas vëllezërve e motrave: Servetes, Sadetes, Luljetës, Milaimit, Tahirit, Gjylsymes, Afërditës, Esatit dhe Gylymseres. I ati, Musa, e kishte lënë të vogël, vetëm dy vjeç dhe ai nuk kishte arritur ta ruante përfytyrimin për pamjen e tij. Në mungesë të të atit, tërë barra për rritjen dhe edukimin e fëmijëve kishte rënë mbi të ëmën, Razën. Ndonëse më i përkdheluri i shtëpisë, Nimoni nuk mund të mos e përjetonte mungesën e të atit që shpesh ia ngrinte gëzimet dhe buzëqeshjen fëmijërore.
Në fshatin e lindjes, Nimoni e kreu shkollën fillore. Mirëpo, në rrethanat dhe në kushtet ekonomike në të cilat ndodhej familja e tij, nuk kishte mundësi të mendonte ta vijonte shkollimin në shkollën e mesme. Motivin për shkollim e bënte akoma më të largët edhe gjendja e krijuar në arsimin e Kosovës gjatë viteve ’90, si pasojë e politikës serbe të segregacionit nazist. Prandaj, pas shkollimit fillor, megjithëse në moshë të njomë, Nimoni u mor me punë bujqësie e me ruajtjen e kafshëve. I rrahur nga stuhitë e jetës së rëndë, jo vetëm ekonomike, por edhe të asaj nën pushtimin serb, bisedat që i zhvillonte me vëllezërit e me motrat, ai herë pas here i vazhdonte edhe me shokët e lagjes e të fshatit. Në këto bisedat ai jepte shenja të një pjekurie që vetëm shtypja e robëria dinë ta kultivojnë. Me këtë pjekuri mendimi e gjykimi ai i përjetoi dhe i kundroi edhe luftimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër aparatit shtetëror të Serbisë, kur ato filluan në zonën e Drenicës. Ndjenjat e tij të sinqerta të solidaritetit me popullatën në flakën e luftës, shpesh shpërthenin me duf dhe mospërmbajtje. Ka mbetur në kujtesën e së ëmës reagimi i tij në një moment të shprehjes prej saj e të bijve të tjerë, të dhembshurisë ndaj vuajtjeve dhe masakrave të shkaktuara mbi popullatën e Drenicës, nga forcat kriminale serbe, në pranverë të vitit 1998. “Ata njerëz atje (në zonën e luftës) nuk kanë nevojë për keqardhje, por për ndihmë”- ishte shprehur ai.
Duke parë se lufta çlirimtare po përhapej e po shtrihej gjithnjë e më shumë, edhe Nimoni kishte kuptuar se në frontin e kësaj lufte duhet ta ketë vendin secili shqiptar që ka zemër të luftojë për lirinë e vet e të Kosovës. Prandaj, vendos të angazhohet në radhën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqenëse tashmë UÇK-ja ishte organizuar dhe forcuar mjaft edhe në zonën e Dukagjinit, rasti mi i mirë për t’iu bashkuar asaj ishte ai përmes Gllogjanit ku ndodhej shtabi kryesor i zonës.
Një ditë të fillimqershorit të vitit 1998, Nimoni kishte kërkuar nga e ëma që t’ia përgatiste maicën mëngshkurtër sepse do ta veshte e do të dilte. Ajo ia kishte pastruar dhe e kishte vënë në tel të thahej. Pastaj ai ia kishte kërkuar asaj edhe një sasi të hollash, të cilat ato ditë i kishte dërguar nga mërgimi, i vëllai, Milaimi. Së ëmës në atë moment nuk i kishte vajtur mendja se për ç’arsye i kishte kërkuar ai ato të holla dhe për se i donte. Këtë arsye e kupton vetëm pasi Nimoni largohet nga shtëpia pa dhënë ndonjë llogari dhe pa lënë ndonjë porosi. Në shtëpi presin të kthehet, një natë, dy net, tri net…, por ai kishte marrë rrugën për në Gllogjan, bashkë me disa të rinj të fshatit dhe nuk ishte nisur për t’u kthyer pa kryer detyrat me të cilat do ta ngarkonte UÇK-ja.
Rekrutimi i këtyre të rinjve u bë përmes shtabit të Gllogjanit. Përmes këtij shtabi organizohej edhe kalimi i kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë me qëllim të bartjes së armatimit për nevojat e formacioneve të UÇK-së. Në fillim të korrikut të vitit 1998, shumë lutëtarë dhe rekrutë të rinj të UÇK-së, nga treva e Burimit si Qazim Hakaj, Nexhmedin Hakaj, Arton Zogaj, Nimon Demaj, Arben Muzliaj, Sylë Muzliaj, Adem Zogaj, Hysni Muzliaj e të tjerë, të prirë nga Nazmi Muzliaj (dëshmor) niset për në Shqipëri. Për shkak të radhës që diktonin rrethanat e asaj periudhe, këta shtegtarë të armatosur u detyruan të qëndrojnë disa kohë në Tiranë e të presin deri në momentin e duhur për t’u kthyer në Kosovë, me armët dhe municionin ngarkuar. Rruga e kthimit për në Kosovë nis në mesin e korrikut të vitit 1998. Arrijnë deri te Rrasa e Zogut, kur në orët e mëngjesit të 19 korrikut, fillon zjarri i pritave serbe në Padesh. Flakët e këtij zjarri përpijnë gurë e shkrepa dhe bashkë me ta edhe jetën e dëshmorit Nimon Demajt. Përkrah tij bien edhe luftëtarë të tjerë, ndër të cilët edhe Arton Zogaj e Nazmi Muzliaj nga Orroberda. Ishte plagosur edhe Arben Muzliaj.
Nëna, vëllezërit e motrat dhe të afërmit e tjerë të Nimonit nuk dinin se ai kishte rënë në altarin e lirisë. Ata dinin vetëm për faktin se ai i mungonte gjirit të tyre. Prandaj ata prisnin që ai të kthehej njëditë. Ata prisnin të mësonin ndonjë lajm se ku ndodhej ai. Ata e kërkonin.
Kjo pritje dhe shpresa se do t’i kthehej biri i saj, familjen e Nimonit vazhdoi ta shoqërojë edhe pas largimit nga shtëpia, më 28 mars të vitit 1999, kur ajo si edhe gjithë popullata e trevës së Burimit u detyrua të shpërngulet nën flakët e luftës dhe të strehohet fillimisht në zona më të sigurta të Kosovës, e pastaj të arrijë në Shqipëri. Ajo ishte vendosur në Shkodër ku qëndroi gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s mbi forcat dhe makinerinë ushtarake serbe. Në Kosovë kishte ngelur vetëm vëllai i Nimonit, Tahiri, i cili ishte radhitur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuadrin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Pikërisht në këtë kohë ishte shuar edhe shpresa se Nimoni ishte gjallë. Familjes së tij i kishin arritur disa informacione për rënien e tij qysh në korrikun e një viti më parë.
Varri ku prehej trupi i dëshmorit Nimon Demaj u identifikua në shtator të vitit 1999, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Aty ishin varrosur edhe Nazmi Muzliaj dhe Arton Zogaj. Nimonin e kishte identifikuar vëllai, Tahiri. Dilemën se ishte vetë ai, ia kishte hequr nishani që ai e ruante që prej fëminie mbi njërën vetull të syrit. Më 20 shtator të atij viti, trupi i tij u rivarros në varrezat e vendlindjes. Emri i tij është gdhendur në monumentin e përbashkët të dëshmorëve të Brigadës 133, në fshatin Tedel (Vrellë), si dhe në pllakën përkujtimore të dëshmorëve të këtij fshati.
Sot, e ëma, Raza ruan për kujtim të tij maicën që ia kishte përgatitur për ta veshur, ditën që Nimoni kishte marrë rrugën për në UÇK, një xhemper dhe fotografinë e të birit dëshmor. Asaj nuk ia kishte mundur kurrë dhembja krenarinë për të birin që e kishte lindur dhe rritur për lirinë e Kosovës. (N. M.)