Kisha Katolike, në Shqipëri, u ka kërkuar së fundmi institucioneve qeveritare, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, hartimin dhe miratimin e një ligji që do ta ndalonte përdorimin e simboleve komuniste. Duke iu referuar këtij propozimi, historiani, Pëllumb Xhufi, i ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH 1 deklaroi se një iniciativë e tillë nuk është aspak në tagrin e Kishës Katolike.
“Nuk është në natyrën e Kishës. Madje e kam thënë, edhe kolegëve që mbronin pozicionin e Kishës në këtë rast, të marrin shembull nga Selia e Shenjtë. Selia e Shenjtë nuk ka pozicione të tilla egra ideologjike kundër komunizmit, kundër fashizmit, kundër nazizmit.
Ky nuk është roli i Kishës që të vendosë rregull në botën laike. Ka tjetër mision. Kjo është në kundërshtim të plotë me natyrën dhe me mësimet Jezu Krishtit apo me 10 porositë e Moisiut. Sa i përket kreut të Kishës, del një problem tjetër që janë të huaj”, u shpreh Xhufi. Të shtojmë me këtë rast se kërkesat e Kishës jo vetëm që nuk do të plotësohen, por ato në esencë janë inkuizicionale dhe si të tilla, përpjekje të mjera për ta dëmtuar tolerancën fetare ndër shqiptarë, që është bazamenti fondamental i kombit. Kisha Katolike e Shqipërisë ka hallin e humbjes dhe të rrudhjes drastike të besimtarëve, sidomos me zgjerimin e dukurisë së abuzimit të fëmijëve nga priftërinjtë, të cilat përditë i lufton edhe Vatikani, por pa sukses.