Pas marrëveshjes së arritur mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe të PD-së, Lulzim Basha, Presidenti i Shqipërisë,Bujar Nishan dekretoi sot datën e zgjedhjeve parlamentare me 25 qershor 2017. Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Olsi Lafe tha se zgjedhjet do të zhvillohen ditën e dielë datë 25 qershor. Po ashtu ai bëri të ditur se po në këtë datë do të zhvillohen dhe zgjedhjet vendore në Kavajë që u anuluan në 6 maj. “Në vijim të iniciativës së Tij institucionale e të vazhdueshme për të nxitur dialogun politik me synim gjetjen e zgjidhjes politike mbi baza kompromisi, Presidenti i Republikës vlerëson maksimalisht këtë marrëveshje si një arritje të rëndësishme me interes për vendin dhe popullin shqiptar. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit gjithashtu shpreh mirënjohjen dhe ndaj kontributit të çmuar të dhënë nga miqtë evropianë dhe amerikanë të Shqipërisë”, deklaroi Lafe. “Në respekt të Kushtetutës dhe dispozitave të Kodit Zgjedhor, si dhe bazuar në kërkesën e krerëve të mazhorancës dhe të opozitës për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare dhe të zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kavajë, pjesë e kësaj marrëveshje politike, Presidenti i Republikës vendosi të miratojë këto kërkesa, si vijon: Ndryshimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, më 25 qershor 2017. Theksojmë se kjo datë i përket ditës së dielë të fundit të periudhës zgjedhore të parashikuar në Kodin Zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka vendosur të dekretojë të njëjtën datë, 25 qershor 2017 dhe për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kavajë”, thuhet në dekretin e Presidentit.
DEKRET PËR NJË NDRYSHIM NË DEKRETIN NR. 9883, DT. 05.12.2016 “PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN”
Në mbështetje të nenit 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 9, paragrafi 1 dhe 2, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,
Dekretoj
Neni 1
Neni 1, i dekretit nr.9883, dt.05.12.2016 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin”, ndryshohet si më poshtë :
“Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 qershor 2017”
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekreti 10351
Tiranë më 21.05.2017
PRESIDENTI I REPUBLIKËS BUJAR NISHANI
DEKRET PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KRYETAR BASHKIE, BASHKIA KAVAJË, QARKU TIRANË
Në mbështetje të nenit 92, gërma “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 10, pika 3 të ligjit nr.10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe të nenit 3, pika 3 të ligjit Nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”
Dekretoj
Neni 1
Caktimin e datës 25 Qershor 2017, për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të bashkisë Kavajë, qarku Tiranë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekreti 10352
Tiranë më 21.05.2017