Një elegji fenomenale për rënien e Perandorisë Osmane, në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të

Një elegji fenomenale për rënien e Perandorisë Osmane, në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të

Elegjia, Elif-Elif, varianti i kënduar nga rapsodi i mirënjohur, Rizah Bllaca, është pa dyshim një këngë e veçantë, e krijuar nga një këngëtar apo dervish anonim, që i përket shekulli 19-të. Kjo elegji  për nga përmbajtja realiste, tema shoqërore, politike e ideologjike, është një krijim sui generis, i papërsëritshëm edhe për vlerat e tjera artistike, për mënyrën vajtuese dhe qortuese  të këndimit dhe referenca ndër më tipiket e më të veçantat. Është një këngë nga më të  arrirat e kohës që mban në fondin e vet, poezia shqipe e kohës së sundimit osman, e shkruar me alfabet arabo-turk, e injoruar nga injorantët dhe sharlatanët shqiptarë, të cilët pretendojnë ta fshijnë nga kujtesa e historia, përudhën 500-vjeçare të Perandorisë Osmane të cilës shumica shqiptare i kishte shërbyer dhe kishte bashkë-qeverisur.

Me ardhjen e tij në  Shqipëri, pushteti Osman solli me vete kulturën e tij te larmishme, e cila  më vonë do te bëhej edhe pjesë integrale e identitetit Shqiptar. Një fe e re, Islami, u përhap në Shqipëri, ndërmjet jugut ortodoks dhe veriut katolik, fe që u kthye në fenë dominante të Shqiptareve. Edhe pse në dekadat e para të shtetit Osman ne Shqipëri, pak shqiptarë ishin islamizuar, gjate shekullit te 17-të,  rreth 50% e popullsisë së Shqipërisë veriore kaloi ne Islam. Katolicizmi Roman dhe Ortodoksia sllavo-helene tek e fundit ishin mbajtëse te influencave të huaja në Shqipëri, te mbushura nga gjuhe te huaja, dhe shqiptarët në krahasim me fqinjët e tyre, grekë, bullgarë e serbë  ishin ndjekës sipërfaqësor të këtyre feve.  (Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I)

Me qëllim të caktuar, citova këtë fragment të historianit dhe letrarit të mirënjohur, Robert Elsie, për të vërtetuar se  në të kaluarën hartuesit e teksteve të historisë dhe letërsisë kanë  varrosur një literaturë e tërë, në gjuhën shqipe, e cila në radhë të parë ishte injoruar për shkak të alfabetit arab me përpjekje  antihistorike për ta injoruar e për ta zhbërë, tërë një epokë.

Janë me qindra autorë shqiptarë, madje edhe anonimë, që për qindra vjet kanë shkruar shqip me alfabet arab. Me këtë rast do ta analizojmë një elegji ende anonime, e cila për nga ndërtimi, tema e përmbajtja, shoqërore, fetare, politike e ideologjike është  elegji antologjike, krejtësisht e veçantë në shumë segmente edhe për nga ndërtimi poetik, stilistik e artistik.

Varianti, të cilin e ka kënduar rapsodi, Rizah Bllaca,  me titullin elif-elif, shkronja e parë e alfabetit arab, në analogji me alfa- alfa të alfabetit grek, ka 14 stofa me nga pesë vargje, pasi vargu i parë dedikues përsëritet  në hyrje të çdo strofe, një varg referues për dëgjuesin e këngës, duke iu drejtuar me fjalët, Aman ja dost, të dyja fjalët  turke që ishin të pranishme në të folur  shqipe në kohën e Perandorisë, po të pranishme e të kuptuara  edhe sot, që kanë mbijetuar  në mesin e shumë turqizmave, shumë nga të cilat janë bërë pjesë e gjuhës sonë të folur e të shkruar. Po kështu, në fund të çdo strofe, hartuesi anonim i këngës ka përdorur shprehjet pikëlluese e vajtuese: haj-haj dhe medet-medet,  secila  në funksion përmbyllës të strofës.

Strofa e parë stigmatizon Vilajetin, ( njësi administrative) këtu në kuptimin e “decentralizimit” të Perandorisë, si shkaktar i fillimit të rënies  dhe vendosjes së Kushtetutës monarkike, nga xhonturqit, me përkrahje të nëntokës e mbi-tokës së Stambollit, qysh në kohën e Sulltan Abdylazizit,  i cili  u ngjit në fron pas vdekjes së vëllait të tij më 25 qershor 1861, në moshën 31 vjeçare. Ai është sulltani i fundit i Perandorisë, të cilin e rrëzuan nga froni dhe e vranë xhonturqit, në vitin 1876.

Ja si vajton dhe konstaton krijuesi anonim i kësaj elegjie në strofën e parë:

 

Aman ja  dost!  1)

Elif-elif  ma mirë me vdekë,

tuk se mbërrini Vilajeti, 2)

Dhe bilahi nuk e kujtova.

Para andej  na mundoi dovleti,  haj-haj!

 

Këngëtari anonim shpreh bindjen se ndarja në Vilajete e Perandorisë ishte  fajtore e fillimit të copëtimit të saj, dhe nuk e kupton, apo nuk do ta kuptojë se pse na paska munduar, Dovleti-Shteti.

Që në strofën e dytë nge dyshimin se shkaktar për atë gjendje ishin lëshimet që  kishte bërë Turqia e kohës, duke u njohur të drejtat kombëtare e fetare të gjithë qytetarëve. Madje ky lëshim sipas konstatimit të hartuesit të tekstit tejet fanatik, paska sjellë edhe fundin epokës, Ahir Zemanin. ( Fundin e Epokës).

 

Aman hej dost!

Qef qelybe do ta bajmë 3- a

Tuk se mbërrimë Ahir zemanin,3)

Se vet baba i Turqenisë

I dha krye din-dushmanit, medet-medet.

 

Krijuesi anonim i kësaj elegjie evidenton gjendjen sociale të shoqërisë turke të kohës, e cila kishte rrjedhë si rezultat i fillimit të shpërbërjes nga brenda e nga jashtë. Dhe për këtë gjendje ai akuzon pushtetin që bënte lëshime, me pretendime për ta ruajtur  rendin dhe qetësinë publike.

Dy strofat në vijim janë predikime fetare, duke kërkuar nga besimtarët  t’ iu  përmbahen rregullave dhe të mos lakmojnë gjërat e ndaluara, të mos lejojnë ta marrin në dorë drejtësinë armiqtë  e Perandorisë.

 

Aman ja dost!

Gjithë gjunahet t’i bajmë  tybe 4)

Isha vjen në insaf  inqari 5)

Asht habitun fort ky hallki, 6)

Sheriatin jau ndanë çyfari, haj-haj! 7)

 

Aman ja dost!

E hutueme asht kjo jetë

Mos ta vranë mëndja insanit, 8)

Kjo dynja kujt s ka me i mbetë

Mbasi nuk i mbet Hazreti  Sylejmanit, ja dost hej dost!  9) (Sulltan Sylejmanit)

 

 

 

Aman ja dost!

Gjithë zullumi që na zbriti

Edhe u shtrue  Turqenia

U derdhi gjak i atij Sulltani

Ishalla i preftë Hazreti Mehdia, haj-haj!

 

Aman ja dost!

Zi e zeher u mbush kjo jetë,

Edhe u çue merahmeti, 10)

Si s kanë frikë që kemi  me vdekë

Kabull s na ban Muhamedi, ja dost, hej dost.

 

Aman ja dost!

Gjithë gajretin qe e bani Shkodra,

Davleti nuk e bani kabull

Për  gajretin qi e bani Shkodra

Perendia ata i baftë mahmur, haj-haj! 11)

 

Aman ja dost!

Sheriati i pejngamberit,  12)

nuk u pyet n atë zaman,  13)

Edhe sabër s mund po i bajmë

Jena ba lajk për tufan, medet medet! 14)

 

Aman ja dost!

Zi e zeher u mbush dynjaja,

dhe na mori myrtati,  15)

Veç Allahu atij  u ardhtë hakut

Ditë për ditë po shtohet bidati,  haj-haj.

 

Aman ja dost!

Kaf Kur-ani që asht shkrue

Dhe  asht fole prej Perëndisë

Qef qellpaze jemi ba  15)

Tuk se na shkeli kamba e jezidisë, haj-haj. 16)

 

Aman ja dost!

Laik jena ba

Ne koftë qi e harrojmë Perëndinë,

Se vetë gjaku i Ali Osmanit,

E harlisi krejt Turqeninë, medet-medet.

 

Aman ja dost

Do ta marrë vesh kuvendi

Se s po flas kurrgja hilaf  17)

Na i lutem zyl-xhelalit,  18)

Sulltanin me pru  n’ insaf, haj-haj  19)

 

Aman ja dost!

Kurrnji fajde që  jena gjallë

Mos i preftë dora e Zulfi Asllanit

Dhe vallahi jau baj nje be

Hakikat mbreti kand s kish pas me veti, haj-haj.  20)

 

Aman ja dost!

I hutu ish kanë Sulltan Abdylazizi,  21)

Tuk se u vnojke  murtati,  22)

Ti je baba i këtij zamani,

Sy e zemër na i qet haku, 23)

Ti je baba i këtij xhihani,  24)

Sy e zemër na i qet haku

 

Shpjegim fjalësh arabe turke të kësaj kënge elegjiake

 

 

 

Aman ja  dost!  1) shok, mik

Elif-elif  ma mirë me vdekë,

tuk se mbërrini Vilajeti, 2) njësi administrative

Dhe bilahi nuk e kujtova.

Para andej  na mundoi dovleti,  haj-haj!

 

Aman hej dost!

Qef qelybe do ta bajmë 3- a

Tuk se mbërrimë ahir zemanin,3) epoka, koha

Se vet baba i Turqenisë

I dha krye din-dushmanit, medet-medet,

 

Aman ja dost!

Gjithë gjunahet t’i bajmë  tybe 4) pendim

Ishall vjen në insaf  inqari 5)  pendimi

Asht habitun fort ky hallki, 6) njerëzia

Sheriatin jau ndanë çyfari, haj-haj! 7) i pafe

 

Aman ja dost!

E hutueme asht kjo jetë

Mos ta vranë mëndja insanit, 8) njeriu

Kjo dynja kujt s ka me i mbetë

Mbasi nuk i mbet Sulltan Sylejmanit, ja dost hej dost!  9) (Hazreti Sylejmanit)

 

Aman ja dost!

Gjithë zullumi që na zbriti

Edhe u shtrue  Turqenia

U derdhi gjak i atij Sulltani

Ishalla i preftë Hazreti Mehdia, haj-haj!

 

Aman ja dost!

Zi e zeher u mbush kjo jetë,

Edhe u çue merahmeti, 10) mëshira

Si s kanë frikë që kemi  me vdekë

Kabull s na ban Muhamedi, ja dost, hej dost.

 

Aman ja dost!

Gjithë gajretin qe e bani Shkodra,

Davleti nuk e bani kabull

Për  gajretin qi e bani Shkodra

Perendia ata i baftë mahmur, haj-haj! 11) i pastë mëshirar

 

Aman ja dost!

Sheriati i pejngamberit,  12) kanuni, e drejta islame

nuk u pyet n atë zaman,  13) kohë

Edhe sabër s mund po i bajmë

Jena ba lajk për tufan, medet medet! 14) jena prishë

 

Aman ja dost!

Zi e zeher u mbush dynjaja,

dhe na mori myrtati,  15) tradhtia

Veç Allahu atij  u ardhtë hakut

Ditë për ditë po shtohet bidati haj-haj.

 

Aman ja dost!

Kaf Kur-ani që asht shkrue

Dhe  asht fole prej Perëndisë

Qef qellpaze jemi ba  15) jemi stërkeqë

Tuk se na shkeli kamba e jezidisë, haj-haj. 16) këmba e vrasësi

 

Aman ja dost!

Laik jena ba

Ne koftë qi e harrojmë Perëndinë,

Se vetë gjaku i Ali Osmanit,

E harlisi krejt Turqeninë, medet-medet.

 

Aman ja dost

Do ta marrë vesh kuvendi

Se s po flas kurrgja hilaf  17) të keqe

Na i lutem zyl-xhelalit,  18)  Allahut

Sulltanin me pru  n’ insaf, haj-haj  19 – në rregull

 

Aman ja dost!

Kurrnji fajde që  jena gjallë

Mos i preftë dora e Zulfi Asllanit

Dhe vallahi jau baj nje be

Hakikat mbreti kand s kish pas me veti, haj-haj.  20) të vërtetë

 

Aman ja dost!

I hutu ish kanë Sulltan Abdylazizi,  21) …

Tuk se u vnojke  murtati,  22) tradhtia

Ti je baba i këtij zamani,

Sy e zemër na i qet haku, 23) e vërteta

Ti je baba i këtij xhihani,  24) bota

Sy e zemër na i qet haku…

refren

Ti je baba i këtij xhihani,  24) bota

Sy e zemër na i qet haku…

 

Ahmet Qeriqi

Shtator

2024

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi; Nëpër shekuj kënga burimore e popullit-Nik Çarku, këngëtari me zërin jehonë bjeshke të Alpeve shqiptare

Ahmet Qeriqi; Nëpër shekuj kënga burimore e popullit – Nik Çarku, këngëtari me zërin jehonë bjeshke të Alpeve shqiptare

Në trevat e Veriut të Shqipërisë, tradicionalisht janë ruajtur këngët rapsodike, epike-lirike  shqiptare, në mënyrën …