Atë që nuk e bëri Kosova, as Shqipëria Londineze, e bëri deputeti shqiptar nga Brukseli – Amet Gjanaj!
Një ëndërr që e kisha qe 18 vite (shpërndarjen falas të librit të popullit shqiptar “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 -1999) të gjithë deputetëve të Parlamentit Evropian, e bëri realitet Mërgata shqiptare nga Gjermania dhe ajo nga Belgjika, përkatësisht z. Amet Gjanaj me veprimtarin e çështjes kombëtare z.Nexhmedin Demiri dhe bashkëpunëtorët e tyre, z.Xhelil Demiri, z.Proletar Panxha, Michel Pasieba, Faik Abdullahi, Afrim Demiri, Burim Tershana( me vëllezërit Bekimin e Blerimin), të cilëve u jam mirënjohës dhe falënderues për jetë të jetëve. Kësaj radhe nuk ka munguar përkrahja morale e Kryeminsitrit të Republikës së Kosovës, z.Ramush Haradinaj dhe zv.ministrit të punëve të jashtme, z.Besnik Hoti, të cilëve gjithashtu u jam falënderues, pa e harruar në asnjë rast edhe Shoqatën Humanitare Bëmirëse “Nëna Terezë” të Kosovës, me në krye z.Zef Shala.
Sa të papërgjegjshëm jemi edhe si individë ( e kam fjalën për ata dhe ato që janë në pushtet) edhe si Institucione, ndaj gjakut të derdhur lum të vëllezërve dhe motrave tona, nënave dhe baballarëve tanë, të cilët me shekuj u flijuan për çlirimin e Kosovës dhe Bashkimin e trojeve shqiptare, tregon edhe ky fakt më tepër se, asnjë President, asnjë Kryeministër, asnjë Ministër i punëvë të jashtme, asnjë diplomat a deputet, asnjë lider a lidere, qoftë të partive në pushtet, apo të atyre në opozitë, me theks të veçantë e kam fjalën për këto 19 vitet e pas çlirimit të Kosovës nga Serbia fashiste, ama asnjëri (asnjëra) prej tyre nuk patën forcë morale a guxim intelektual t’ia ‘dhurojnë’ qoftë edhe një ekzemplar të vetëm të librit “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999”, ndonjërit prej diplomatëve (diplomateve) të Bashkësisë ndërkombëtare, qoftë në New York (në selinë e OKB-së), qoftë në Washington, qoftë në Bruksel, qoftë në Prishtinë a Beograd. Imagjinojeni të dashur vëllezër e motra, kudo që jeni nëpër botë, sa e sa herë janë takuar liderët tanë e do të takohen(me duar në xhepa) me pasardhësit e Kryekriminelit Millosheviq, me Aleksandër Vuçiqin e Ivica Daçiqin, e shumë të tjerë si këta, dhe kurrën e kurrës nuk patën guximin t’ua qesin në tavolinën e bisedimeve këtë libër enciklopedik, i përkthyer në anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht, maqedonisht, japonisht e suedisht, i cili me miliona fakte e argumente e dëshmon gjenocidin serb mbi shqiptarët për gati dy shekuj me radhë, dhe vrasjen e më tepër se gjysmë milioni shqiptarëve civilë në periudhën e viteve 1844 – 1999, libër ky që i ka thy të gjitha rekordet botërore të promovimeve, para të cilit ‘dorëzohen’ miq e armiq, libri më shokues në historinë botërore, i promovuar në qendrat më të njohura evropiane e botërore, si: Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkupi, Oslo, Jovik, Stokholm, Kopenhagë,Katovicë, Budapest, Romë, Helsinki, Vjenë, Lion, Paris, Shtutgart, Dortmund, Singen, Nyrnberg, Hechingen, Pforzheim, Hamm, Ludwigsburg, Helsingen, Heidelberg, Mannheim, Mynster, Gjenevë, Cyrih, Lugano, Ankara, Stamboll, Izmir, Bursa, New York, Washington, Florida, Detroid, Melbourne, Toronto, Bearry, Bruksel, Berlin, Bolzano, Braunschweig, Londër, Mynster, Dyzeldorf, Montreal, Lozanë, Malmo, St.Gallen, Bern, etj.
Për kurreshtjen e opinionit, ky libër ka arritë të futet dhe të marrë mirënjohje nga Bibliotekat më të njohura evropiane e botërore, si: nga Biblioteka Botërore e Kongresit Amerikan, nga Biblioteka Botërore Victoria e Australisë, nga Biblioteka Botërore e Bajernit të Gjermanisë, nga Akademia Ushtarake e Bundesverit gjerman, nga Biblioteka Botërore e Britanisë së Madhe në Londër, etj. Edhe pse, nga viti 2001/2018, janë shpërndarë mijëra e mijëra ekzemplarë gjithandej Evropës e botës, që në peshë fizike bëjnë më tepër se 20 mijë kilogram, asnjë Institucion i Republikës së Kosovës, apo Shqipërisë londineze, këtij libri nuk i është dhënë asnjë ‘mirënjohje’ apo qoftë edhe një ‘falënderim’.
E si mos të na kujtohet pastaj ajo thënja e të madhit Faik Konica: “Ruaje zot Shqipërinë prej shqiptarëve”!!!??
16 shkurti i vitit 2018 (ditë e premte), i pëlqeu apo nuk i pëlqeu kjo dikujt, pa asnjë dyshim se do të mbetet njëra nga datat me rëndësi të veçantë në historinë tonë më të re, të dhimbshme por shumë krenare. Pse? Sepse atë ditë, në Kryeqendrën e Belgjikës në Bruksel, deputeti shqiptar Amet Gjanaj me patriotin Nexhmedin Demiri dhe bashkëpunëtorët e tyre, ua dërguan falas në Pralamentin Evropian 751 deputetëve të këtij Parlamenti dhe 28 anëtarëve të Komisionit Evropian – librin “The Terror Of Serbian Occupier Over Albanians 1844 – 1999″(në tetë gjuhë botërore), nga një DVD me filmin dokumentar të njërës nga masakrat më të mëdha të pas luftës së dytë botërore në Evropë (Maskra e Krushës së Madhe – 26 mars 1999), i përkthyer me titra në gjuhën angleze, dhe nga një broshurë bashkangjitur librit dhe filmit, në të cilën me emra e mbiemra dhe me foto – portretet e tyre janë të gjithë evrodeputetët dhe evrokomisionerët e Parlamentit Evropian, në të cilën Broshurë në anglisht, frengjisht e gjermanisht, posa ta shfletojnë do ta lexojnë mesazhin e autorit të këtij libri…, me këtë përmbajtje: Zgjohu Evropë, Mos e barazo viktimën me kriminelin. Libri, broshura dhe DVD me filmin dokumentar të Krushës së Madhe, në peshë fizike bëjnë 3960 kilogram.
Mw 20 shkurt 2018, Para selisë së Parlamentit Evropian u mbajtë Manifestim paqësor protestues, për të shënuar në mënyrë simbolike suksesin e këtij projekti shkencor, me librin e përmasave “gjigante” me dimensionet dy metra i gjatë dhe 1.5 metër i gjerë.
Fatkeqësisht, edhe pse si lajm një ditë përpara e kishin dhënw shumicë e meideve të shkruara dhe elektronike, në këtë Manifestim të një rëndësie historike për shqiptarwt në përgjithësi e ata të Kosovës në veçanti, nuk ishte prezent asnjë TV shqiptar, qoftë publik apo privat. I vetmi RTV 21 e ka dhënë në lajmet e veta si storie e përgatitur nga reporteri Jeton Morina.
Akti ’emocinal’ dhe i pa përshkruar i futjes së gjithë këtij bagazhi veprash të gjenocidit serb mbi shqiptarët ( si një ‘aktpadi’ dhe për herë të parë në këtë formë të veçantë dhe zyrtare), përmes “ajfonit”është filmuar nga Nexhmedin Demiri, i cili me Kamionetën e tij dhe ekipën përcjellëse, duke iu falënderuar vendosmërisë së deputetit shqiptar Amet Gjanaj, u lejohet të hyjnë brenda selisë së objektit të Parlamentit Evropian, duke ua dorëzuar organeve përgjegjëse të këtij Parlamenti, për t’ua shpërndarë pastaj të gjithë deputetëve të këtij Parlamenti turpin e Serbisë fashiste për gati dy shekuj, për tentim çfarosjen kolektive të shqiptarëve në zemër të Evropës.
Filmi dokumentar i producentit Nusret Pllana dhe regjisorit Luan Kryeziu mban titullin “Dëshmitë e Heshtura”.
Evropë “demokratike”, edhe nëse kanë heshtur dikur shqiptarët për barbaritë dhe mizoritë serbe mbi ta, tash e tutje më nuk do të heshtin!!