Nisma Evropiane për Stabilitet u ka bërë thirrje ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, që ta pranojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, dhe ta dërgojnë në Asamblenë Parlamentare. Në një deklaratë të titulluar: “Sërish 47? Rusia jashtë, Kosova brenda”, drejtuesit e ESI, Gerald Knaus dhe Kristof Bender, kanë kërkuar që vendimi të merret në takimin e Torinos, në Itali, më 20 maj. Në të njëjtën deklaratë është rikujtuar se për dërgimin e Kosovës në Asamble mjaftojnë dy të tretat e votave, që i bie 31 nga 46 vende anëtare të KE. Kjo derisa 34 prej tyre e kanë njohur Kosovën. Si e tillë përmendet edhe Italia që tani është kryesuese e Komitetit të Ministrave. Ndryshe nga Rusia, Kosova ka shënuar bartje paqësore të pushtetit nëpër zgjedhje të lira dhe fer. Ndryshe nga Rusia, Kosova e pavarur nuk ka pasur asnjëherë të burgosur politikë. Ndryshe nga Rusia, Kosova asnjëherë nuk ka nxitur luftëra”, është thënë në deklaratë.
