leoni

Nonda Bulka (1906-1972) atdhetar, publicist, përkthyes dhe rrëfimtar i njohur realist

Nonda Bulka (1906-1972) atdhetar, publicist, përkthyes dhe rrëfimtar i njohur realist

Nonda Bulka u lind më 1906 në fshatin Leus pranë Përmetit, një fshat me traditë, prej nga kishin dalë, Odhise Paskali, Alqi Kristo, Sejfulla Malëshova e të tjerë burra të shquar të kohës. Pas përfundimit me sukses të Liceut francez të Korçës ai vazhdoi studimet e larta për jurisprudencë në Paris të Francës. Kur u kthye në Atdhe punoi si mësues në Korçë, Elbasan dhe Tiranë. Kjo është edhe koha e tij fillestare aktive si shkrimtar e publicist. Shkruan njëkohësisht në katër-pesë gazeta e revista të kohës: Në gazetën e Korçës “Ora e Re”, te “Rilindja”, “Arbëria”, “Drita”, në revistat letrare të përkohshme e ditore dhe më vonë edhe te e përditshmja “Bashkimi” (më madhja në vend), ndërkohë që më 1945, është nismëtari i themelimit të “Hostenit” të famshëm, duke qenë për shumë kohë zemra e tij, sepse mban disa rubrika dhe përdor pseudonime të ndryshme. Në periudhën e mëvonshme, Nonda Bulka, punoi edhe si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

Shkrimtari u bë i njohur së bashku me plejadën e letrarëve të shquar përparimtarë të viteve ’30. Skicat, fejtonet dhe shkrimet e gjinive të tjera më të mira të tij janë: “Vija e vdekjes”. “Intervistë me Shën Pjetrin”, “Kujtime tragjikomike”, “Kur piqet Muhameti me Krishtin”, “Përralla abisine”, “Gjysmë ose italian”, “Mësim gjeografie” etj. Nonda Bulka, ashtu si Migjeni më vonë, pasqyroi në krijimtarinë e tij mjerimin, zymtinë, e jetës së vegjëlisë shqiptare me krijime gjurmëlënëse e tronditëse si “Mëmë e bir”, “Lypësi”, “Njeriu misterioz” etj, Me këto libra, shkrime e pamflete ai ka demaskuar padrejtësitë shoqërore pa ndrojtje, me rreptësi dhe pa kërkuar mëshirë. Shkrimet e tij, fejtone dhe skica, ai arriti t’i përmblidhte, më 1934, në vëllimin “Kur qan e qesh bilbili”. Gjithashtu, ai botoi edhe më pas proza poetike, skica me humor e paralelisht, disa përkthime nga letërsia franceze, duke botuar në të njëjtën kohë edhe krijime letrare satirike e publicistike në revistën “Hosteni” e gjetiu.

Disa nga rubrikat e tij më të bujshme në publicistikë ishin: “Kur qan e qesh bilbili”, “Gjurmë nga jeta”, “Simite e ngrohtë”, ku ai shfaqte plagët më të mprehta të shoqërisë. Intuita e çonte te fenomenet e mprehta të ditës dhe ai nuk kursehej t’i shkruante menjëherë: taze e shkurt. Nonda Bulka përdori edhe disa gjini të veçanta si “pusullën”, ku në shumë pak fjali kritikonte fenomenet negative, por nuk duhen harruar edhe: ”letrat që i dërgonte në Ferr”, letrat “Zotit” Mit’hat Frashrit, Milto Sotir Gurrës, etj.

Në publicistikën e tij të viteve 1932-37, mund të gjeje, shkruar bukur me figura stilistike e deri sarkazëm, krizën që kishte pllakosur ekonominë edhe tej Shqipërisë. Autori, vëzhgues i mprehtë intuitiv, paraqet, si në një penxhere që shihte me sy kritik botën, ngjarje që nga Japonia, Evropa e deri në Amerikë. Personazhet që demaskoheshin e anatemoheshin nuk ishin njerëz të rëndomtë e dosido, po direkt ata që “rrotullonin” botën: Hitleri, Musolini, qeveritarë, deputetë, dhe me tej tagrambledhësit dhe simbolikisht, “vjehrra”. Në fakt, këto kohë, “vjehrrën”, ai e vendoste gjithkund. Në të vërtetë, ai nuk e kishte ende vjehrrën e tij reale. Ashtu si ai e shpjegon në intervistën e pak muajve para se të vdiste te “Hosteni”, “vjehrra” ishte një personazh që simbolikisht e kishte krijuar për t’iu kundërvënë regjimit të asaj kohe. Nonda Bulka ishte një nga pikat e referimit për shkrimtarët që do të vinin pas tij, ku si një imitim në tematikë, spikat Migjeni, katër vjet më i ri se ai,

Si njohës i mirë i gjuhës frënge dhe italiane, Nonda Bulka, nuk do ta linte pas dore edhe letërsinë e mirëfilltë përparimtare botërore. Ka përkthyer “Universitetet e mia” të Maksim Gorkit që më 1949, poemën “Vajza dhe vdekja” po të këtij autori, “Evgjeni Grande” të Balzakut, poezi të poetëve të njohur dhe bashkë me Foto Balën, përkthyen “Topazin”, premiera e parë e Teatrit Popullor më 1945.

Në klasë si mësimdhënës, çuditërisht profesorin nuk e konceptoje dot si një shkrimtar satirik. Ai, jo vetëm që ishte tepër serioz po edhe një metodist rigoroz. E niste mësimin e letërsisë (na jepte edhe letërsi shqipe edhe letërsi të huaj edhe gjuhen shqipe) me “kontrollin frontal”, ku tërhiqte thuajse gjysmën e klasës, vazhdonte me kontrollin individual, ku përqendrohej në idetë themelore, shpjegonte bukur dhe me pasion materialin ditës, rekomandonte literaturë jashtë shkollore dhe e mbyllte me përgjigjen e pyetjeve dhe me kontrollin përforcues, si përmbledhje përfaqësuese. Deklamonte shumë bukur, si të ishte një aktor teatri, duke përdorur mimikën dhe gjestet. Më kujtohet njëherë, kur recitonte poezinë “Vaje” të Çajupit, nuk arriti ta përfundonte, se ra zilja. Ai vazhdonte recitimin dhe me njërën dorë bënte shenjë (si i hutuar), në drejtim te ziles, (qe ishte larg, në korridor) sikur kjo shenjë do ta ndalonte automatikisht vetvetiu atë.

Një herë tjetër, kur një nga nxënësit (Vasil e quanin) e pyeti, jo pa shaka: “Kush është shkrimtari satirik më i shquar bashkëkohor në vend”, ai, me buzën në gaz dhe fare i qetë i tha: “Pa dyshim është Vasil Deçka (ai që e pyeti). Mos u mërzit, je pikërisht ti, që po bën humor tani. Kështu pra, mos u çuditni, humoristë të mëdhenj dalin çdo ditë, çdo orë”.

Profesori ynë ndihej keq me shtëpinë e tij të vogël të banimit, si aty në “Rrugën e Pishave” dhe me vonë, kur u mbart te “Pallati i Oficerëve” në Rrugën e Durrësit. Kjo për më tepër se dhoma e tij ishte gjithnjë plot me miq e dashamires dhe librat e tij të shumtë e të dashur, ishin gjithnjë të pa sistemuar. Shpesh ai kujtonte me nostalgji banesën e gjerë prindërore në fshatin Leus (te djegur nga Gjermanët) me dëshirën që të kishte një të tillë të bollshme në Tirane, ku të priste miq, për të parë bashkërisht, si ndodhi më vonë, kur e solli nga Rumania, televizorin e tij (atëherë rrallëkush kishte televizor), të administronte librat e shumte të tij dhe të degustonin “glikotë” e famshme përmetare, që sapo i kishte mësuar Qefserja t’i përgatiste vetë, në plotësim të dëshirës së tij këmbëngulëse.

.Nonda Bulka, jo vetëm që në shkrimet e tij prirej nga humori dhe trajtonte anën shpesh të padukshme dhe qesharake të njerëzve, dobësitë dhe mangësitë, përdorte dendur figura artistike e deri komike. Në klasë, si mësues gjuhe, i shpjegonte me hollësi e me shembuj konkret figurat artistike, veças metaforat, por edhe në bisedat e përditshme ishte i qeshur dhe gazmor dhe nxirrte me lezet anën komike të këndshme të ngjarjes. Profesori shpesh e elektrizonte klasën duke përdorur metoda origjinale të dhënies së mësimit, duke improvizuar e interpretuar si artist i vërtetë personazhet e veprave që shpjegonte, që i zgjidhte dhe i sillte nga gjithë bota e përparuar, me kompetencë mjeshtërore.

Një ditë, kur korrigjonim në klasë gabimet ortografike në një hartim që kishim bërë, profesori pyeti Ramiun, një ish nxënës të moshuar, që kishte qenë edhe partizan:

-Po pse ti, Rami, partizanin e ke shkruar me shkronjë të madhe dhe gjermanin me shkronjë të vogël, duke shkelur rregullat gramatikore për emrat e përveçëm?

-Për t’i diferencuar në madhësi e vlerë, profesor, u përgjigj ish partizani. Si mund t’i lë njësoj?

-Po, sipas kësaj logjike (ndërhyri duke qeshur profesori), Karillën, sepse është i shkurtër, duhet ta shkruajmë me shkronjë të vogël dhe Stavrin, burrë më të gjatë, ta shkruajmë me të madhe e kur po të njëjtin, sepse është fëmijë dhe i shkurtër, ta shkruajmë me të vogël?

Profesori, ngado që vente, tre gjëra nuk i ndante kurrë: Biçikletën Bianki, çantën e madhe prej meshini (me libra, lapsa dhe blloqe) dhe paketën “Partizani” me cigare “të hekurosura”. Cigaret i pinte pa fund e radhë, mandej duke i ndezur shpesh here nga njëri tjetri.

Nonda Bulka nuk rojti shumë. Ai ndërroi jetë më 14 nëntorin e vitit 1972, në moshën 66 vjeçare dhe pa pasur fëmijë, po më së fundi i kënaqur, që i la Qefseres së tij të dashur një shtëpi më të madhe, i vlerësuar, dekoruar dhe nderuar nga kolegët dhe nxënësit e tij të shumtë. Ai, me kalimin e viteve, i zbuluar më plotësisht nga historian e studiues, vlerësohet gjithnjë e më shumë për mos t’u harruar kurrë, si shkrimtari e humoristi më i spikatur për periudhën krijuese te viteve 1930-1970, mësues i dashur e i dalluar në disa breza, si njeri me kulturë e përparimtar dhe si patriot e antifashist shquar.

Luan Çipi

Tiranë, më 10.03.2013

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …