Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë «Naim Farshëri” në Zvicër në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Zvicër organizuan prezantimin e njërit prej filmave më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare, filmin “Nëntori i dytë”. Një mbrëmje plot emocion! – Një ngjarje nga e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar. E veçanta e kësaj mbrëmje ishte pjesëmarrja e nxënësve të shkollës shqipe të mësuesit Vaxhid Sejdiu.

Fakt është se nxënësit e shkollave, studentët dhe të rinjtë në vazhdimësi duhet të njihen me faktet historike,  duhet të njihen me të kaluarën e popullit shqiptar, me përpjekjet shekullore për liri dhe çlirim kombëtar. Një prej kryeveprave artistike është padyshim edhe filmi “Nëntori i Dytë”, në të cilin kurorëzohen përpjekjet e gjeneratave për ta shpallur Shqipërinë “të lirë e të mosvarme”.

Programi ishte pagëzuar “Festojmë Nëntorin Shqiptar”, ku në fjalën hyrëse përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër Znj. Monika Zguro, theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve kulturore për prezantimin e trashëgimisë kombëtare dhe, në këtë rast shfaqjen e filmit „Nëntori i Dytë“, i cili portretizon ngjarjen më të rëndësishme të historisë kombëtare, atë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Filmi solli para syve tanë, disa prej figurave kyçe historike kombëtare si Ismail Qemalin, Isë Boletinin Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin dhe qindra e mijëra bashkëluftëtarë, të cilët e kurorëzuan me sukses shpalljen e Pavarësisë,  në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Salla ishte përplot e mbushur me nxënës, mësues, prindër dhe veprimtarë të arsimit shqip në Zvicër, në mesin e tyre sekretari i parë i Ambasadës shqiptare në Bernë Z. Valon Gashi, konsulli i Konsullatës së R. së Kosovës, Z. Vigan Berisha, mësuesi dhe bashkëkryetari i L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” në Zvicër, Z. Vaxhid Sejdiu, kryetari i L.A.P.Sh.- it kantonal të kantonit Argau Riza Demaj, kryetari i Rrjetit të Bizneseve për Zvicrën Qendrore Z. Visar Robelli, gazetarja e gazetës albinfo.ch,  Znj. Luljeta Ademi, mësuesit Minire Azemi dhe Isuf Ismaili, përfaqësuesit e grupit “Autoktonët” etj.

Pjesë e programit ishte edhe ekspozita „Në anën e duhur të historisë”, një udhëtim i dokumentuar nëpërmjet dëshmive të kohës që prezanton kontributin dhe rezistencën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo ekspozitë plotësoi ngjarjen e madhe të Nëntorit duke e rikujtuar dhe vlerësuar trashëgiminë kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Vlen të përmendim se mësuesi Vaxhid Sejdiu të gjithë pjesëmarrësve iu dhuroi librin “Të flasim dhe të shkruajmë drejtë” të Hajro Hajrës.

 Sektori për informim

Kontrolloni gjithashtu

Shefqet DIBRANI: DIKTATURA MUND TA NDRYDH TALENTIN, POR JO TA PUSHTOJË TËRËSISHT

Shefqet DIBRANI: DIKTATURA MUND TA NDRYDH TALENTIN, POR JO TA PUSHTOJË TËRËSISHT

Portret artisti BASHKIM ALUSHI, piktor: Bashkim Alushi, ka lindur më 25 shtator 1954. Shkollën Fillore …