leoni

Njomëza Ramë Lipaj (12.9.1985 - 13.4.1999)

Njomëza Ramë Lipaj (12.9.1985 – 13.4.1999)

Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë të rralla rastet kur gatishmërinë për t’iu bashkuar luftës çlirimtare dhe luftëtarëve të lirisë, e shprehin edhe djem e vajza që ende nuk ishin ndarë krejtësisht nga bota e fëmijëve, e që, siç thuhet, ende i kishin buzët me tamël. Motivi dhe aroma e lirisë i kishte bërë për vete zemrat dhe ndjenjat e tyre, prandaj për ta nuk kishte kënaqësi e bukuri më të madhe sesa të të radhiteshin në mesin e trimave e trimëreshave që me forcën e armëve po i dilnin zot Kosovës së robëruar.

Nuk ishin të rralla rastet kur çunat dhe çupat tona ende të mitura, këmbëngulnin të mobilizoheshin në radhët e UÇK-së, duke sfiduar edhe rregullat e rekrutimit të kësaj ushtrie, të cilat përfillnin edhe kriterin e moshës. Njëra prej të tillave çupa, të cilës i bëhet peng që ta vëjë pushkën e lirisë në supe e të marrë epitetin ushtare e UÇK-së ishte edhe dëshmorja e kombit Njomëza Lipaj.

Dëshmore Njomëza Lipaj ka lindur më 12 shtator të vitit 1985, në fshatin Temal (ish-Kamenicë) të komunës së Burimit. Nga prindërit e saj, Rama e Ziza, të cilët rritën edhe tre fëmijë të tjerë: Mimozën, Kreshnikun e Kastriotin, por edhe nga gjyshërit dhe rrethi i gjerë familjar, Njomëza merr fillet e para të një edukate të shëndoshë, që do ta bëjë atë t’i dojë vendin dhe njerëzit e vet. Në bankat shkollore, Njomëzës do t’i shtohen ëndrrat për jetën dhe të ardhmen e saj. Ëndërronte të bëhej mjeke që ta luftonte sëmundjen e t’i shëronte njerëzit. Mirëpo, kjo ëndërr nuk u realizua. Në vend se të bëhej mjeke që ta luftonte sëmundjen, ajo u bë luftëtare e lirisë për ta luftuar armikun shekullor serb e për ta çliruar Kosovën.

Njomëza ishte nxënëse e shkollës fillore në Tedel (ish-Vrellë). Ajo edhe përnga natyra, me gjallërinë, shkathtësinë, inteligjencën, me përkushtimin në mësime, me sjelljet, e me prirjet e saj, sikur jepte për të kuptuar se ishte një vajzë e jashtëzakonshme që po rritej për një vepër të madhe, që po rritjej për Kosovën.

Me fillimin e luftës çlirimtare, Njomëza dëgjonte e përcillte tërë sy e vesh, ato që fliteshin e thuheshin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kureshtja e saj për UÇK-në shtohet gjithnjë e më shumë, atëherë kur në shtëpinë e saj hyjnë e dalin luftëtarët e lirisë, të cilët shkonin për në Shqipëri për furnizim me armatim dhe ktheheshin që atje të armatosur deng. Ajo përjetonte ndjenjë krenarie kur këtyre luftëtarëve, të lodhur nga pesha e nga rruga e gjatë dhe plot krajata e rreziqe, të cilët në shtëpinë e Njomëzës e kishin derën të hapur, ku çlodheshin, ushqeheshin dhe merrnin veten, u shërbente me ujë a me ndonjë gjë. Në ato çaste kjo vajzë e re përvidhte me bisht syri armët e luftëtarëve dhe ua kishte zili atyre që i mbanin e i bartnin. Më vete thoshte: “Sikur të isha dhe unë në këtë moshë! Kur do të vijë dita që edhe mua të më shkëlqejnë uniforma e UÇK-së dhe armët në brez?!”.

Një ngjarje e vçantë, që te Njomëza krijon emocione të pashlyeshme dhe ndikim të fuqishëm, ishte rënia e dëshmores Myrvete Maksutaj nga Orrobërda, të cilën e kishte kushërirë nga nëna. Myrvetja, ushtare e UÇK-së, kishte rënë në vjeshtë të vitit 1998 në një përleshje me policinë serbe te qendra spitalore në Pejë. Heroizmi i saj bëhet frymëzim për Njomëzën, e cila merr pjesë edhe në ceremoninë e vorrimit të saj. Pas kthimit nga kjo ceremoni, por edhe shumë herë të tjera, ajo i kishte thënë së ëmës se po të binte sikur Myrvetja, nuk do t’i dhimbsej jeta. Këtë ceremoni varrimi, të filmuar në shirit, Njomëza e shikonte shpeshherë.

Ngjarjet si kjo po ndikonin në formimin e shpejtë të personalitetit të Njomëzës, në pjekjen dhe edukimin atdhetar, si dhe në rritjen e ndjenjës së guximit e të vetëbesimit individual. Sa herë që i ofrohej mundësia ajo shfaqte dëshirën dhe kërkonte të armatosej e të bëhej ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo mosha e saj shumë e re nuk lejonte një gjë të tillë.

Pas formimit të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, në janar 1999, edhe fshati i Njomëzës do të kontrollohet nga kjo brigadë. Tani mundësitë për kontakte me UÇK-në ishin të përditshme, meqenëse në radhët e saj, nga dera e Lipajve rreshtohen: Ylber Lipaj, Demë Lipaj, Enver Lipaj, Blerim Lipaj, Fadil Lipaj, Liridon Lipaj e Isa Lipaj. Nga kjo derë, jashtë radhëve të UÇK-së kishin ngelur vetëm gratë, fëmijët dhe pleqtë. Në fillim të muajit mars, në UÇK mobilizohet edhe Njomëza. E ëma ia kihte prerë e qepur kapelën e uniformës ushtarake, të cilën ajo e bart me elegancë. Me këtë mobilizim asaj i realizohet dëshira e flaktë për të gëzuar epitetin ushtare e lirisë. Si ushtarja më e re, pjesëtare e Policisë Ushtarake që vepronte në kudrin e brigadës, Njomëza të cilën shokët e armës e thërritnin “Sugaricë”, tregon entuziazëm të madh për të përvetësuar mënyrën e përdorimit të armatimit dhe për t’u kalitur fizikisht shtatin e saj të njomë. Ajo merr pjesë në stërvitjet e rregullta ushtarake të organizuara nga shtabi i Brigadës 133 që ndodhej në fshatin Studenicë. Brenda një kohe të shkurtër ishte aftësuar të përdorojë armët, si automatikun, bombën e dorës e të tjera.

Në fund të marsit të vitit 1999, sikurse popullata e fshatrave të tjera përreth, edhe popullata e Temalit detyrohet të largohet nga shtëpitë e veta. Nga shtëpia u largua edhe familja e Njomëzës, e cila vendoset në Studenicë. Ajo qëndron aty deri në rënien e pozicioneve të UÇK-së në fshatin Tedel (ish-Vrellë), pas ofansivës serbe të datës 12 prill, kur ajo largohet nga Kosova dhe arrin në Shqipëri.

Në mëngjesin e 13 prillit, Njomëza, pa e ditur se forcat kriminele serbe kishin arritur të depërtonin në fshatin Studenicë, përkatësisht në shtëpinë e Haxhi Zeqirajt, ku gatuhej dhe përgatitej ushqimi për pjesëtarët e UÇK-së, shkon atje bashkë me disa vajza të tjera për të marrë ushqimin. Me të arritur aty kapet në befasi nga duart e krimit…

Njëkohësisht me Njomëzën kapen dhe masakrohen edhe: Haxhi Zeqiraj, pronari i shtëpisë; Sala me të bijat Qëndresën e Mirdonën; Sabria me të bijën, Lindihanën; Hajria, Mejremja. Viktimat e masakruara, kriminelët serbë i hedhin në pusin e oborrit të shtëpisë ku bënë masakrën. Ato u gjetën pas përfundimit të luftës, kur në këto troje të Kosovës kishte ngelur vetëm hija e krimit, e lënë pas nga forcat serbe. Trupat e tyre u nxorën nga Ramë Lipaj, Ramadan Dreshaj, Skënder Lipaj, Enver Lipaj dhe nga gjyshërit e Njomëzës, Mehmeti e Cyma.

Trupi i dëshmores Njomëza Lipaj u vorros më 26 qershor 1999 në varrezat e fshatit të lindjes, Temal. Dy muaj më vonë, trupin e saj e zhvarrosi ekipi i patologëve ndërkombëtarë, për të konstatuar krimin e bërë mbi të.

Te sheshi i fshatit, pranë rrugës automobilistike Burim-Tedel-Banjë e Pejës sot rrezaton nuri i fytyrës së njomë të dëshmores, e skalitur në përmendoren e mermertë. Kjo përmendore dëshmon madhështinë e shpirtit të Njomëzës dhe të gjitha njomëzave të tjera të UÇK-së, të cilat sakrifikuan rininë e tyre, pa e shijuar nektarin e luleve të pranverës jetësore, që atë ta shijojnë Kosova dhe brezat e ardhshëm.

Prindërit e Njomëzës dhe gjithë familja, sot ruajnë kujtimin e ëmbël për dëshmoren, duke hequr mallin e pafund për të, përmes relikeve të shtrënjta të saj, siç janë: fotografitë, jeleku i uniformës së policisë ushtarake, unazës dhe orës së dorës , të cilën në momentin e ndarjes prej saj, ia kishte dhënë së ëmës, Zizës, për kujtim. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …