Është dashur më pak se një e treta e deputetëve nga radhët e PDK-së për t’i dështuar përpjekjet e qarqeve antishqiptare lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së. Shtatë vota kundër themelimit të kësaj gjykate dhe dy abstenime kanë qenë të nevojshme për t’ i thënë jo këtij projekti monstruoz antishqiptar, të cilin e kanë kundërshtuar shumica dërrmuese e veteranëve, invalidëve, familjarëve të dëshmorëve dhe deputetët e tri partive të opozitës.
Deputetët e PDK-së, Fadil Beka, Fadil Demaku, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Xhevahire Izmaku, Rafet Rama dhe Raif Çela kanë votuar kundër ndryshimeve kushtetuese. Nga kjo parti kanë abstenuar deputetja, Flora Brovina dhe deputeti, Nezir Çoçaj. Bekim Haxhiu, Blerta Deliu, Nuredin Lushtaku dhe Salihe Mustafa, kanë munguar gjatë votimit në Kuvend.
Këta deputetë, në një moment kritik, sikur ishte rasti i marrjes së vendimit në Kuvend, për apo kundër Gjykatës, me votat e tyre bënë që të dështojnë përpjekjet për devalvimin, shkatërrimin gradual të trashëgimisë së UÇK-së, dhe përbuzjen e nëpërkëmbjen e gjakut të dëshmorëve. Pakica e PDK-së, edhe pse tash për tash në shënjestër të shefit të partisë dhe besnikëve të tij të verbër, me siguri se e ka prapa tërë elektoratin e pastër kombëtar të kësaj partie. Jo rastësisht 7 nga nëntë deputetët që refuzuan Gjykatën janë nga Drenica, rajoni më i dëmtuar nga lufta gjakatare e barbare dhe antishqiptare e Serbisë, por njëherit edhe Sparta e pamposhtur e UÇK-së.