Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, në përpjekje për të mësuar nga praktika e shteteve tjera dhe me dëshirë për t’ u treguar se i dalin zot punës, shpeshherë kanë rënë në situata qesharake, duke shkaktuar madje edhe skandale, sikur është rasti i vendosjes së Pllakës së “Holokaustit” në Prishtinë, edhe pse dihet botërisht se asnjë hebre nuk ka pësuar nga forcat Nazi-fashiste, në asnjë vend të Shqipërisë etnike. Andaj Pllaka e Holokaustit në Prishtinë, do të ishte e njëjtë me një pllakë të Holokaustit në ndonjë qytet të Izraelit. Si mund të vendoset një pllakë në shenjë të nderimit të viktimave hebraike, në një vend ku nuk ka pësuar asnjë hebre, ku pjesëtarët e këtij komuniteti janë strehuar dhe janë ruajtur nga shqiptarët.
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se “Gjatë Javës së Tolerancës”, Prishtina do të marrë Gurin e Paqes, duke iu bashkuar kështu grupit të qyteteve që në të kaluarën kanë nderuar viktimat e luftës, me hapësirën kushtuar atyre. Ky gjest simbolik është përcjellë nga njerëzit e Hiroshimës së Japonisë në tërë globin. Sipas njoftimit të kësaj ministrie Guri i Paqes do të vendoset në Muzeun Kombëtar të Kosovës me pjesëmarrjen e kryetares, Atifete Jahjaga, zëvendësministrit të Kulturës, Hajdin Abazi, dhe kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa. Kryeministri, Thaçi ka përuruar Monumentin e Holokaustit, në vendin ku ndodhej dikur sinagoga hebraike në Prishtinë.
Të gjitha këto dhe manifestime të tjera janë paraparë të zhvillohen ashtu sikur zhvillohen rëndom në shtetet ku hebrenjtë kanë pësuar në mënyrën më barbare, që njeh historia njerëzore. Është shumë e habitshme si ka ndodhur ky “non sens” i llojit të veçantë, kur një ministri, sikur është Ministria e Jashtme e Kosovës, nuk disponon madje as të dhënat elementare lidhur me “Holokaustin” dhe shtetet ku kanë pësuar fatalisht hebrenjtë. Shqipëria, Kosova dhe të gjitha viset etnike shqiptare në Ballkan, kanë qenë i vetmi vendstrehim i sigurt për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku pjesëtarët e këtij etniteti u ruajtën dhe nuk iu dorëzuan fashistëve barbarë, gjermanë, edhe pse në Shqipëri ishte e postuar një Qeveri kuislinge që bashkëpunonte me fashistët, ndiqte dhe persekutonte partizanët shqiptarë, por ajo nuk arriti t’i arrestojë hebrenjtë, të cilët shqiptarët i ruajtën më shumë se veten. Ky fenomen i ruajtjes së mikut në besë, i përhapur në botën shpirtërore shqiptare, tregon integritetin e jashtëzakonshëm moral të shqiptarëve tradicionalë, të cilët mikun në shtëpi dhe atë që i kërkonte besën, e konsideronin si anëtar të familjes. Kështu ndodhi edhe me hebrenjtë, të cilët gjatë tërë historisë së tyre, në Ballkan, vetëm në trevat shqiptare ishin pritur dhe ishin trajtuar si miq të vërtetë. Asnjë hebre nuk është ndjekur, as është persekutuar në trojet shqiptare.
Shqiptarët, gjatë tërë historisë së tyre, në asnjë periudhë të saj, nuk e kanë shprehur antisemitizmin, sikur e shprehur Serbia, Greqia, të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës. Andaj ideja për një pllakë të Holokaustit në Kosovë, nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë dhe me asnjë fakt historik.
Kundër kësaj ideje me të drejtë ka reaguar edhe Shoqata e miqësisë Kosovë-Izrael “Dr. Haim Abravanel”, e cila mision dhe qëllim kryesor ka të zbulojë dhe publikojë faktet për familjet që kanë shpëtuar hebrenj në Kosovë, gjatë Holokaustit, e konsideron të papranueshme vendosjen e pllakës përkujtimore, në Prishtinë. “Duke e theksuar se përkulemi me nderim para çdo viktime të Holokaustit, gjithashtu dëshirojmë të theksojmë se rrethanat dhe historia e Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë ndryshe nga siç është shkruar deri më sot. Kosova dhe Shqipëria janë raste të veçanta në Evropë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, përfshirë ata që ishin në Shqipëri para Holokaustit, por edhe ata që kanë ardhur aty për t’u strehuar nga vende të ndryshme të Evropës. Gjithashtu, duhet bërë e ditur se ishin pikërisht shqiptarët etnikë të Kosovës ata që ndihmuan hebrenjtë e përndjekur nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës, të kalojnë të sigurt në territorin shqiptar. Pas çlirimit të Kosovës dhe hapjes së arkivave të shtetit shqiptar, në vitet 1990 dhe 1991, kanë dalë në dritë fakte të shumta që vërtetojnë se 100 për qind e hebrenjve në Shqipëri janë shpëtuar”, thuhet në një reagim të shoqatës. Sipas reagimit, përmbajtja e tekstit të kësaj pllake, është një çështje që na shqetëson, “ngase lë mundësinë që historia të interpretohet sikur të ishin pikërisht shqiptarët e Kosovës ata që dorëzuan hebrenjtë në kampet naziste, gjatë Holokaustit”. “Kërkojmë nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që sa më parë ta njohin zyrtarisht rolin unik të familjeve shqiptare në Kosovë në shpëtimin e hebrenjve, gjatë Holokaustit, thuhet mes tjerash në reagimin e Shoqatës së miqësisë, Kosovë-Izrael.
Edhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka reaguar kundër vendosjes së pllakës së “Holokaustit”, në Prishtinë
Në reagimin e Shoqatës thuhet se Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Kosovës Lindore dhe Çamërisë janë myslimanë, katolikë, të krishterë ortodoksë dhe hebrenj, që kanë jetuar pranë njëri-tjetrit në harmoni me shekuj të tërë. Prandaj, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane mbështet çdo iniciativë që sjell në vëmendjen ndërkombëtare historinë e gjatë të tolerancës ndërfetare te shqiptarët, thuhet në një kumtesë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, përkitazi me “Javën e tolerancës në Kosovë” “Megjithatë, ne nuk e pranojmë zbulimin e pllakës përkujtimore gjatë ‘Javës së Tolerancës’ në Prishtinë e cila përkujton ‘Hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet naziste të ekzekutimit gjatë Holokaustit’ sepse kjo e shtrembëron të vërtetën mbi atë që ndodhi gjatë. Historia shqiptare është e veçantë: çdo hebre që jetonte në Shqipëri apo që kërkoi strehim aty gjatë Holokaustit u shpëtua. Përderisa gjashtë milionë hebrenj u shfarosën, mijëra hebrenj u shpëtuan për shkak të besës – kodi i nderit që i kërkon çdo shqiptari të mbrojë jetën e çdokujt që kërkon strehim – pa marrë parasysh fenë, ngjyrën, etninë, apo gjininë, edhe nëse kjo nënkupton sakrifikimin e jetës. Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë që pati më shumë hebrenj pas luftës, sesa para saj. Shpëtimi i hebrenjve nuk mund të ketë ndodhur pa ndihmën e shqiptarëve që jetonin jashtë shtetit sovran të Shqipërisë në Kosovën e pushtuar nga nazistët dhe serbët. Kjo është pllaka që është dashur të jetë ngritur në Prishtinë me 23 maj. Teksti i pllakës fillon me deklaratën se ‘Ky është vendi ku ka qëndruar sinagoga e fundit e Kosovës deri më 1963’. Kjo gjithashtu fsheh faktet historike. Kosova u sundua nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri më 1966 nga Aleksander Rankoviq, një zyrtar komunist serb që shtypi shumicën shqiptare të Kosovës dhe i cili shkatërroi arkitekturën historike shqiptare, duke përfshirë edhe sinagogën. Po ashtu meqë Izraeli ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është e parakohshme të thuhet ashtu sikur thotë programi zyrtar për ngjarjen se ‘Pllaka është gjithashtu shenjë e mirënjohjes për miqësinë e përjetshme mes popullit të Kosovës dhe atij të Izraelit’. Është pikërisht Izraeli që duhet të artikulojë mirënjohjen e tij për rolin e veçantë që shqiptarët luajtën në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, dhe pastaj t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe popujve të tjerë demokratikë që e kanë njohur Kosovën si shtet sovran”, thuhet në kumtesë.
Hebrenjtë që pësuan në kohën e pushtimit Nazifashist në Kosovë, nuk ishin hebrenj nga Kosova, ata i kishin sjellë me vete forcat gjermane si minatorë, nga shtetet e ndryshme të Evropës. Ata detyrimisht punonin në Trepçë, ku më në fund edhe i kanë djegur në shkritore.
Në Kampin fashist në Kosovë, në fund të Luftës së Dytë Botërore kanë pësuar edhe qindra partizanë shqiptarë nga Shqipëria. Për ata ishte ngritur një pllakë përkujtimore, e cila tashmë jo vetëm që është harruar, por edhe është dëmtuar. Asnjë delegacion nga Qeveria e Kosovës nuk ka bërë dhe nuk bën nderime te kjo pllakë, në kompleksin e Fakultetit të Kimisë. Kam prirje të besoj se zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Kosovës nuk kanë dëgjuar kurrë për atë pllakë të ngritur në përkujtim të krimeve të forcave fashiste, por edhe ato kuislinge të Xhafer Devës.
Po të kishte Qeveri të mirëfilltë Kosova, po të mos e drejtonin disa dikasterët e saj persona të katapultuar nga rruga, që nuk i disponojnë madje as njohuritë elementare nga historia dhe kultura shqiptare, një skandal i tillë nuk do të kishte ndodhur.
Duket se Qeverisë së Kosovës, nuk i bëhet vonë. Ajo i ka shënuar dhe po i manifeston këto aktivitete ashtu sikur i ka projektuar, pavarësisht skandalit. Pushtetarët e Kosovës, me veprime të tilla të pamatura, tregojnë faqe botës mungesë dije, mungesë kulture dhe mungesë serioziteti. Dhe, kështu ka për të ndodhur përderisa vendin e qeverisin klanet, grupet e interesit dhe bosët e mafisë, për të cilët kultura dhe historia kombëtare kuptohet e manifestohet vetëm si një perceptim kalimthi i së kaluarës, pa seriozitetin e duhur e më se të nevojshëm, sidomos për raste të veçanta sikur është ruajtja e hebrenjve nga shfarosja kolektive.
Nëse duhet të vendosen pllaka apo monumente përkujtimore për hebrenjtë në Prishtinë, Shkup dhe në Tiranë, ato do të duhej të ishin monumente falënderimi për shqiptarët, të cilët nuk ua dorëzuan hebrenjtë nazifashistëve, por i ruajtën nëpër familjet e tyre, por kurrsesi monument në përkujtim të holokaustit. Këtë detyrë dhe obligim moral e ka shteti i Izraelit, i cili pavarësisht kësaj historie të ndritshme të shqiptarëve në ruajtjen e hebrenjve, ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, me qëllim për të mos e prishur miqësinë me regjimin kriminal të Serbisë. Pavarësisht nga kjo shqiptarët ndihen krenarë se janë ndër popujt e vetëm të botës, që i ruajtën hebrenjtë në kohën e zhdukjes masive të tyre nga barbaroidët fashistë.
Ahmet Qeriqi
23. 5. 2013