Një delegacion nga Oda e Afarizmit të Kosovës, i kryesuar nga drejtori i Bordit, z.Skënder Krasniqi, nënkryetari z.Arsim Selmonmusaj, anëtarët z.Hasan Gigollaj, z.Hysni Zogaj si dhe drejtori ekzekutiv z.Ismet Mulaj me bashkëpunëtor, u pritën nga Ministri i Infrastrukturës z. Pal Lekaj dhe nga këshilltari Juridik, z.Riza Smaka.
Gjatë këtij takimi z. Krasniqi, e uroi Ministrin Lekaj për pozitën e Ministrit, duke i dëshiruar punë të suksesshme në një nga digasterët me interes për biznesin. Me këtë rast, z. Krasniqi e njoftoi Ministrin Lekaj për të arriturat e OAK-së dhe aktivitetet që po zhvillon në të mirë të biznesit. Po ashtu, z. Krasniqi përmendi disa nga kërkesat për Ministrin e Infrastukturës, ndër to ishin: mungesa e infrastrukturës në zonat ekonomike apo në zonat me përqëndrim biznesi, mos anëtarësimi i Kosovës në “shoqatën ndërkombëtare të transportueseve” (TIR), të inicohet ndryshimi i ligjit për automjete, sidomos nenet që kanë të bëjnë me taksat e regjistrimit (të paguhet vetëm njëherë gjatë vitit, e jo sa herë shitet automjeti) si dhe neni që përcakton lokacionin për kontrollimin teknik, të sinjalizohen rrugët sipas standardeve të BE-së, sepse mos sinjalizimi i rrugëve po shkakton aksidente të rënda dhe me fatalitet, të njoftohen qytetarët në rast të ndonjë aksidenti apo bllokimi të rrugës sepse mos njoftimi i qytetarëve për aksidente apo bllokimi i rrugëve po shkakton kolona të gjata, si dhe një mori problemesh që po ka biznesi në Kosovë. Ndërsa Ministri Lekaj u shpreh i gatshëm që të bashkëpunoj me OAK-un dhe të punoj në të mirë të biznesit për zgjidhjen e secilit problem që ka biznesi.
Në fund të këtij takimi, delegacioni i OAK-ut dhe Ministri Lekaj u dakorduan që bizneset duhet të përkrahen dhe duhet të punohet në heqjen e çdo barriere në interes të zhvillimit të vendit.