Dëshmori Njazi Ferizi u lind më 16 prill të vitit 1933, në Kodrali të Deçanit. Prindërit e tij, Avdiu dhe Ryva kishin pesë fëmijë, katër djem dhe një vajzë, të cilët me mund të madh i rritën dhe i shkolluan. Dy prej tyre u bënë jenë kolosë: Njaziu kolos i shkollës dhe letrave shqipe, e Shaqa kolos i këngës.
Njaziu shkollën fillore e kreu në Irzniq (tash Rrezar) ndërsa Shkollën Normale në Prishtinë. Menjëherë u kthye në Deçan, ku tri vjet punoi si mësues në shkollën fillore të qytezës. I vazhdoi studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës Angleze. Ndonëse pas diplomimit në gjuhën angleze, Njaziu ishte kuadër i rrallë për kohën dhe mjaft i kërkuar, vendosi të kthehej në vendlindjen e tij, për të dhënë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj. Emërohet drejtor i shkollës fillore në Irzniq, ku falë punës dhe angazhimit të tij maksimal arrihen rezultate të larta qoftë në arsimin obligativ, qoftë në aktivitetet e lira si në sport, kulturë, art etj. Nga detyra e drejtorit e larguan me pretekst të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, me arsyetimin se paskësh punësuar në shkollë njerëz të papërshtatshëm ideo-politikisht, përkundër faktit se ata ishin njerëz të denjë, të përgatitur profesionalisht e kombëtarisht.
Njaziu, së bashku me një grup arsimdashësish kolegë profesorë themeloi gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ku punoi si profesor i gjuhës angleze 35-vjet me radhë. Gjatë gjithë kohës ai ishte në shënjestër të organeve të sigurimit, por nuk ndalej në misionin e tij të shenjtë për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.
Kur u themelua gjimnazi, Njazi Ferizi, që në vitin e parë shkollor 1967/68, ishte i pari profesor në komunën e Deçanit, që në plan-programet mësimore e futi mësimin e gjuhës angleze në vend të gjuhës ruse e cila ishte mësuar deri atëherë.
Në vitin 1996, në kohë mjaft të vështira, u emërua drejtor i Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, kur mësimi zhvillohej në variantin C – në hapësirat e shtëpive private, të cilat morën epitetin edhe shtëpi-shkolla. Ishte drejtor i shtatë qendrave mësimore në: Deçan, Junik, Rrezar (ish-Irzniq), Isniq, Drenoc, Strellc dhe Prejlep. Gjatë gjithë kohës tregoi aftësi organizative dhe u tregua i paluhatshëm, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shkollën shqipe.
Krahas kësaj, duhet theksuar se Njazi Ferizi, ishte nënkryetar i degës së UNIKOMB-it, në Deçan, që nga themelimi i saj në vitin 1993, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm si në organizim ashtu edhe në vetëdijesimin e popullit për organizimin e një rezistence aktive, për t’iu kundërvënë pushtuesit serb. Prandaj atë e gjeje kudo në tubimet popullore e demonstratat që organizoheshin kundër okupimit serb.
Profesori Njazi Ferizi ishte personalitet i gjithanshëm. Ai merrej me shkrime shkencore e krijimtari letrare. Ka qenë themelues i revistës së Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” – “Rreze Drite”, ku ka botuar shkrime të shumta, sikurse edhe në revista të tjera letrare e shkencore të Kosovës e më gjerë. Shkrime ka botuar edhe në revistën “Zgjimi” të Deçanit, që ishte bërë zëdhënëse e rezistencës së armatosur në Kosovë. Njaziu, vazhdimisht ka mbajtur ditar për zhvillimet e luftës së UÇK-së, por i cili fatkeqësisht nuk është gjetur. Ai ndjente admirim të veçantë për luftëtarët e lirisë. Sapo i pa luftëtarët e UÇK-së, të uniformuar e të armatosur u kishte thënë: “Djem ju lumtë pushka! Tani erdhi koha që me pushkë ta largojmë Serbinë nga vendi ynë!”. Këto fjalë i kujtojnë bashkëluftëtarët e tij.
Që në maj të vitit 1998, profesor Njaziu iu bashkua radhëve të UÇK-së, së bashku me të birin Valiantin. Kreu shumë detyra të rëndësishme ushtarake në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në Kodrali, duke e ndihmuar UÇK-në edhe me informacione, këshilla e furnizime.
Ishte nder i veçantë dhe motivim për luftëtarët e lirisë të kishin në mesin e tyre, profesorin dhe drejtorin e Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit, intelektualin e shquar, Njazi Ferizin, që me vetëmohim punoi e veproi në përgatitjen e terrenit për luftën çlirimtare, njeriun që më shumë se gjithçka e deshi popullin e vet dhe lirinë e tij, profesorin që nuk ia lejoi vetes të qëndrojë anash, por u bashkua në luftën e lavdishme me ish-nxënës, nxënës e kolegë të shkollës, shumë prej të cilëve patën fatin të bien dëshmorë, patën fatin të jenë kurorëzues të të gjitha përpjekjeve të deriatëhershme për t’u liruar nga pushtuesit serbë. E një fat të tillë e pati edhe profesor Njaziu, bashkë me të vëllain Shaqën, të birin Valiantin, axhën Ramadanin e shumë kushërinj të tjerë.
“Lapsi, çiftelia dhe pushka – janë simbole me të cilat identifikohen vëllezërit Njaziu e Shaqa dhe biri i Njaziut,i Valianti. Këto tri simbole për familjen Ferizi ishin jetë, edukim, argëtim, këngë, jehonë, krismë për liri. Përmes tyre vëllezërit dhe biri i familjes Ferizi hynë në histori krenarë e me faqe të bardhë. Hynë në historinë e kombit tonë krenarë e me dinjitet. Ata ishin viganë. Njaziu ishte kolos i fjalës. Shaqa ishte kolos i këngës e Valianti kolos i pushkës”, – shprehet profesor Sali Mazrekaj, një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të profesor Njaziut.
Terrori ushtarak serb kishte arritur kulmin pas 24 marsit 1999 kur filloi intervenimi ushtarak i NATO-s. Më 27, 28, 29 e 30 mars, gjenocidi serb kundër shqiptarëve në Kosovë arriti në ekstrem, ku popullsia shqiptare u vra, u masakrua, u terrorizua e u dëbua nga vatrat e veta. Pas ofensivës serbe në rajonin e Deçanit e të Dushkajës, Njaziu me të vëllain Shaqën dhe bashkëfshatarët tjerë, ishte nisur bashkë me njësitet e UÇK-së, nën drejtimin e komandantit për operacione luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit, Shkëlzen Haradinaj, që po i transferonin të plagosurit e shumtë në drejtim të Burimit (ish-Istogut), por natën e 5 prillit 1999, kolona kishte hasur në pritën e forcave serbe në afërsi të fshatit Kotradiq, me ç’rast u zhvilluan luftime të rrepta, prej ku këta detyrohen të kthehen sërish në fshatin e rrethuar Kodrali. Në rrethim kishin ndodheshin rreth 40 veta, gjysma e të cilëve u vranë ose u kidnapuan nga forcat serbe për t’u torturuar, vrarë e zhdukur më pastaj.
Më 13 prill 1999, në Kodrali, Njazi Ferizi bashkë me të vëllanë Shaqën, axhën Ramadanin dhe kushërinjtë Halit Ferizaj, Isë Hasaj, Ismet Ferizaj, Bylbyl Ferizaj, Bashkim Ferizaj e Skënder Ferizaj, u kapën në befasi nga forcat kriminale serbe, ish-kolonë të Lumbardhit, Ratishit e Dashinocit. Të njëjtën ditë u dërguan në Stacionin Policor në Deçan. Aty u torturuan çnjerëzisht, ndërsa të nesërmen u vranë dhe kufomat e tyre u hedhën në ujë nga Ura e Demës (në magjistralen Deçan-Pejë) në Lumin e Bardhë të Deçanit, e disa në bunaret e fshatit Strellc i Poshtëm.
Pas përfundimit të luftës, në muajin korrik 1999, trupat e masakruar të vëllezërve Njazi e Shaqë Ferizi, u gjetën në bunarin e Adem (Smajl) Gjukajt në Strellc të Poshtëm.
Më 30 korrik 1999, vëllezërit Ferizi u varrosën me nderime të larta ushtarake e popullore në varrezat e vendlindjes së tyre, ku u është ngritur edhe pllaka përkujtimore.
Njaziu ka qenë i martuar dhe ka pasur pesë fëmijë. Njëri djalë, ai që e donte më së shumti, Valianti – gardisti i Dukagjinit, siç e quanin bashkëluftëtarët, ra dëshmor në luftë për liri, pikërisht më 24 maj 1999, në një mision të shenjtë për shpëtimin e të plagosurve në Bjeshkën e Belegut. Pas vetes ka lënë gruan Hajrijen, djemtë Arianitin dhe Diamantin, dhe dy vajzat, Arbëritën dhe Kaltrinën.
Familja Ferizi është nderuar me mirënjohje të shumta për babanë, vëllanë e axhën dëshmor. Ata janë përjetësuar edhe në këngë e histori.
Dëshmori i kombit, Njazi Ferizi, ishte pishtar i shquar i shkollës shqipe, veteran i arsimit që me përkushtim të rrallë punoi në edukimin e mirëfilltë kombëtar të brezave të rinj. Ai hyri triumfalisht në Altarin e Lirisë, përkrah atyre që nuk kanë mort kurrë, për të cilët sado që të kalojë koha, nuk vlen parashtesa ish, por në jetë të jetëve mbeten të paharrueshëm e të pavdekshëm – Dëshmorë të Atdheut. (F. R.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …