Kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të presidentit të Shteteve të Bashkuara Meksikane mori pjesë në punimet e Platformës Globale 2017 për Reduktimin e Rrezikut të Kastrofave, që po zhvillohet në Kankun të Meksikës. Për herë të parë punimet e kësaj platforme zhvillohen jashtë ambienteve të Kombeve të Bashkuara që është në Gjenevë, dhe aktiviteti u ndoq nga një numër i konsiderueshëm drejtuesish shtetesh e qeverish, si dhe shkencëtarë, akademikë, përfaqësues të agjencive të ndryshme të emergjencave civile, e të tjerë. Nishani mbajti një fjalë në panelin e deklaratave zyrtare, ku që në fillim vlerësoi organizimin e kësaj platforme jashtë Gjenevës, duke krijuar një shembull shumë pozitiv, që mund të ndiqet edhe nga vende të tjera në të ardhmen. “Shqipëria, ashtu si edhe vendet e tjera është tërësisht e angazhuar për të kontribuar me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në reduktimin e rrezikut që vjen nga fatkeqësitë natyrore dhe ndërtimin e aftësive ripërtëritëse që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të vendit”, theksoi kryetari Nishani. Gjithashtu, ai vlerësoi angazhimet e marra me agjendën 2030 dhe Marrëveshjen e Parisit për Klimën, duke i konsideruar ato jo vetëm si mundësi për gjeneratën aktuale, por edhe për brezat e së ardhmes. “Zbatimi i këtyre dokumenteve ndërkombëtare, ku Shqipëria është pro-aktive, konsiderohen me të drejtë si strategjitë kryesore globale për përballimin e ndryshimeve klimaterike, arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, ndihmën ndërkombëtare, por edhe për çështjet e sigurisë e të paqes në botë”, u shpreh kryetari. Në kuadrin e pjesëmarrjes në këtë aktivitet të përbashkët të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë meksikane, Nishani u takua edhe me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat, Robert Glasses, me të cilin bisedoi në mënyrë të veçantë për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes strukturave përkatëse të Kombeve të Bashkuara dhe atyre shqiptare në masat paraprake për menaxhimin e efekteve të katastrofave.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …